‘Më shumë presion dhe kontroll shtetëror’, Zhupa: PS ‘preu në besë’ gazetarët imponoi versionin e saj të Kodit Penal

09:15, 29/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ndryshimet e reja ligjore për mediat dhe shpifjen, të miratuara nga mazhoranca socialiste, rrezikojnë të instalojnë një mekanizëm kontrolli shtetëror mbi gazetarët dhe të minojnë pavarësinë e medias. Ky është thelbi i kritikave të ashpra, sipas të cilave mazhoranca ka hedhur poshtë një proces njëvjeçar konsultimi me të gjithë aktorët, të financuar nga Bashkimi Europian, për të kaluar një draft që i shërben vetëm interesave të saj.

Sipas deputetes së PD Ina Zhupa që ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, procesi i vërtetë përfshiu një dialog intensiv me mbi 95% të aktorëve mediatikë, shoqatave dhe institucioneve, nga i cili doli një draft i dakordësuar. Ai draft parashikonte vetërregullim për komunitetin e gazetarëve dhe jo regjistrim shtetëror, si dhe fokusohej te siguria e gazetarëve, aksesi në informacion dhe transparenca e pronësisë. Ky proces u braktis nga Partia Socialiste, e cila "preu në besë" të gjithë palët e interesit për të imponuar versionin e saj.

Elementi më shqetësues i ligjit të ri konsiderohet krijimi i një regjistri shtetëror për gazetarët. Ky mekanizëm tha Zhupa gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri,  shihet jo si një mjet organizimi, por si një formë kontrolli që krijon një listë me "të zgjedhurit e mazhorancës". Sipas kësaj qasjeje, shteti nuk mund të jetë ai që përcakton se kush është gazetar dhe kush jo, pasi kjo praktikë u përket shteteve autokratike dhe ndan gazetarët në "çunat e nënës dhe çunat e njerkës", duke e bërë gazetarinë e pavarur dhe investigative thuajse të pamundur.

Për sa i përket dekriminalizimit të shpifjes, pretendohet se ligji nuk sjell asnjë ndryshim real. Edhe pse paraqitet si një lehtësim, ai nuk e depenalizon plotësisht shpifjen dhe nuk i mbron gazetarët nga paditë strategjike (SLAPP), të cilat përdoren për t'i frikësuar dhe për t'u mbyllur gojën përmes proceseve gjyqësore të stërzgjatura. Propozimi është që shpifja të trajtohet si një çështje civile dhe administrative, jo si një vepër penale e dënueshme me burg, sidomos kur bëhet fjalë për shkrime në interes të publikut.

Në vend që të lehtësojë punën e gazetarëve, ligji shton presionin, duke i detyruar ata t'i nënshtrohen një "pakti" me qeverinë për t'u njohur zyrtarisht. Të gjitha organizatat vendase dhe ndërkombëtare të medias e kanë kundërshtuar këtë ligj. Tashmë, shpresa mbetet te Presidenti i Republikës, të cilit i bëhet thirrje ta kthejë ligjin në Kuvend për një rishikim të thellë, që do të çonte në një depenalizim të plotë dhe të vërtetë të shpifjes në shërbim të interesit publik.

Flavio Qarri: Mos duhet të kishit bërë një betejë më të ashpër?

Ina Zhupa: Fillimisht duhet të kuptojmë që është investuar në një proces përpara se të shkonte në ndryshimet në seancën plenare dhe në komision. Një vit është investuar dhe është financuar nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, dialogu për media, ku kanë marrë pjesë, mund të them pa asnjë dyshim, mbi 95% e aktorëve të fortë mediatik, shoqatave, organizatave, institucioneve publike, të Kuvendit të Shqipërisë, për të ardhur në një draft të dakordësuar, i cili nuk kishte vetëm këtë element që diskutojmë ne sot, por kishte disa shtylla, katër shtylla po aq të rëndësishme të dialogut, që bëhej fjalë për sigurinë e gazetarëve, për aksesin e tyre në informacion, për transparencën e pronësisë dhe për vetërregullimin, pra të gazetarëve dhe jo elementët e regjistrimit të tyre. Ajo që bëri Partia Socialiste, është ajo që di të bëjë më mirë. I preu në besë, hodhi poshtë të gjithë procesin e bërë, edhe si investim i Bashkimit Europian dhe kaloi një draft i cili i shërben vetëm interesave okulte të mazhorancës. Pse? Sepse regjistri në fakt nuk do të thotë asgjë më shumë sesa lista e gazetarëve që janë në borderonë e qeverisë. Po e them, në borderonë e qeverisë, jo sepse detyrimisht të gjithë do të marrin para nga qeveria, por favore, para, shkelje syri. Pra ata të zgjedhurit e mazhorancës për të qenë me statusin gazetar. Që këtu fillon ndarja në ca të nënës dhe ca të njerkës, sepse nuk mund të jetë shteti që përcakton profesionin e gazetarit, kush e ushtron atë dhe kush duhet të jetë i regjistruar dhe kush nuk duhet të jetë i regjistruar. Kjo është një praktikë shumë e rrezikshme dhe një praktikë që u shkon shteteve autokratike.

Nga ana tjetër, përkundrejt rekomandimeve dhe diskutimeve që u bë në proces për një dekriminalizim, dhe e theksoj, depenalizim të plotë, sepse nuk është liçensë për të gënjyer, nuk është liçensë për të shpifur. Kjo është një mbrojtje që i jepet qytetarit, do duhet t'i jepet qytetarit, kujtdo, gazetarit, që shpifja të trajtohet si një padi civile, pra si një problem administrativ dhe jo penal, sepse këtu nuk mund të trajtosh një gazetar me një shkrim me frikën e burgut, me penalitetin e burgut, ndërkohë që nuk ka bërë asnjë krim në ndjekjen e interesit publik.

Pastaj janë munduar që duke bërë këtë veshjen, medemek procesit të dekriminalizimit, të bëjnë dy procese. E para, mos i ngushtojnë asgjë ngjarjeve që ishin, dhe shembulli që mori Fisari me padinë e vet është shembull tipikisht i saktë. Sot janë 77 gazetarë të cilët i kanë paditë dhe në Komisionin Europian dhe Bashkimin Europian diskutohet për ato që quhen paditë SLAPP, pra paditë që përdoren për t'ju mbyllur gojën gazetarëve dhe duke u shtyrë, ja siç po shtyhet me vite procesi i Fisarit, deri për t'i mbajtur nën kontroll. Dhe kjo nuk e zgjidh, pra çfarë bëri ligji? Asgjë. Pra s'po zgjidh problem. Dhe nga ana tjetër, i ngushton më shumë hapësirën, sepse i çon gazetarët drejt një regjistrimi shtetëror, drejt një pakti, në qoftë se mund ta them në thonjëza, për t'u njohur dhe për t'u konvaliduar nga qeveria për atë që janë, që kjo e bën edhe më të kapur dhe më të pamundur gazetarinë e pavarur, gazetarinë investigative, gazetarinë e cila ka për synim të mbrojë interesin publik. Dhe në këtë vend, kryeministri del dhe thotë që është shpifje që nuk ekziston inceneratori i Tiranës, nuk e thotë para 10 vjetësh, e thotë para një jave dhe akuzon gazetaren Klodiana Lala. Për të kuptuar që ky koncept i shpifjes sipas qeverisë është një koncept shumë evaziv, ndërkohë që edhe kur nuk ekzistonte e dinte gjithë Shqipëria që ke fushë me baltë. Pra krijohet si mjet presioni më shumë sesa si një lehtësim për gazetarët. Dhe këto janë të gjitha arsyet pse ne e kundërshtojmë. Dhe uroj që fakti që çdo organizatë e medias, çdo organizatë e brendshme, që nga Safe Journalists, tek asociacioni i gazetarëve, dhe të gjithë organizatat ndërkombëtare e kanë kundërshtuar, uroj që ta çojnë drejt presidentit të Republikës dhe të kemi një qasje për ta rikthyer Kodin Penal, presidenti i Republikës në Kuvend, në mënyrë që të bëhet një dekriminalizim i plotë i shpifjes, në shërbim të gazetarëve, në shërbim të interesit publik, por edhe në shërbim të qytetarëve sepse me të drejtë e kanë asociuar si një ligj që është për shkak të detyrës, pra sikur të shpif vetëm se je gazetar, ndërkohë që mund të jenë dhe rrethanat të caktuara të mospasjes së informacionit të plotë, për të cilët ti mund të shkohet drejt një informacioni të pasaktë të dhënë në publik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco