Në një fjalim të mbajtur në foltoren e opozitës para kryeministrisë, një qytetar pensionist ka bërë një pasqyrim të hidhur të realitetit shqiptar, duke denoncuar dështimin e shtetit në katër shtyllat kryesore të shoqërisë: shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe trajtimin e pensionistëve.
Duke folur si "bashkëshort, prind, fermer dhe qytetar që e ka parë padrejtësinë nga afër", ai e cilësoi konceptin e shëndetësisë falas si "një gënjeshtër të madhe". Sipas tij, ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa për sigurimin shëndetësor, "kur vjen sëmundja, shteti zhduket, avullon".
Ai akuzoi se paratë e shëndetësisë nuk munguan, por u vodhën, ndërsa jeta e njeriut në korridoret e spitaleve "vlerësohet më pak se një faturë private". Në analizën e tij për arsimin, folësi e përshkroi sistemin si "të shembur", ku trekëndëshi familje-mësues-shtet është shkatërruar. Ai vuri në dukje kontrastin e thellë mes fëmijëve të politikanëve që ndjekin shkolla private dhe mësuesve të pambrojtur që përballen me nxënës të dhunshëm.
"E ardhmja e dijes po shkon drejtim perëndimit, sepse atje dija dhe disiplina vlejnë. Këtu vlerësohet pazari, influenca dhe lidhjet," theksoi qytetari, duke paralajmëruar se një vend që nuk mbron mësuesin dhe nxënësin, "po përgatit errësirën e të ardhmes". Edhe bujqësia u cilësua si një "histori e braktisur", ku fermeri është lënë vetëm, pa treg dhe pa dinjitet. Sipas tij, tokat po mbeten djerrë dhe fshatrat po zbrazen, ndërkohë që Shqipëria importon ushqime.
Ai denoncoi se ndërmjetësit pasurohen ndërsa prodhuesit varfërohen, duke konkluduar se "nëse toka jonë nuk punon, ky vend nuk do të ngrihet kurrë".
Pensionisti:
Mirëmbrëma qendrestarë, njerëz të lirë. Mirëmbrëma doktor Berisha. Mirëmbrëma të gjithëve shqiptarëve kudo që janë. Sonte nuk dua të flas për hallet e partive. Do të flas për hallet e shqiptarëve. Shumë prej jush më njihni. Po, unë jam demokrat i viteve '90. Sot flas si bashkëshort, si prind, si fermer dhe si qytetar që kam parë padrejtësinë nga afër. Kam ardhur të them realitetin dhe jo slogane. Kam ardhur të flas për shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe pensionistët, pasi jam vetë pensionist. Shëndetësia falas, një gënjeshtër e madhe. Shqiptarët paguajnë çdo vit taksa për sigurinë shëndetësore, si të thuash me detyrim.
Po kur vjen sëmundja, shteti zhduket, avullon. Askush nuk ndihmon dot, përveç nëse ke para në xhep. Spitalet tona janë mbushur plot me korrupsion dhe bosh me dinjitet. Nuk pyet njeri sa vite ke paguar sigurime. Pyet vetëm sa para ke në xhep. Në korridoret e spitaleve sot, jeta e njeriut vlerësohet më pak se një faturë private. Mjekët e ndershëm, ata që u futën në profesion për të shpëtuar jetë, po ikin nga ky vend. Jo pse s'duan të punojnë, por sepse s'duan të bëhen pjesë e pisllëkut, të mësojnë të bëhen, të bëjnë para me shëndetin e pacientit. Ata që kanë mbetur, shumë prej tyre e shohin pacientin si burim fitimi. Trajtimi nuk matet me nevojë, por me çmim. Jeta e njeriut është kthyer në treg. Unë e di këtë nga afër. Gruaja ime fatkeqësisht kaloi sëmundjen e rëndë të kancerit, me tension dhe me aritmi. Nëse unë do të mbështetesha tek mjekësia falas, sot ajo nuk do të ishte gjallë. Unë shita gjithçka që kisha për ta shpëtuar dhe falë Zotit sot është në këmbë. Kjo nuk është histori personale. Kjo është aktakuzë kundër një sistemi që i lë njerëzit të vdesin në varfëri. Paratë për shëndetësi nuk munguan, u vodhën.
Nga pushtetarët ku gjysma janë në burg dhe gjysma janë nën akuzë. Ndërsa ne shesim çdo gjë për jetën e njerëzve tanë, ata ndërtuan pasuri me gjakun tonë. Shqipëria nuk duhet të falësojë vetëm fjalën shëndetësi, duhet të falësojë veprën. Duhet të ndalojë vjedhjen dhe të shpëtojë jetë. Arsimi është shembur. Jo nga nxënësit, nga sistemi. Sot trekëndëshi familje-mësues-shtet është shkatërruar. Familja dorëzohet, mësuesi është i vetmuar dhe shteti zhduket. Fëmijët e politikanëve shkojnë në shkolla private me makina të fundit, me udhëtime jashtë shtetit. Ndërkohë, mësuesi i ndershëm shkon në shkollë me biçikletë, i pambrojtur, duke u frikësuar nga nxënës që pinë hashash, mbajnë thika dhe shpesh dhe armë. Sot në shkollat tona ka përleshje mes të rinjve, ku ka patur dhe viktima. Dhe, dhe çfarë shteti? Policia shpesh mbështet agresorin dhe jo viktimën. Mësuesi hesht nga frika, nxënësit e mirë kërkojnë rrugë tjetër, prindi i ndershëm dorëzohet. E ardhmja e dijes po shkon drejtim perëndimit, sepse atje dija dhe disiplina vlejnë. Këtu, në vend të dijes vlerësohet pazari, influenca dhe lidhjet. Shqipëria që harxhon për shkollat por nuk mbron mësuesin, nuk mbron nxënësin, dhe nuk vendos rregull, është një vend që po përgatit errësirën e të ardhmes. Arsimi nuk është kosto, është themeli i çdo shoqërie të fortë.
Bujqësia. Në Shqipëri sot është një histori e braktisur. Fermeri është lënë vetëm, pa mbrojtje, pa treg, pa dinjitet. Tokat tona po mbeten djerrë. Fshatrat po zbrazen, ndërsa ushqimi që mund të rritet këtu po importohet nga jashtë. Fermeri punon gjithë vitin me çmim nën kosto. Ndërmjetësit pasurohen dhe prodhuesi varfërohet. Nuk ka vizion, nuk ka orientim, nuk ka mbrojtje. Në letër flitet për bujqësi bio, për produkte vendore, por faktet flasin ndryshe sepse produktet importohen dhe pa asnjë lloj kontroll sigurie. Askush s'e ndihmon fermerin. Një vend që harron bujqësinë, harron sigurinë ushqimore, harron traditën dhe jetën e fshatit. Pa bujqësi të fortë nuk ka ekonomi të qëndrueshme. Nuk ka punësim, nuk ka shëndet. Fermeri s'është problemi, ai është zgjidhja. E vërteta është e thjeshtë. Nëse toka jonë nuk punon, ky vend nuk do të ngrihet kurrë. Pensionistët. Unë jam pensionist. Kam punuar 42 vjet dhe nuk më del pensioni. Punoj në një ullishtë të subvencionuar nga qeveria Berisha. Sot kemi falimentuar, sepse shteti s'na përkrah në asnjë drejtim. Unë nuk punoj për t'u pasuruar, punoj se nuk më del pensioni.
© SYRI.net