Shtatë kilometra nga kryeqyteti shqiptar, Kamza ka përjetuar një zhvillim urban shumë të shpejtë që nga rënia e regjimit komunist në fillim të viteve 1990, kur u bë një nga destinacionet kryesore të migrimit të brendshëm. E ndërtuar nga vetë banorët e saj, sot qyteti përballet, dhe përpiqet t'i rezistojë, presionit të fortë nga politikanët dhe sektori i ndërtimit.
Nga Francesca Barca dhe Federico Caruso/
"Kamza është një laborator i gjallë i një mënyre tjetër të ndërtimit të qytetit, ku dimensioni njerëzor shprehet plotësisht dhe është i pandarë nga dëshira për jetën", shkruan arkitektja shqiptare Dorina Pllumbi për një qytet që dikur ishte thjesht periferi e Tiranës.
Kamza është bashki më vete që nga viti 1996. E ndërtuar fjalë për fjalë nga banorët e saj dhe duke treguar historinë e Shqipërisë me dritëhije, fjala "laborator" është me të vërtetë e përshtatshme.
Ne folëm me Pllumbin përpara se të shihnim nga afër ndërtesat që disa i kanë quajtur me përçmim "informale" ose "të paligjshme". Sipas saj, ato janë "një përgjigje hapësinore dhe materiale ndaj një arkitekture që ushtrohet si një sistem pushteti nga lart, sidomos pas ndryshimeve të thella politike, sociale dhe ekonomike të viteve 1990."
Për Pllumbin, ndërtimi jo vetëm i shtëpive, por i një qyteti të tërë si Kamza, është një "akt fizik politik".
Për shkak të trafikut, udhëtimi prej shtatë kilometrash mes Kamzës dhe Tiranës zgjat nga 30 deri në 50 minuta me makinë ose autobus.
Duke ecur nëpër Kamzë, bien në sy dy gjëra: e para është se çdo shtëpi ka një strukturë të ndryshme nga tjetra dhe shpesh është në një gjendje "zhvillimi", pjesërisht e përfunduar dhe pjesërisht në ndërtim për t'u zgjeruar. E dyta është numri i madh i kantiereve për ndërtime të mëdha.
Në vitin 2019, Kamza u përmend në shtypin ndërkombëtar për një vendim të pazakontë të administratës vendore. Disa rrugë mbajnë emra figurash politike të debatueshme, si Donald Trump, George Bush, Silvio Berlusconi dhe Nicolas Sarkozy.
"Më falni që po e them troç, por njerëzit nga Perëndimi shpesh nuk e kuptojnë çështjen e të djathtës dhe të majtës në Shqipëri", shpjegon antropologu Nebi Bardhoshi. Ne e takuam Bardhoshin në një bar në Kamzë në fund të dhjetorit.
Pas rënies së regjimit komunist në vitet 1990, shpjegon ai, "njerëzit më të margjinalizuar, ata që pritej të votonin për të majtën, edhe pse kjo ide tani është braktisur, ishin pikërisht ata që kundërshtuan regjimin." Prandaj në Shqipëri "zonat më të varfra votuan dhe vazhdojnë të votojnë për Partinë Demokratike (PDSH), që është parti e djathtë. Natyrisht, askush nuk votoi për emrat e rrugëve. Nuk pati konsultim. Por njerëzve u pëlqejnë për një arsye a tjetër," thotë ai me buzëqeshje.
Sipas një raporti të Erisa Kryeziut të publikuar në Nyje.al, Kamza bashkon disa paradokse: "Është bashkia më e vogël në Shqipëri për nga sipërfaqja, por edhe më e dendura në popullsi, çka e bën më të urbanizuarën. Gjatë njëzet viteve të fundit ka pasur rritje të jashtëzakonshme të popullsisë. Rreth 160,000 banorë jetojnë në një sipërfaqe prej 37.18 kilometrash katrorë." Mosha mesatare në qytet është 27 vjeç, ndërsa në nivel kombëtar është 42.5 dhe ka qenë në rritje të vazhdueshme.
Migrimi i brendshëm në Shqipëri
Pas përfundimit të regjimit socialist (1946–1992), Shqipëria përjetoi emigrim masiv. Sipas Departamentit Shqiptar të Emigracionit, rreth gjysmë milioni shqiptarë, ose 15 për qind e popullsisë, u larguan nga vendi mes viteve 1990 dhe 1997. Ky proces u shoqërua me migrim të brendshëm nga zonat rurale drejt periferive urbane, duke ndikuar në formësimin e hartës urbane dhe sociale.
Kamza ishte një nga këto destinacione. Njerëzit që u vendosën aty vinin kryesisht nga veriu i vendit dhe ishin zakonisht ata që nuk kishin mundësi të emigronin jashtë, ose mund të dërgonin vetëm një anëtar të familjes, kryesisht në Itali ose Greqi.
Emigrimi jashtë ishte i vështirë dhe shpesh i paligjshëm, qoftë me anije drejt Italisë, apo në këmbë drejt Greqisë. Bardhoshi tregon për babain e një të njohuri: "Ai qëndroi në Itali për nëntë muaj, fitoi disa para dhe u kthye për të ndërtuar shtëpinë. Kjo ishte praktikë e zakonshme në vitet 1990." Kjo përfshinte shpesh edhe gra dhe familje të tëra.
Rënia e komunizmit në Shqipëri solli shumë ndryshime, sidomos në pronësinë e tokës, decentralizimin e ekonomisë dhe lirinë e lëvizjes.
Siç shpjegon Bardhoshi, Shqipëria ka një nga nivelet më të ulëta të urbanizimit në Europë. Në vitin 1990, vetëm 35 për qind e popullsisë jetonte në zona urbane, kryesisht në perëndim të vendit, pasi strategjia e regjimit ishte t'i mbante njerëzit në fshat.
"Në vitin 1991, fermat shtetërore dhe kooperativat u shpërbënë dhe nisi procesi i çkolektivizimit. Në atë moment, njerëzit filluan të pyesnin veten ku do të jetonin." Fshatrat nuk kishin mjaftueshëm banesa, ndërsa kriza në sektorin e minierave kishte lënë shumë persona pa punë.
Për ata që nuk mund të largoheshin jashtë, alternativa ishte të afroheshin pranë qyteteve: "për të mbijetuar, por edhe me shpresën për një jetë më të mirë." Ata po dilnin nga një periudhë me kontroll të fortë shoqëror. "Për të rinjtë, ishte një ndjenjë e papritur lirie."
Askush nuk e dinte çfarë i priste, thotë Bardhoshi. "Isha i ri në atë kohë. Varfëria ishte reale, por kishte energji pozitive dhe besim për një të ardhme më të mirë. Ishim plot shpresë. Dhe shumë nga ato shpresa u realizuan."
Ai e përshkruan këtë si një "lëvizje shoqërore", por edhe si një fenomen "të paligjshëm": toka ishte shtetërore dhe në fillim jo të gjithë kërkuan leje ndërtimi. Në disa raste u zbatuan praktika tradicionale të përdorimit të tokës; në raste të tjera, njerëzit e blenë tokën nga ata që shteti ua kishte dhënë, ndonjëherë me dokumente dhe ndonjëherë jo. Ishte një kohë me shumë konfuzion ligjor dhe shoqëror.
Njerëzit donin të blinin, këmbëngul Bardhoshi, dhe kjo është e rëndësishme të theksohet, sepse "retorika e partive, sidomos e Partisë Socialiste, është t'i quajë këta njerëz 'të paligjshëm' ose 'zaptues'."
Çështja e vendbanimeve "të paligjshme" ose "informale" është në qendër të një debati që përdoret nga politikanët e të gjitha krahëve për të fituar mbështetje. Që nga viti 2004, në Kamzë dhe në zona të tjera, ka nisur një proces legalizimi, ku banorët paguajnë për të legalizuar shtëpitë që i kanë ndërtuar vetë me shpenzimet e tyre.
Nuk ishte rastësi që ky proces filloi pak para zgjedhjeve të vitit 2005. "Më shumë se 50 për qind e njerëzve jetonin në zona informale. Është një përqindje shumë e madhe," shpjegon Bardhoshi. Ideja ishte që fillimisht të legalizoheshin, pastaj të shpronësoheshin ligjërisht dhe në fund të "urbanizoheshin".
Partia Socialiste, dhe në veçanti Edi Rama, kryeministri aktual, ka pasur një histori ku i ka paraqitur banorët e Kamzës, dhe të zonave të tjera të ndërtuara në mënyrë të ngjashme, si të paqytetëruar, anti-urbanë dhe kundër shtetit. Ky diskurs ka vazhduar prej vitesh dhe, sipas Bardhoshit, është pjesë e "një debati mes ruralitetit dhe urbanitetit që është i përhapur në Europën Lindore." Si në vende të tjera post-socialiste, "ka një përplasje mes të ardhurve dhe borgjezisë socialiste, të cilët ndjejnë se qyteti i tyre,'parajsa socialiste', nuk u përket më." Bardhoshi e quan këtë ndjenjë "nostalgji urbane socialiste."
Edhe Pllumbi e vëren këtë qëndrim ndaj Kamzës, duke e përshkruar si produkt të një diskursi të caktuar politik. "Siç është diskutuar mes aktivistëve të qytetit, identiteti i Kamzës iu vendos nga qendra elitare e pushtetit, Tirana. Ajo u etiketua si 'tjetra' dhe tani qëndron si simbol i kësaj tjetërsie," siç thekson edhe studimi i bërë nga grupi ATA mbi mënyrën si mediat i paraqisnin banorët e Kamzës gjatë periudhës së migrimit.
Njerëzit erdhën në Kamzë me idenë për t'u dhënë fëmijëve të tyre një jetë më të mirë, mundësi për të studiuar dhe për të punuar. Në vendbanimin e ri nuk kishte shkolla, ndaj banorët organizuan mësime në shtëpitë e tyre. "Është e mahnitshme si, në mungesë të shtetit, këto komunitete arritën të bëjnë atë që bënë."
ATA, "ata" dhe "tjetri"
Studimi për të cilin flet Pllumbi është puna e një grupi banorësh të Kamzës që e kanë kthyer këtë "tjetërsi" në një projekt politik. ATA "nuk është një akronim", na thotë Diana Malaj në një italishte të përsosur, por përemri "ata". Po kush janë "ata"? "Ata" është mënyra si perceptohen "njerëzit që jetojnë në skajet e shoqërisë."
Malaj, bashkëthemeluese e kolektivit në vitin 2014, i përket brezit që migroi me familjen nga zonat rurale drejt Kamzës. Ne vizituam ambientet e grupit të shoqëruar nga Ronald Qema, i cili iu bashkua në vitin 2016 kur ishte ende në gjimnaz. Grupi u krijua pikërisht sepse "ishim të lodhur nga stigma që Kamza vazhdon të mbajë": ajo e "zaptuesve" apo "pushtuesve të paligjshëm".
Malaj dhe Qema sot jetojnë jashtë vendit, ku po përfundojnë studimet ose projekte kërkimore. "Jetojmë në një vend ku migrimi është i detyrueshëm për të mbijetuar dhe për të ndërtuar të ardhmen."
Kamza nuk ka kinema, teatër, arkiv apo muze, na thotë Malaj.
ATA nisi me aktivizëm kulturor, kryesisht përmes teatrit, për të "gjetur gjuhën tonë", por edhe për të "ndërtuar një dëshirë, jo vetëm individuale, por mbi të gjitha kolektive."
ATA dokumenton, përmes gazetës online Nyje.al, dhe merret me antropologji urbane, duke mbledhur histori dhe organizuar aktivitete me banorët. Ndërsa Qema na tregon hapësirën e grupit, që shërben edhe si bibliotekë, ai shpjegon se ATA ofron gjithashtu ndihmë ligjore dhe administrative për qytetarët dhe mbështet komunitetet e prekura nga projektet e shumta të hidrocentraleve që po dëmtojnë peizazhin shqiptar.
"Ne jemi këtu për të mbushur një boshllëk brenda kolektivit tonë dhe brenda vetes." Qema shton shpejt se qëllimi nuk është të zëvendësojnë boshllëkun politik, por ta nxjerrin atë në pah. "Brezi i prindërve tanë e ndërtoi këtë qytet, këtë komunitet, nga nevoja, për të ndërtuar jetën e tyre. Për mua, është detyra e brezit tonë të punojë për jetën publike të këtij komuniteti." Që komuniteti të dëgjohet nga ata që qeverisin, është e nevojshme edhe të "krijohet dëshirë shoqërore."
Ndërsa prindërit e brezit të ATA-s ndërtuan shtëpitë dhe "u kujdesën për ne," thotë Qema, sot detyra është "t'i bëjmë këto histori të dukshme, të flasim për komunitetin tonë, të vlerësojmë si kanë qenë gjërat dhe, në një farë mënyre, të dokumentojmë dhe mbrojmë atë që po ndodh tani dhe çfarë mund të ndodhë në të ardhmen."
Qema i referohet lagjeve 5 Maji dhe Kombinat në Tiranë, ku disa nga shtëpitë e ndërtuara nga banorët në periudhën post-socialiste u shembën për t'i hapur rrugë projekteve të reja rezidenciale. Ashtu si në Kamzë, njerëzit kanë jetuar prej vitesh në një pasiguri ligjore. "Qëllimi ishte t'i mbanin njerëzit në një gjendje pezulli, pa ndier se i përkasin diku," thotë Qema.
Kjo ngre pyetjen për kantieret e shumta që rrethojnë dhe mbizotërojnë mbi shtëpitë dykatëshe të ndërtuara nga banorët e Kamzës, duke u marrë ajrin dhe dritën. "Këto ndërtesa masive po shkatërrojnë historitë e atyre shtëpive, të ndërtuara me kaq shumë sakrificë dhe me premtimin e një jete të re." / Voxeurop – Syri.net
© SYRI.net