Projekti strategjik i Aeroportit të Vlorës, një investim thelbësor për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë shqiptare, është zhytur në një ngërç të thellë ligjor. Beteja në dyert e gjykatave ka vënë në pikëpyetje jo vetëm ecurinë e punimeve, por edhe sigurinë juridike për investitorët strategjikë në vend.
Në qendër të këtij konflikti është aksioneri mazhoritar, kompania Mabco e Behgjet Pacollit, e cila zotëron 98% të aksioneve dhe që pretendon se po përballet me një bllokadë të paprecedentë ligjore. Në një intervistë në KAFE SHQETO në SYRI TV, avokati i Mabco-s, Ilir Gërdupi, zbuloi prapaskenat e një situate paradoksale, duke e cilësuar zinxhirin e vendimeve gjyqësore si “të habitshme” dhe “abuzive”.
Sipas tij, ortaku minoritar, që zotëron vetëm 2% të kuotave, ka arritur në mënyrë të pashpjegueshme të marrë masa sigurie nga gjykata, të cilat fillimisht bllokuan të drejtën e votës së mazhorancës dhe më pas tentuan përjashtimin e saj nga shoqëria, një veprim që avokati e konsideron “krejt të palejuar” sipas ligjit tregtar.
Paradoksi thellohet në kantierin e ndërtimit. Ndonëse punimet vijojnë, ato kryhen në një klimë pasigurie të plotë juridike. Avokat Gërdupi konfirmon se Mabco vazhdon të financojë kostot e ndërtimit, pavarësisht se një vendim gjyqësor e ka vënë në rrezik pozicionin e saj si investitori kryesor. Praktikisht, aksioneri 98%-sh po paguan për një projekt nga i cili rrezikon të shpronësohet pa asnjë kompensim, një situatë që ngre alarmin për funksionimin e shtetit ligjor.
Shkëndija e konfliktit, sipas palës mazhoritare, lindi pas zbulimit të disa kontratave të lidhura “në fshehtësi” mes ish-administratorit të shoqërisë dhe ortakut minoritar. Përpjekjet e Mabco-s për të zhbërë këto kontrata u pasuan nga ajo që përshkruhet si një “sulm” gjyqësor për të bllokuar aktivitetin e saj.
Për më tepër, shqetësimet janë shtuar edhe për cilësinë e punimeve, veçanërisht pas lajmit për përmbytjen e pistës. Si përgjigje, Mabco ka kërkuar kryerjen e një auditi nga një kompani prestigjioze ndërkombëtare për të garantuar sigurinë dhe standardet e projektit.
Gërdupi:
Nuk do të thoja që kemi pasur vendime pozitive, do të thoja që situata ka qenë ajo që vijon të jetë ende sot. Mabco ka 98% të aksioneve, të kuotave në, tek, në aeroportin e Vlorës. Ortaku tjetër ka vetëm 2% të këtyre aksioneve dhe nëpërmes një seri kërkesash në gjykatë, të cilat kanë qenë abuzive ndaj sistemit, por edhe vendimmarrja e gjykatës ka qenë në rastin më të mirë e habitshme ose në kundërshtim me të gjitha praktikat e deritanishme, janë dhënë dy masa sigurimi padie. Një e para e cila bllokonte 98% të votave deri në momentin e regjistrimit të një kontrate të pretenduar nga ana e aksionerit minoritar.
Kur kjo masë sigurie u largua, u hoq, u reduktua në minimum nga Gjykata e Apelit, vetëm një ditë më pas, Gjykata e Tiranës i jep po prapë një masë sigurie dhe kësaj radhe në një objekt në të cilin as nuk mund të shprehej dhe as nuk mund të shqyrtohej, që ishte përjashtimi i ortakut mazhoritar. Pra 2%-shi kërkon përjashtimin e 98%-shit, i cili nga ligji tregtar është krejt i palejuar sepse do të duhet një vendim, shoqëria është ajo që përjashton dhe këtë mund ta bëjë vetëm mazhoritari. Pra, mund të duhen të paktën 51% e votave që të mund të kërkohet. Gjykata e ka marrë në shqyrtim dhe vendosi e rivendosi përsëri sigurim padie ndaj ortakut të mazhoritar me 98% të kuotave, duke e bllokuar praktikisht aksionerin që të bëjë veprime në aeroport dhe që të ketë mundësi të përfundojë punimet që ka marrë përsipër.
Jo, punimet vijojnë, por ka një pasiguri juridike të madhe në lidhje me investimin. Punimet janë duke i bërë nënkontraktorë të të dy ortakëve, pra nënkontraktorë të Mabco-s dhe nënkontraktorë të 2A Group-it janë ato që kryejnë punimet. Por këto nënkontraktorë duhet të paguhen për punën e tyre.
Po i paguan Mabco, e të cilën është në situatën që vijon të paguajë kosto për një investim në të cilin mund të mos jetë pjesë për shkak të këtij vendimi të Gjykatës së Tiranës, duke krijuar një, po themi, situatë krejt të pafavorshme, duke i ngarkuar të gjitha detyrimet që ka nga kontrata koncesionare dhe duke i thënë që mund të mos marrësh asnjë nga, ëh, po themi avantazhet që janë të të qenurit ortak dhe aksioner.
Sepse gjykimi ende vijon, gjykimi themeli nuk ka filluar ende dhe problemi është që kjo masë pezullimi është gati-gati i barazueshëm me një shpronësim. Dhe flasim për një shpronësim edhe pa pa shpërblim të drejtë dhe pa kompensim. Dhe kjo situatë e bën krejt të vështirë situatën, krejt të vështirë për Mabco-n të vijojë, po themi, investimin në këto kushte në të cilat nuk ka të drejtat që duhet të ketë një ortak mazhorance. Ne kemi vetëm parasysh situatën me administratorin e emëruar nga shoqëria. Dy, ortaku i 2%-ve arrin dhe emëron një administrator, krejt në kundërshtim me statutin, me ligjin tregtar, pa e njoftuar ortakun e mazhorancës.
Problemet kanë filluar në momentin që janë evidentuar lidhja e kontratave midis ish-administratorit të Aeroportit të Vlorës dhe ortakut të minorancës, të cilat nuk ishin bërë me dije ndaj përfaqësuesve të ortakut Mabco. Pra, ishin lidhur kontrata krejt në në hije dhe në padijeni dhe në momentin që këto janë evidentuar dhe janë marrë masa për zhbërjen e këtyre kontratave, kemi fillimin e një sulmi, po themi, ëh, nëpërmjet vendimeve, kërkesave nga gjyqësori, për bllokimin e Mabco-s. Pra, kemi një sulm të 2%-shit që shkon edhe bllokon krejt 98%-shin, pavarësisht se duhet të jemi realistë, nuk kemi nga ortaku i minorancës, nuk ka, ka zero eksperiencë në ndërtimin e aeroporteve, ka zero eksperiencë në operimin e aeroporteve, nuk ka asnjë lloj kapaciteti. Dhe 2% të lekëve.
Këtë, këtë unë nuk di ta them, por unë di të them që këto vendime gjyqësore janë të habitshme në rastin më të mirë, sepse janë vendime që janë të marra në kundërshtim të parimeve të ligjit. Janë marrë në kundërshtim me gjithë praktikën gjyqësore deri tani. Padyshim që Valon Ademi nuk ka asnjë lloj të drejte. Këtu jemi në kushtet e një absurdi ligjor, do të thoja. Po unë dua të jem pak i rezervuar në lidhje me komentimin ndaj vendimmarrjes së gjykatave. Unë padyshim si avokat i kam kundërshtuar, i kam ankimuar, këto janë çështje të cilat do marrin një vendim eventual. Çështja do zgjidhet në themel dhe jam krejt i bindur mbi meritat e çështjes, pra te zgjidhja e themelit, por këto krijojnë për momentin një problematikë.
Po, besoj se situata i leverdis subjektit që e ka krijuar këtë, këtë konfuzion, pra po themi ortakut i pakicës, që është zoti Ademi në lidhje me këtë pjesën. Pastaj ata që janë të dëmtuar nuk është vetëm koncesionari, po është edhe shteti shqiptar i cili nuk ka mundësi që të marrë tarifën koncesionare, janë gjithë udhëtarët të cilët do donin të përdornin aeroportin e Vlorës dhe të kishin parashikuar, janë të gjithë bizneset e Vlorës të cilët do përfitonin nga turizmi i shtuar për shkak të asaj. Të dëmtuar janë shoqëria shqiptare dhe janë të gjithë. Përfituesi duket nga kjo situatë sikur të jetë vetëm zoti Ademi. Është kërkuar një audit nga ana e shoqërisë Mabco, e ka kërkuar vetë Mabco.
Po, sepse punimet në aeroport janë të ndara në dy pjesë. Pra, punimet e terminalit janë kryer nga ana e Mabco-s dhe kontraktorëve, nënkontraktorëve të saj, ndërkohë që punimet në pistë janë bërë nga 2A Group. Ka patur një përmbytje të pistës dhe ka një dyshim të arsyeshëm...
Nuk di të them sepse janë detaje teknike. Pista është e papërfunduar ende dhe në momentin e përfundimit të saj kjo do jetë besoj një situatë nga pikëpamja teknike e zgjidhshme, sepse projekti për aeroportin është një projekt i miratuar, i hartuar në mënyrë të përputhshme. Për të parë ekzekutimin e këtij, këtyre punimeve, është diçka që ne kërkojmë, Mabco, si ortaku i mazhoritar, kërkon mbajtjen e një auditi ndërkombëtar nga një shoqëri e njohur në lidhje me certifikimin e sigurisë në aeroporte, që jo vetëm ortaku, se kjo është një gjë që nuk përfiton në mënyrë të drejtpërdrejtë ortaku, por e para, autoriteti kontraktor, i dyti, publiku, i treti, të gjithë subjektet që do përdorin aeroportin, të dinë që të kenë siguri të plotë, garancinë e plotë që pista të jetë ndërtuar në mënyrën e duhur. Dhe ky, dhe ky audit mos të jetë vetëm për pistën, ai duhet të jetë për të gjitha llojet e punimeve, por pista këtu është problemi dhe risku kryesor.
© SYRI.net