Organizatat e shoqërisë civile, përfshirë Drejtësi Sociale, Qëndresa Qytetare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, SCiDEV, Tek Bunkeri, Qendra Hana, Qyteti Im, dhe Grupi ATA, kanë ngritur një kërkesë të qartë dhe urgjente për Kuvendin e Shqipërisë: thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për autorizimin e procedurave ndaj deputetes Belinda Balluku.
Në një kohë kur përpjekjet për të garantuar drejtësinë në Shqipëri janë në shënjestër të presionit politik dhe publik, këto organizata theksojnë se çdo zvarritje e këtij procesi, përmes ndikimeve politike, rrezikon të dëmtojë jo vetëm integritetin e institucioneve të drejtësisë, por edhe besimin e qytetarëve në shtetin e së drejtës.
Kërkesa e tyre është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë: respektimi i procedurave të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit, pa politizim dhe pa vonesa të panevojshme, për të garantuar që drejtësia të jetë e njëjtë për të gjithë, pa dallim pozite apo imuniteti parlamentar.
'Kërkojmë një veprim të menjëhershëm dhe pa kompromis nga Kuvendi, duke e bërë të qartë se çdo hezitim në këtë drejtim do të dëmtonte rëndë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe do të minonte stabilitetin politik dhe shoqëror të vendit.'-thuhet në kërkesë
Kërkesa e plotë:
I nderuar z. Peleshi,
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Mandateve,Në ushtrim të së drejtës kushtetuese për t’i drejtuar organet publike dhe në përmbushje të rolit tonë si organizata të shoqërisë civile për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe interesit publik, po iu drejtohemi Kuvendit të Republikës së Shqipërisë lidhur me mënyrën e trajtimit parlamentar të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara, drejtuar Kuvendit për autorizim parlamentar në lidhje me deputeten Belinda Balluku.
Shqetësimi ynë buron nga rreziku që procedurat kushtetuese të parashikuara për trajtimin e kërkesave të organeve të drejtësisë të kthehen në objekt zvarritjeje, relativizimi ose instrumentalizimi politik. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit e kanë përcaktuar qartë rolin e Kuvendit në këtë rast si një kompetencë procedurale, të kufizuar dhe të rregulluar nga afate, dhe jo si hapësirë për debat politik mbi çështjen penale në themel.Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenin 73, e ka konceptuar imunitetin parlamentar jo si mburojë personale për t’i shmangur drejtësisë, por si garanci funksionale për ushtrimin e mandatit përfaqësues. Kështu, imuniteti nuk mund të shndërrohet në pengesë procedurale për ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë.
Po ashtu, kuadri ligjor që rregullon organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme, në ndërthurje me parimet kushtetuese të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, kërkon që pushteti legjislativ të ushtrojë kompetencat e tij në mënyrë që të mos pengojë, vonojë apo relativizojë ushtrimin e funksioneve kushtetuese të organeve të drejtësisë.
Çdo vonesë e pajustifikuar procedurale, çdo devijim nga procedura e përcaktuar në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, si dhe çdo instrumentalizim politik i një kërkese penale, rrezikon të cenojë parimin e barazisë para ligjit, detyrimin kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e publikut në funksionimin e institucioneve demokratike.
Në këtë kontekst, qëndrimet e përsëritura të institucioneve të Bashkimit Europian mbi rëndësinë e trajtimit në kohë, transparent dhe pa politizim të kërkesave të organeve të drejtësisë, përputhen edhe me angazhimet e Shqipërisë në fushën e sundimit të ligjit dhe forcimit të pavarësisë së drejtësisë, sipas pjesëve të kapitujve 23 dhe 24 të negociatave me Bashkimin Europian.
Respektimi i procedurave kushtetuese në këtë rast nuk përbën zgjedhje politike, por detyrim institucional të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Mandati përfaqësues nuk mund të përdoret për të krijuar pengesa procedurale apo perceptim mbrojtjeje ndaj askujt që përballet me drejtësinë. Transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i rregullave procedurale janë themeli i besimit publik në institucionet demokratike.
PËR KËTO ARSYE, KËRKOJMË:
Thirrjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.
Shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme brenda afateve kushtetuese dhe rregullore, pa vonesa apo ndërhyrje politike.
Respektimin e plotë të parimit se askush nuk është mbi ligjin, duke garantuar funksionimin normal, transparent dhe të paanshëm të procedurave parlamentare.
Qytetarët shqiptarë presin nga Kuvendi që të ushtrojë kompetencat e tij në përputhje me Kushtetutën, shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike që Shqipëria ka zgjedhur të ndjekë. Çdo shmangie nga këto parime rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të përbëjë një hap pas në konsolidimin demokratik të vendit.
Me respekt,
Organizatat e Shoqërisë Civile:Drejtësi Sociale, Gentjan Sejrani
Qëndresa Qytetare, Rigels Xhemollari
Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Erida Skendaj
SCiDEV, Blerjana Bino
Tek Bunkeri, Arnen Sula
Qendra Hana, Besmira Leka
Qyteti Im, Andi Tepelena
© SYRI.net