Ka një ndryshim thelbësor në qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj politikës shqiptare, me një riorientim të dukshëm në favor të opozitës. Ky ndryshim vjen si pasojë e një tabloje më të qartë që partnerët ndërkombëtarë kanë krijuar tashmë për situatën reale të demokracisë, nivelin e lartë të korrupsionit dhe lidhjet e krimit të organizuar me aparatin shtetëror.
I ftuar mëngjesin e sotëm në 'Kafe Shqeto', deputeti i PD Bardh Spahia tha se ky zhvillim është rezultat i një përpjekjeje të gjatë dhe intensive për të paraqitur një pasqyrë reale të gjendjes në vend, duke kundërshtuar atë që përshkruhet si një fushatë dezinformimi e mirëorkestruar dhe e sponsorizuar nga mazhoranca qeverisëse.
Për një kohë të gjatë, partnerët ndërkombëtarë ishin të keqinformuar ose të bombarduar nga një narrativë mashtruese, e cila pengonte një vlerësim objektiv të situatës. Shenjat e këtij ndryshimi janë konkrete.
Një tregues i rëndësishëm, sipas Spahisë është miratimi i nëntë rezolutave të propozuara nga opozita shqiptare nga institucione të rëndësishme ndërkombëtare. Gjatë takimeve me përfaqësues të lartë, si ata të Partive Popullore Europiane (PPE), kërkesat e opozitës kanë gjetur mbështetje të plotë.
Ndër pikat kyçe të diskutuara dhe të mbështetura nga ndërkombëtarët përfshihen: rikthimi i funksionimit normal të institucioneve demokratike, garantimi i pavarësisë së institucioneve kushtetuese, sigurimi i votës së lirë si një kusht i panegociueshëm për demokracinë, dhe një luftë e pa kompromis ndaj korrupsionit, duke përfshirë hetimin e zyrtarëve të lartë.
Në këtë kontekst,deputeti opozitar tha se vërehet edhe një ndryshim në diskursin e kryeministrit Rama, i cili përshkruhet si një “kthesë 180-gradëshe” në krahasim me deklaratat e tij të mëparshme.
Ky ndryshim në qasje interpretohet si një reagim ndaj presionit në rritje dhe mbështetjes së fuqishme që opozita po merr nga partnerët ndërkombëtarë. Mbështetja e opinionit ndërkombëtar për opozitën shqiptare, dhe veçanërisht për Partinë Demokratike, konsiderohet jo vetëm e fuqishme, por edhe në rritje të vazhdueshme.
Deklarata e plotë:
“Ka një ndryshim thelbësor në sjelljen edhe në raport me opozitën të ndërkombëtarëve, të cilët tashmë është evidente që janë më të qartë se kurrë për situatën reale të demokracisë në vendin tonë, por edhe të aspekteve që lidhen me korrupsionin dhe përfshirjen e krimit të organizuar në të bërë një me shtetin dhe zyrat e tij.
Në fakt ka qenë një një përpjekje e vazhdueshme, shumë e fortë e opozitës shqiptare për të bërë një pasqyrë reale të situatës dhe gjendjes së vendit tonë edhe në raport me ndërkombëtarët të cilët për hir të së vërtetës shpeshherë ishin edhe të keqinformuar apo të bombarduar me informacion i cili shpërndahej me regji të mirëkoordinuar dhe madje edhe të mirësponsorizuar nga mazhoranca dhe qeveria Rama.
Nuk ishte çështja e mosbesimit, por ishte çështje e një impenjimi të një rrjeti kolosal me informacion të gabuar, me informacion le të themi, thjesht mashtrues në raport me situatën reale të vendit tonë.
Në këtë kontekst përpjekjet e opozitës kanë qenë të jashtëzakonshme, madje edhe rezultatet së fundmi kanë qenë të jashtëzakonshme.
Mjafton të përmendim miratimin e atyre nëntë rezolutave të opozitës shqiptare nga, le të themi, ndërkombëtarët, miqtë tanë dhe jo vetëm, edhe në kuptimin jo vetëm partnerë të mirëfilltë, por institucione të rëndësishme ndërkombëtare të cilat i kanë dhënë mbështetje opozitës në këto përpjekje për të rikthyer edhe njëherë Shqipërinë në shinat e funksionimit normal të demokracisë, por edhe të institucioneve të vendit, të cilat dukshëm tashmë, edhe në opinionin publik ndërkombëtar, janë të kapura nga një mazhorancë e cila i kontrollon nëpërmjet jo vetëm forcës së kartonëve, por edhe presioneve politike.
Ato ishin të qartë, unë po i referohem edhe takimit që patëm në zyrat e Kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e PPE-së, Partive Popullore Europiane ku bën pjesë padyshim edhe Partia Demokratike. Ishin të qartë në deklaratat e tyre.
Pikë së pari ishin shumë të vëmendshëm karshi prezantimit të situatës nga ana e jonë, nga ana e përfaqësuesve të opozitës, por njëkohësisht ishin të qartë dhe në deklaratat e tyre ku kërkonin rikthimin e institucioneve demokratike, pavarësinë e institucioneve kushtetuese, të drejtën për votën e lirë, të cilën e konsiderojnë si një must, si një kusht për funksionimin e demokracisë.
Luftën ndaj korrupsionit, hapjen e rrugës për funksionimin e drejtësisë edhe karshi zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion dhe i referoheshin edhe rastit të Ballukut.
Sigurisht që kemi një ndryshim qasjeje nga ana e kryeministrit, një kthim 300, 180 gradë le të themi, në raport me siç deklaronte deri vetëm para pak muajsh. Por kjo është edhe çështje, le të themi, morali, sjellje e tija në raport me opinionin publik shqiptar
. E rëndësishme është që në këtë moment mbështetja e opinionit ndërkombëtar ka qenë e fuqishme dhe është gjithmonë në rritje përsa i përket opozitës shqiptare dhe Partisë Demokratike në veçanti".
© SYRI.net