Presidenti i Partia e Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar përmes një postimi në Facebook pas Foltores së opozitës, duke theksuar se qyteti i Durrësit “foli me zërin e dinjitetit dhe të guximit”.
Meta vlerësoi fjalën e sportistit Adriatik Hoxha, të cilin e cilësoi si një kampion jo vetëm të atletikës kombëtare, por edhe të qytetarisë durrsake. Sipas tij, Adriatik Hoxha bëri një apel të fortë për mbrojtjen e interesit publik dhe të ardhmes së Durrësit si qytet simbol i turizmit, historisë dhe kulturës shqiptare.
Në deklaratën e tij, Meta akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se kanë lejuar, sipas tij, grabitjen e pronave të qytetarëve përmes projekteve korruptive, duke përmendur projektin TID, si dhe se i kanë lënë pushtetin bandave dhe karteleve të drogës që po dëmtojnë rëndë qytetin.
Ai njoftoi gjithashtu se më 28 shkurt, Durrësi do të dalë sërish në shesh, duke u rreshtuar në ballë të protestës kombëtare që do të mbahet në Tiranë, në emër të dinjitetit, pronës, qytetit dhe të ardhmes.
Postimi i plotë:
Durrësi foli sonte në shesh me zërin e dinjitetit dhe të guximit.
Foli me zërin e një kampioni të vërtetë, jo vetëm të atletikës sonë kombëtare, por edhe të qytetarisë durrsake, Z. Adriatik Hoxha, i cili me zë të lartë dhe fort, bëri apelin dhe theksoi domosdoshmërinë jetike për të mbrojtur interesin publik dhe të ardhmen e një qyteti simbol të turizmit, historisë dhe kulturës shqiptare.
Sot, Durrësi nuk është thjesht një qytet që përmbytet nga korrupsioni, por një qytet që po grabitet dhe po plaçkitet hapur e pa mëshirë nga banditët e "Rilindjes".
Një qytet ku pronat e qytetarëve rrëmbehen dhe vidhen përmes projekteve grabitqare si TID, ndërsa Edi Rama ua ka lënë pushtetin bandave dhe karteleve të drogës, që po i marrin frymën dhe po e shkatërrojnë Durrësin.
Por Durrësi nuk është dhe nuk do të jetë kurrë i tyre.
Durrësi do të jetë përjetë i qytetarëve të ndershëm dhe duhet çliruar patjeter nga bandat dhe narkotrafikantët.
Më 28 shkurt, Durrësi do ta thotë edhe më fort fjalën e tij ne sheshin e protestes se lirise dhe clirimit nga banda mafioze ne pushtet.
Në protestën kombëtare të 28 shkurtit në Tiranë, Durrësi do të jetë në ballë të saj, për dinjitetin, për pronën, për qytetin dhe për të ardhmen.
© SYRI.net