Këshilltari i opozitës në Bashkinë e Vlorë, Atird Hoxha, në një intervistë për emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, të moderuar nga Flavio Qarri, ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë lidhur me situatën e infrastrukturës dhe veçanërisht me funksionimin e aeroportit të qytetit.
Hoxha u shpreh me tone ironike se për çdo problem në qytet “fajin e ka Saliu”, duke nënkuptuar sipas tij tendencën për t’ia atribuar përgjegjësinë ish-kryeministrit Sali Berisha. Ai akuzoi drejtuesit vendorë dhe qendrorë se prej vitesh po e dëmtojnë qytetin, duke e shpopulluar dhe duke krijuar pasiguri për të ardhmen e banorëve.
Sipas Hoxhës, aeroporti i Vlorës – i prezantuar si investim strategjik nga qeveria – nuk është ende funksional, ndonëse ishte premtuar se do të niste operimet në datën 21 shkurt. Ai theksoi se qyteti dhe operatorët turistikë kanë nevojë urgjente për një portë hyrëse ajrore, duke shtuar se qytetarët detyrohen të udhëtojnë drejt Tiranë për të kapur fluturimet ndërkombëtare.
Hoxha ngriti shqetësime edhe për konfliktet mes kompanive të përfshira në projekt, si dhe për dyshime mbi standardet e ndërtimit dhe sigurinë e aeroportit. Ai përmendi publikisht biznesmenin Behgjet Pacolli në lidhje me debatet mbi koncesionin, duke paralajmëruar rrezikun e përballjes së shtetit me padi të mundshme ndërkombëtare dhe pasoja për buxhetin.
Në deklaratën e tij, Hoxha akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku për presion ndaj palëve të përfshira në projekt, duke pretenduar se qëllimi është përfitimi nga aksionet e aeroportit.
Ai e cilësoi situatën si “të pafalshme” dhe shprehu frikën se investimi mund të përfundojë në dështim, ndonëse shtoi se shpreson që të gjendet një zgjidhje ligjore që aeroporti të bëhet funksional, në interes të qytetarëve dhe bizneseve të Vlorës.
Hoxha:
Po, aeroport nuk kemi më, port nuk kemi më, ujë nuk kemi, rrugë nuk kemi dhe fajin gjithmonë e ka Saliu, mendoj unë për këtë, meqënëse më bëre pyetje ironike, edhe unë po të përgjigjem ironikisht që është ai që i shkakton të gjitha këto fatkeqësi të mëdha qytetit të Vlorës. Dhe këta që e duan shumë Vlorën prej vitesh, janë ata të cilët, fatkeqësisht, fatkeqësisht, e them dhe njëherë, prej shumë vitesh, qoftë në pushtetin vendor, qoftë në pushtetin qendror, janë vetëm duke shkatërruar këtë qytet, duke e shpopulluar dhe duke e bërë të pajetueshëm dhe duke mbjellë një pasiguri, për të vazhduar jetesën në këtë qytet.
Është për të ardhur keq që aeroporti i Vlorës, edhe unë dua të ndalem përsëri këtu, sot nuk është në operimet e tija normale. Na është premtuar dhe thashë dhe njëherë, është një portë hyrëse për të cilën qyteti i Vlorës, operatorët turistikë, kanë nevojë urgjente, ulëritëse, por jo vetëm, edhe qytetarët. Pse duhet të ngrihem unë në orën 2:00 të natës për të shkuar në Tiranë në orën 5:00 që është avioni për të, për të fluturuar në Europë apo në vende të tjera. Pra, aeroporti i Vlorës ishte premtuar si një investim strategjik nga kjo qeveri, thashë dhe njëherë, duke e mashtruar gjatë gjithë kohës qytetarët e Vlorës.
Në të njëjtën kohë, e kam thënë dhe në intervista të tjera, ekspozon buxhetin e shtetit ndaj këtij koncensionari. Avokati aty në studio e, e ceku pak që mund të jetë edhe objekti i kundërshtimeve në gjykata ndërkombëtare, për të cilat, fatkeqësisht ne jemi mësuar që t'i humbasim të gjitha paditë që ngrihen kundër shtetit shqiptar dhe që me të drejtë Mabco nesër apo zoti Pacolli mund t'i drejtohen sepse duke parë që këtu pushteti është palë me 2%-shin dhe nuk është mbështetës ndaj 98%-shit, me sa kuptova unë të paktën dhe nga ato që tha avokati. Dhe mendoj që ekspozohet buxheti i shtetit. Qytetarët nuk marrin shërbim, operatorët turistikë që kishin lidhur kontrata dhe vazhdojnë të kenë negociata për të lidhur kontrata në vazhdim, për vitin 2027, 2028, për qytetin e Vlorës, sepse edhe po investojnë në struktura akomoduese, hotelerie...
Po patjetër, sepse ju është premtuar që në datën 21 shkurt do ishte, do ishte efiçent ky aeroport. Pra praktikisht ky aeroport në datën 21 do të duhej të kryente fluturime, thashë dhe njëherë, civile dhe tregtare. Nuk kryen asnjë gjë. Jemi shumë larg përfundimit të punimeve për shkak edhe të konfliktit që kanë dy, dy kompanitë, por unë mendoj që është një gënjeshtër e madhe, për të cilën thashë dhe njëherë, duke shtuar pastaj dhe dyshimet që zoti Pacolli ka bërë publike në intervistën e tij sa i përket sigurisë së këtij aeroporti, se unë nuk e kuptoj, të kesh një koncensionar, të bësh një ndërtim të një, të një objekti të një rëndësie të veçantë siç është aeroporti, dhe të kemi dyshime për ndërtimin dhe për cilësinë e punimeve, kur aty ka kompani ndërtuese, ka kompani supervizuese, ka kompani të mbikqyrjes së punimeve dhe ne të kemi dyshime që aeroporti është jashtë standardeve.
Imagjinoni çfarë do me thënë sikur pista e aeroportit të jetë ndërtuar nga kjo kompania, nga ky 2%-shi apo nga Valon Ademi apo nënkontraktorë të tij, të jetë ndërtuar jashtë standardeve, çfarë do me thënë për qytetin e Vlorës dhe çfarë do me thënë për koncensionarin, çfarë do me thënë për buxhetin e shtetit? Çfarë do me thënë për premtimin strategjik që do ishte efiçent në shkurt të këtij viti?
Pra, është, është e pafalshme dhe unë mendoj që si të gjitha, duke u kthyer tek pyetja që ju bëtë, si të gjitha premtimet që Rilindja ka bërë në qytetin e Vlorës, unë mendoj që edhe ky investim fatkeqësisht, më vjen shumë keq që e them, po edhe ky është drejt dështimit të plotë. Shpresoj shumë që të gjenden mundësitë juridike që aeroporti i Vlorës të gjejë një zgjidhje dhe ai të jetë efiçent, sepse në radhë të parë mua më vjen keq për qytetarët dhe bizneset e Vlorës, nuk më vijnë keq fare për ata që qëndrojnë mbas këtyre aferave, sepse këtu që të jemi, të jemi të qartë, edhe te gjykatat që shpeshherë shahen nga Rama, qëndron pikërisht Rama, Balluku dhe të tijët që i bëjnë presion kundër Pacollit për t'i marrë aksionet dhe për të qenë pjesë e, pjesë e aksioneve në këtë aeroport. Sepse kanë parë që interesi për aeroportin e Vlorës, dosta ka qenë i lartë, sepse duke qenë një zonë turistike dhe flitet që është diku te 30% interesi në krahasim me fluturimet që ndodhin me territorin e Republikës së Shqipërisë dhe duke patur parasysh një 30% nga aeroporti i Rinasit që do duhet të spostohet në qytetin e Vlorës, mendoj që edhe në të ardhura është goxha interesant...
© SYRI.net