Në shkrimin e bujshëm që e famshmja New York Times ka botuar dje mbi korrupsionin e AKSH-it si ideatore e Diellës, ministrja artificiale e Edi Ramës, bien në sy deklaratat e një të intervistuari nga e përditshmja amerikane, Andi Hoxhaj. Ky politolog shqiptar që jeton në Britani të Madhe, dhe që ka si mision përveç mësimdhënies, afrimin e qeverisë shqiptare me atë britanike, haptazi i del në mbrojtje Kryeministrit shqiptar. Përpjekja e tij duket edhe më qesharake kur New York Times argumenton se është agjencia qeveritare shqiptare me origjinë të programimit të Diellës për korrupsion.
‘Dr. Andi Hoxhaj sqaron’, shkruan New York Times në lidhje me korrupsionin e agjencisë zhvilluese të Diellës, se nëse ka vërtetë korrupsion këtë gjë “vetëm koha do ta tregojë”. Më tej New York Times shkruan se “Andi Hoxhaj insiston se qeveria e Ramës nuk ka influencë në procesin hetimor ndaj agjencisë që menaxhon Diellën (AKSHI).”
“E kuptoj se keni dyshime në këtë pikë”, thotë Andi Hoxhaj . ‘Ka shumë tym. Por fakti që gjëra të dyshimta janë zbuluar të cilat qeveria shqiptare nuk është përpjekur t’i fshehë, kjo thjesht tregon se pranohet që ka korrupsion dhe se ai duhet parandaluar në të ardhmen”, shkruan New York Times.
Me një ironi therëse ndaj këtyre deklaratave të Andi Hoxhajt, New York Time vë në dukje se ai ashtu si Edi Rama flasin njësoj:
“Kështu i sheh gjërat edhe zoti Rama : vendi ynë po përpiqet të luftojë korrupsionin, pavarësisht mangësitë, problemet dhe dëmet, tha Rama. Pra, kjo është gjë e mirë”.
Duhet theksuar se në një intervistë dhënë para dy muajsh Euronews-it, Andi Hoxhaj shfaqej si një nga mbrojtësit me të flaktë të Diellës me këto deklarata:
“Diella është testuar me sukses nga një numër organesh ndërkombëtare për ta bërë prokurimin sa më transparent dhe për të evituar çdo parregullsi që mund të çojë në korrupsion”. “Kjo, sipas këtij eksperti i Ballkanit në King’s College London, ka të bëjë edhe me dërgimin e një mesazhi të qartë: Qeveria shqiptare po e merr shumë seriozisht korrupsionin dhe po provon diçka të re. Nëse metodat e vjetra nuk po funksionojnë, është koha për metoda të reja dhe këtë po dëshmon Diella.”
Me këtë deklaratë publike, kuptohet kërshëria e gazetarëve të New York Times sesi do mbrohej Andi Hoxhaj , ky “avokat” i qeverisë shqiptare, tani që promotorët e Diellës janë kapur me presh në dorë. Me sa duket profesori shqiptar në Londër e paska ende shumë të vështirë ta besoje një gjë të tillë...
© SYRI.net