Shqipëria po përjeton një “emergjencë sociale” si pasojë e emigracionit masiv, një fenomen që sipas ekspertëve po kërcënon themelet ekonomike dhe shoqërore të vendit.
Në një lidhje për emisionin “KAFE SHQETO” në SYRI TV, Prof. Arjan Gjonça, profesor i Demografisë në London School of Economics, theksoi se largimi i rreth 40–45% të popullsisë që nga vitet ’90 ka krijuar një krizë të shumëfishtë me pasoja afatgjata.
Sipas tij, ndryshe nga emigracioni i fillimviteve ’90 që ishte kryesisht politik, emigracioni aktual është kryesisht ekonomik. “Migracioni kryesor në botë sot është për arsye ekonomike dhe ky është edhe rasti i Shqipërisë,” u shpreh Gjonça.
Ai shpjegoi se fenomeni udhëhiqet nga faktorët “shtytës” (vështirësitë ekonomike në vend) dhe “tërheqës” (mundësitë më të mira jashtë). Vitet e fundit, sipas tij, janë shtuar ndjeshëm faktorët tërheqës, sidomos për profesionistët që po largohen me kontrata të rregullta pune drejt vendeve si Italia dhe Gjermania.
Gjonça theksoi se emigracioni përbën një problem të thellë social-ekonomik për disa arsye kryesore. Së pari, largimi i fuqisë punëtore krijon mungesa serioze në tregun e punës dhe ul bazën e taksapaguesve, duke vështirësuar financimin e shërbimeve publike, përfshirë pensionet. Shqipëria funksionon me skemën “pay as you go”, ku punonjësit aktualë financojnë pensionet e të moshuarve. Me tkurrjen e numrit të të punësuarve dhe rritjen e numrit të pensionistëve, skema vihet nën presion të madh.
Së dyti, vendi po përballet me plakje të përshpejtuar të popullsisë. Ulja e lindjeve dhe rritja e jetëgjatësisë kanë shtuar peshën e moshës së tretë në strukturën demografike. Kjo rrit kostot për kujdes shëndetësor, sidomos për sëmundjet kronike, dhe kërkon investime më të mëdha në sistemin spitalor.
Një tjetër dimension i krizës është ai social. Në një shoqëri tradicionale si Shqipëria, kujdesi për të moshuarit zakonisht sigurohet nga familja. Por me emigrimin masiv të fëmijëve dhe mungesën e një tradite të zhvilluar të shtëpive të kujdesit, shumë të moshuar mbeten pa mbështetje. “Nuk kemi kush do të kujdeset për moshën e tretë,” paralajmëroi Gjonça, duke shtuar se kjo do të përkthehet në kosto të reja për shtetin.
Sipas tij, nëse do të llogariteshin edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit që nga viti 1990, popullsia do të ishte rreth 4.8 milionë, ndërsa aktualisht brenda territorit jetojnë rreth 2.4 milionë banorë. Kjo përgjysmim i popullsisë, sipas profesorit, kërkon trajtim urgjent dhe politika të qarta për frenimin e largimit dhe adresimin e pasojave afatgjata.
Pjesa nga intervista e Prof. Arjan Gjonça:
Në radhë të parë, fajin e ka edhe media si pushteti i tretë, sepse ju merreni më shumë me politikë sesa merreni me çështjet sociale dhe ekonomike që po e shkatërrojnë atë vend. Emigracioni kryesor vjen për arsye ekonomike.
Në 1990-ën ikën për arsye politike. Tani thjesht mbi baza ekonomike. Janë ato faktorët që ne i quajmë pull and push, domethënë faktorët tërheqës dhe faktorët shtytës. Deri, unë them, përpara pesë vjetëve ndoshta kanë qenë vetëm faktorët shtytës. Ka dhe faktorë shtytës, ka dhe faktorë tërheqës. Se largimi i profesionistëve është kryesisht tërheqës, sepse është i destinuar si në vende si Italia dhe dhe, Gjermania ku janë kryesisht, vende që kërkojnë specialistët e një fushe të caktuar, madje dhe me kontrata të lehtësuara. Një nga gjërat që ka ndryshuar në emigracionin tonë është që tani largohen njerëzit më shumë në mënyrë legale sesa ilegale. Një pjesë e madhe e tyre i kanë kontratat gati.
Të vijmë tek pyetja juaj , është shumë e rëndësishme. Unë kam rreth 15-20 vjet që e them që emigracioni është një çështje e emergjencës sociale. Domethënë, për arsye sepse nuk ka rënë deri nga 2022-23-shi. Ka qenë në shifra të mëdhaja siç e thatë ju, ka qenë 'një Pogradec', rreth 40 e ca mijë veta në vit. Edhe kjo është neto. Pra, me të kthyer dhe me të larguar. Domethënë që mund të ketë më shumë që janë larguar, por ka dhe një pjesë që janë të kthyer. A është problem social-ekonomik? Është problem social-ekonomik i fuqishëm.
Është problem ekonomik për për dy arsye.
E para sepse për arsye se largohet fuqia punëtore, ke një treg pune që ka mungesa të theksuara. Pra, nuk ka, si të thuash, ofertë të lartë në tregun e punës, për arsye se të janë larguar njerëzit. Dhe kjo influencon shumë sistemin sepse janë këta njerëz që punojnë, të cilët krijojnë taksat në të cilët mbështetet shoqëria jonë. Me fjalë në të cilat dhe paguhen rrogat, paguhen pensionet e të tjera. Pra, ka një problem shumë të madh, problemi i varësisë, është problemi që këta njerëzit që janë në moshën e tretë, kush i mban, apo fëmijët.
Kjo është edhe plagë shoqërore, është plagë sociale.
Edhe, problemi është që, është plagë shoqërore për arsye sepse po ulen lindjet, po ulen se këta të lindurit e sotëm bëjnë fuqia punëtore mbas 18 vjetësh. Po të shohësh dhe fuqia punëtore, pra të është rritur në mënyrë relative, të është rritur numri i moshës së tretë. Dhe duke u rritur numri i moshës së tretë, pra numri i pensionistëve, në qoftë se do ta quajmë kështu, me gjithëse ata punojnë informale...
Ajo është një nga ato. Me një fjalë, ke tre fenomene. Ke, si do t'i paguajë vendi, ky shtet, numrin, pensionet e të ardhurave dhe ky është një fenomen që ka rreth pesë vjet që po përpiqet, po diskutohet e të tjera, sepse ti i bie pastaj që t'ia heqësh paratë, anëve të tjera sociale, t'ia heqësh shëndetit, t'ia heqësh arsimit e këto, që t'i kalosh te skema e pensioneve. Dhe e dyta, është që duke u plakur popullsia, ti ke një rritje të asaj që quhet kujdeset shëndetësore, sepse me moshën e tretë, ti të shtohen dhe sëmundjet kronike.
Kemi me një fjalë një problem në investimin terciar, pra në spitalet, në investimin e sistemit të tretë, se atje do kurohen këta, mosha e tretë. Dhe ajo që është më kryesorja, që përmendët ju me atë rastin që treguat, është që ne jemi një shoqëri tradicionale, siç është pjesa më e madhe e botës.
Në shoqëri tradicionale, kujdesi i moshës së tretë shkon në familje, pra është vertikal. Në momentin që një prind nuk ka as fëmijët, sepse i kanë emigruar të gjithë, dhe këta nuk kanë motra e vëllezër të mbetur në Shqipëri, sepse kanë mbetur vetëm pleqtë, pra ajo gjysma e popullsisë e 1990-ës këtë nënkupton, pra, në Shqipëri ka aq shqiptarë sa ç'kanë edhe emigruar nga 1990-a dhe jetojnë jashtë shtetit.
Pra duhet të ishim 4.8 milionë, jemi rreth 2.4 milionë. Pra, nuk ka kush do kujdeset për moshën e tretë. Ne nuk e kemi traditë, siç nuk e kanë shumë vende të botës, që nga Kina e Koreja e Japonia, nga Azia e deri tek italianët e Jugut, që t'i dërgojnë prindërit në shtëpitë e kujdesit. Nuk e kemi, e kemi me përqindje shumë të vogël. Shumë ndryshe bota anglo-saksone, perëndimi, sepse ata e kanë mbështetur kujdesin historikisht...
Dhe duke mos u kujdesur, duke mos pasur njerëz që të kujdeset për këta, atëherë përsëri shoqëria, ose shteti ose qeveria, është një kosto e madhe, sepse i bie që të mos mbahet nëpërmjet familjes.
Për mua, problemet kryesore që janë, është skema e pensionit, por pensionet, me një fjalë, siç do të vazhdojnë të paguhen se bëhet fjalë për një shumë shumë të madhe. Dhe e dyta, se pavarësisht skemën që të kesh, ato paratë, se ne jemi akoma pay as you go, domethënë ata që janë në moshën e punës paguajnë për pensionet e moshës së tretë. Dhe ajo që është e rëndësishme për mua, është që nuk ke njerëz që do kujdesen për këtë moshë.
© SYRI.net