‘300 mln $ dëme nga përmbytjet, shteti s’ka të paguajë’, Vuksani: Tokat do jenë të papërdorshme për 10 vite!

17:02, 02/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Fatura e dëmeve nga përmbytjet e fundit në vend arrin shifrën alarmante prej 300 milionë dollarë, për fermerët del në pah një rrezik edhe më i madh dhe afatgjatë: kthimi i tokave në të papërdorshme për dekadën e ardhshme.

I ftuar në edicionin e lajmeve të pasdites në Syri Tv, drejtuesi i Departamentit të Bujqësisë në PD, Gjok Vuksani, thekson se referuar të dhënave të para, rreth 13,000 hektarë tokë bujqësore, kryesisht në zonat më pjellore si Shkodra, Lezha, Lushnja dhe Fieri, janë përmbytur, duke shkaktuar një dëm total që përfshin jo vetëm të mbjellat, por edhe bagëtinë, serat dhe infrastrukturën mbështetëse.

Përballë kësaj situate katastrofike, Vuksani shprehet se përgjigja e institucioneve për dëmshpërblim duket e vakët dhe e pamjaftueshme, gjë që sipas tij deri më tani, në terren janë parë vetëm disa “grupe konstatimi” dhe janë kryer “vizita kortezie”, pa u finalizuar asnjë procesverbal zyrtar apo vlerësim real i kostos së dëmit.

Për më tepër, hendeku mes dëmit të shkaktuar dhe kapacitetit shtetëror për ta mbuluar atë është i thellë. Vuksani thekson se ndërsa dëmi llogaritet deri në 300 milionë dollarë, fondi i rezervës së shtetit për emergjencat civile raportohet të jetë vetëm 10 milionë dollarë, duke e bërë praktikisht të pamundur një kompensim të plotë. Megjithatë, kërcënimi më i madh mbetet ai afatgjatë.

Në zona si Lezha dhe Lushnjë, futja e ujit të detit ka shkaktuar një rritje drastike të nivelit të kripëzimit të tokës, deri në tre herë mbi normën. Ky fenomen, shton ndër të tjera zyrtari i PD, nuk dëmton vetëm një sezon, por degradon cilësinë e tokës për një periudhë që mund të zgjasë deri në 10 vjet. Rikthimi i tokës në gjendje prodhuese kërkon procese komplekse dhe të kushtueshme shpëlarjeje, të cilat janë të parealizueshme për fermerët në kushtet aktuale.

Në qoftë se do ia fillojmë nga fatkeqësia e madhe që patën fermerët nga përmbytjet, janë rreth 13,000 hektarë tokë, sipas të dhënave zyrtare, të cilat janë përmbytur gjatë reshjeve të fundit. Po. Ka autorë të ndryshëm që kanë nxjerrë edhe një lloj shifre, e cila mund të jetë rreth 300 milionë euro, shifra e dëmeve që janë shkaktuar në bagëti, në sera, në të mbjella, në stalla e kështu me radhë. Pra, është një shumë që duhet kompensuar rreth 300 milionë euro. Deri tani, edhe sipas kontakteve që kam pasur unë me fermerët, kanë shkuar vetëm ca grupe të konstatimit, nuk kanë bërë një procesverbal të rregullt dhe nuk kanë nxjerrë një kosto se sa ka qenë dëmtimi. Kryesisht, kanë bërë më shumë numërimin e tyre dhe një si të thuash parashikim të përafërt, por jo diçka konkrete, jo një procesverbal, jo një dokument zyrtar i cili identifikon se janë kryer, si të thuash një inventar i plotë i dëmeve të shkaktuara. 

Pra, deri tani kemi vetëm ca vizita kortezie, në qoftë se mund t'i quajmë të tilla, të ca njerëzve. Por nuk ka gjë konkrete, nuk ka një kosto të nxjerrë, nuk ka një ndarje të dëmeve të shkaktuara për të mbjellat, për serat, për kafshët, dhe si të thuash, jemi vetëm në kuadrin e propagandës. Nga ana tjetër, nga fondi i rezervës i gjendjes të emergjencave civile janë vetëm 10 milionë dollarë. Pra, dëmi është 150 deri në 300 milionë dollarë, ndërsa rezervat e shtetit shqiptar për kushte të jashtëzakonshme janë vetëm 10 milionë dollarë.  Në këto 13,000 hektarë tokë, por janë edhe akoma më shumë, po duhet të themi se janë edhe në zonat më pjellore të Shqipërisë, siç është Shkodra, Lezha, Lushnja dhe Fieri.

Po dëmi është pothuajse 100%. Pra, i gjithë cikli i prodhimit të vjeshtës është shkatërruar. Sepse kemi, shohim pseudo-specialistë që thonë uji qëndroi tre ditë, pesë ditë. Jo, dëmi nuk është i plotë. Pra, ajo sipërfaqe që përmbytet, që rri më shumë se tre ditë, përgjithësisht dëmi është i pariparueshëm. Po sidomos serat, perimet, është dëmi shkon rreth 100% të gjithë të gjithë produktit të pritshëm. Ky është momenti i parë. Momenti i dytë është që po ndodh një fenomen tjetër, që është fenomeni i i ardhjes së ujit nga deti, ose nga laguna. Ka ndodhur së fundmi në Lushnjë, ka ndodhur në Lezhë, në zonën e Rrilës dhe Talës dhe ky është një dëm më afatgjatë. Sepse futja e ujit të kripur dhe përmbytja e tokave bujqësore rrit në nivele shumë të mëdha, me dy deri në tre herë nivelin e kripëzimit të tokës. Dhe në këtë rast nuk kemi më vetëm përmbytje apo dëme të një sezoni, por kemi si të thuash dëmtime të cilësisë së tokës për një kohë të gjatë, që shkon deri në 10 vjet. Dhe duhet që të merren masa nëpërmjet shpëlarjes së tokës me ujëra të bollshme gjatë periudhës së verës, gjë e cila nuk ekziston, se s'kanë fermerët ujë për vaditje, dhe që të bëhet e rimbjellë apo që të arrihet prodhimi maksimal pas pesë deri në 10 vitesh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco