Teksa Këshilli i Mandateve është mbledhur këtë të hënë, 23 shkurt, për t’i hequr ose jo imunitetin Belinda Ballukut e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, kjo e fundit është pyetur nga ligjvënësit socialistë, lidhur me faktin nëse Balluku po prish provat.
Anëtari i Këshillit të Mandateve, Ulsi Manja i ka drejtuar prokurorëve të SPAK, pyetje mbi deklaratat e tyre se Belinda Balluku, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet palëve të tjera, ka kërcënuar dëshmitarë lidhur me çështjen e saj.
Ulsi Manja: Këto që janë kërcënuar janë dëshmitar apo të pandehur?
Prokuroria: Janë edhe të pandehur të tjerë, edhe persona dëshmitar qe s’janë të pandehur.
Manja: A janë sekuestruar të gjitha provat?
Prokuroria: Jo.
Ulsi Manja: Cili është mekanizmi përmes se cilës Balluku po prish provat pasi është e pezulluar.
Prokurori: Balluku është në detyrë. Mekanizmi, duke takuar vartësit.
Më herët kreu i Grupit Parlamentar të PD, njëkohësisht anëtar në Këshillin e Mandateve ka adresuar një sërë pyetjesh për Komisionin, lidhur me mbledhjen që po zhvillohet këtë të hënë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
Bardhi i është drejtuar Këshillit të Mandateve, se SPAK e ka konfirmuar se ‘të fortët’ kanë kërcënuar dëshmitarët për llogari të Ballukut, dhe si e tillë gjendja e saj procedurale është rëndur, çka rrezikon prishjen e provave dhe kryerjen e krimeve të tjera, nëse nuk do t’i hiqej mandati.
Ligjvënësi demokrat, i është drejtuar Këshillit të Mandateve, se hetimi ndaj Ballukut nuk ka prapavijë politike, pretendim që sipas tij nuk është ngritur nga mbrojtja e numrit dy të qeverisë.
© SYRI.net