Tensionet kanë dominuar mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku debati u përqendrua në çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe tërhoqi vëmendjen nga axhenda fillestare, që përfshinte shqyrtimin e propozimit të Partisë Socialiste për komisionin e reformës territoriale. Mazhoranca është tërhequr nga nisma e saj, ndërsa opozita ka lëshuar akuza të rënda, duke pretenduar se Kuvendi po pengon drejtësinë në rastin Balluku.
Në një dalje për mediat pas mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaroi se çështja më urgjente duhet të ishte mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve për t'i dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë çështjes së zv/kryeministres. Sipas tij, parlamenti po kthehet në "një barrikadë për të penguar drejtësinë" nga arrestimi i Ballukut. "Është e papranueshme që një parlament i cili miraton ligje për të dënuar me burg shqiptarët për parkimin dysh, refuzon dhe bëhet bllok për të penguar arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku," u shpreh Blushi.
Lidhur me komisionin e reformës territoriale, Blushi konfirmoi se mazhoranca socialiste është tërhequr nga nisma e saj për të ndryshuar formulën e komisionit. Ai theksoi se dështimi i reformës së kaluar ishte "thjesht dhe vetëm produkt i Partisë Socialiste" e cila e miratoi në mënyrë të njëanshme. Blushi shtoi se opozita nuk do të përsërisë gabimin e së shkuarës, duke e përjashtuar bojkotin si opsion. "Bojkoti i Kuvendit dhe djegia e mandateve është një krim që nuk duhet të përsëritet më," tha ai.
Përfaqësuesi i Partisë së Lirisë informoi gjithashtu se grupi i tyre parlamentar ka depozituar tre interpelanca. Njëra prej tyre është me Ministrin e Drejtësisë lidhur me trajtimin e Ilir Metës, ku Blushi foli për "hetim politik" dhe "rrëmbim mafioz", duke pretenduar se rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk po zbatohen. Interpelancat e tjera kërkojnë llogari nga Ministri i Bujqësisë për bllokimin e fondeve IPARD dhe nga Ministrja e Arsimit për sigurinë në shkolla, kjo e fundit e kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho.
Tedi Blushi: Me çështjen e Komisionit të Reformës Territoriale. Ka një tërheqje nga nisma e Partisë Socialiste për të kaluar me urgjencë projektvendimin e saj. Qëndrimi i opozitës ishte i qartë. Bojkoti nuk është opsion. Dhe në këtë rast nuk ka asnjë arsye dhe nuk kishte asnjë arsye reale të qenësishme pse Partia Socialiste duhet të miratonte këtë projektvendim. Madje, e vetmja arsye urgjente që kjo mbledhje sot duhet të kishte dalë me një vendimmarrje, duhet të ishte në fakt se kur do të mblidhet Këshilli i Imuniteteve për të dhënë zgjidhje njëherë e përgjithmonë një çështje e cila sot është kryefjalë dhe duhet të jetë kryefjala dhe e kam, i referohem çështjes së zonjës Balluku. Ky ishte edhe një nga qëndrimet që unë edhe në emër të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë shpreha në këtë mbledhje.
Është e papranueshme që një parlament i cili miraton ligje për të dënuar me burg shqiptarët për parkimin dysh, refuzon, bëhet bllok, një barrikadë për të penguar drejtësinë, për të marrë, për të arrestuar më saktë, zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Ndërsa sa i përket çështjes së reformës territoriale, sigurisht kemi tërheqje nga ana e mazhorancës, sepse në fakt dështimi i reformës territoriale është thjesht e vetëm produkt i Partisë Socialiste e cila po në mënyrë të njëanshme e miratoi këtë reformë, produkti i së cilës tanimë dihet. Ndaj do të ishte udhës që të dëgjohej edhe qëndrimi i opozitës në këtë komision. E theksoj qartësisht, opozita në bllok e përjashtoi bojkotin si opsion, referuar faktit që një gabim, një krim shumë i rëndë, ai i bojkotit të Kuvendit, ai i djegies së mandateve, nuk duhet të përsëritet më dhe opozita nuk ka më luksin të përsërisë të njëjtat gabime që pasojat e të cilës sot i ndjejnë të gjithë shqiptarët. Gjithashtu theksova domosdoshmërinë që Kuvendi të ushtrojë ashtu siç duhet funksionin e tij kontrollues ndaj institucioneve dhe një nga këto mjete është interpelanca. Ne si grup parlamentar i Partisë së Lirisë kemi depozituar tre interpelanca, me Ministrin e Drejtësisë, lidhur me faktin që nëntë rekomandimet e Avokatit të Popullit për trajtimin çnjerëzor të zotit Meta në paraburgim ende nuk po zbatohen.
Kanë kaluar të paktën dy muaj dhe nuk ka asnjë reflektim nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, çka vërteton edhe njëherë që jo vetëm hetimi politik, por edhe rrëmbimi mafioz, ashtu si dhe kushtet kriminale në të cilat zoti Meta po mbahet sot në izolim ekstrem, janë thjesht dhe vetëm produkt i vullnetit politik të Edi Ramës. Dhe gjithashtu kërkova që një orë më parë ministri i Bujqësisë të vijë në interpelancën e kërkuar nga unë në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë së Lirisë për të dhënë sqarime se çfarë masash ka marrë qeveria, se çfarë hetimi administrativ ka realizuar sa i përket bllokimit të fondeve të IPARD-it. Mos harrojmë, kemi hyrë në vitin e tretë dhe fermerët shqiptarë ende do të penalizohen për të përfituar ndihmat e Bashkimit Europian. Dhe çështja tjetër, shumë gjithashtu e rëndësishme, lidhet me interpelancën e kërkuar nga deputetja e grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, zonja Xhixho, me ministren e Arsimit sa i përket sigurisë në shkolla, kërkesa të cilat pas insistimit tim u pranuan dhe shpresoj që të reflektohen në seancat e afërta.
© SYRI.net