‘Rruga ulëret korrupsion’/ Dervishi nga Dragostunja: Të kryhen hetime për punimet e Korridorit të VIII-të

14:11, 23/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Drejtuesi i Departamentit të Infrastrukturës dhe Transportit në Partisë Demokratike, Besnik Dervishi, gjatë një prononcimi për media nga fshati Dragostunjë, denoncoi dëmtime të rënda në segmentin Librazhd–Prrenjas, duke i lidhur ato me punimet për Korridori VIII.

Sipas tij, gjatë ndërhyrjeve nuk janë marrë masa për mbrojtjen e rrugës ekzistuese, duke shkaktuar dëmtim të trupit të rrugës dhe të një ure në zonë.

Dervishi akuzoi për marrje pa kriter të inerteve, me pasoja mjedisore në luginën e lumit Shkumbin.

Ai kërkoi auditim teknik, publikimin e kontratës së plotë dhe ndërhyrje të menjëhershme për rikthimin e sigurisë në qarkullim, duke akuzuar institucionet përgjegjëse për papërgjegjshmëri.

Prononcimi i plotë:

"Një tjetër segment rrugor në këtë vend ulëret korrupsion. Rrugët sot kanë filluar të flasin, jo me zë, por me pamje që flasin qartë.

Sot jemi në Dragostunjë, në segmentin Librazhd–Prrenjas, ku si PD kemi ardhur të denoncojmë dëmtimin e rëndë që ka ndodhur në këtë segment rrugor, për arsye të drejtpërdrejta të punimeve të realizuara për ndërtimin e segmentit të ri, pjesë e Korridorit të VIII-të.

Gjatë këtyre punimeve për këtë segment, nuk janë marrë masat e duhura për ruajtjen e rrugës ekzistuese; konkretisht, nuk janë marrë masa për ruajtjen e shpateve të rrugës, skarpateve, si dhe të trasesë së rrugës ekzistuese.

Është dëmtuar trupi i rrugës dhe ura, në qoftë se ju mund ta shikoni. Për arsye të perimetrit të sigurisë, ne nuk mund të afrohemi më sipër për të parë nga afër dëmtimin real që ka ndodhur te kjo urë.

Punimet janë realizuar jashtë standardeve të ruajtjes së rrugës ekzistuese. Një nga arsyet që ka ndodhur ky skandal i vërtetë është edhe marrja pa kriter, ligjor dhe teknik, e inerteve në rrugë, që ka çuar edhe në shkatërrimin e trasesë së hekurudhës, vetëm e vetëm për të marrë inerte me kosto sa më të ulët. Ky është jo vetëm një dëm mjedisor, por edhe një dëm i pariparueshëm për sa i përket luginës së lumit Shkumbin; janë shkatërruar të gjitha parcelat e tokave ku kalon ky lum.

Çdo projekt infrastrukturor është i detyruar të marrë masa për ruajtjen e gjendjes ekzistuese të infrastrukturës në të cilën ai punon. Kjo gjë këtu nuk ka ndodhur. Projekti duhet të marrë masa konkrete për ruajtjen e shpateve, për rrugët alternative dhe ato të kantierit, duke siguruar një rrjedhshmëri të trafikut në standardet e sigurisë. Kjo gjë nuk ka ndodhur.

Herë pas here, siç kemi denoncuar edhe investimet e qeverisë socialiste këto 13 vite, jo vetëm që kanë trefishuar apo katërfishuar kostot e tyre krahasuar me investimet e bëra nga PD para vitit 2013 dhe ato të kryera sot nga BE, por ato ulërasin me të madhe dhe tregojnë për korrupsionin galopant në infrastrukturën rrugore, konkretisht.

Ky korrupsion shihet qartë në procedurat korruptive për përzgjedhjen e firmës fituese për zbatimin, si dhe në përzgjedhjen e kolaudimit dhe mbikëqyrjes.

Kjo përfundon me papërgjegjshmërinë totale të institucioneve përgjegjëse, si ARRSH apo Ministria e Infrastrukturës, të cilat hapin rrugët për trafik pa u kolauduar dhe pa u marrë ato në dorëzim.

Prandaj, kërkoj me insistim që të bëhet një kontroll dhe rishikim i saktë teknik për atë çka ka ndodhur këtu. Të publikohet kontrata e plotë e zbatimit të punimeve dhe të merren masa të menjëhershme për kthimin në gjendje të lëvizshmërisë së rrugës sipas standardeve të sigurisë. Qytetarët shqiptarë nuk mund të paguajnë koston e lartë të kësaj qeverie me jetët e tyre. Jeta e shqiptarëve nuk është dëm kolateral.

Në vendin e quajtur Dragostunjë, dhe më tej, pasi u desh ta kalonim edhe në këmbë, ka ndodhur përsëri një shembje për shkak të pakujdesisë në punimet që kryhen në pjesën e sipërme, ashtu siç është rasti edhe këtu ku ne po flasim tani.Pra, punimet e kryera në infrastrukturën rrugore përgjatë këtyre 13 viteve janë paraprirë nga rrëshqitje të shpateve dhe skarpateve, duke bllokuar dhe pezulluar kalimin, ashtu si është edhe rasti konkret i rrugës Qukës–Qafë Pllocë, apo i segmenteve të tjera. Çdo investim në rrugë i kësaj qeverisjeje nuk ka mbetur pa u dëmtuar dhe pa u bllokuar".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco