'Hajduti mbrohet', Himçi shpërthen ndaj Policisë dhe Ramës: Ushtruan dhunë ndaj të miturve dhe deputetëve

09:03, 26/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protesta e fundit e opozitës u përball me dhunë, arrestime të paligjshme dhe një polici të politizuar në duart e Ramës, theksoi deputeti i PD-së.

I ftuar në emisionin Kafe Shqeto, deputeti i PD-së Blendi Himçi u shpreh se protesta e fundit e opozitës u përball me një dhunë të paprecedentë dhe të qëllimshme nga Policia e Shtetit, e cila sipas tij veproi si një instrument politik në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Himçi denoncoi përdorimin masiv dhe pa ndërprerje të gazit lotsjellës edhe pasi turma ishte shpërndarë, arrestime arbitrare të protestuesve paqësorë mbi bazën e raporteve shërbimi false, si dhe intimidimin e hapur të qytetarëve dhe deputetëve.

Ai akuzoi drejtuesit e Policisë, veçanërisht shefin e Komisariatit nr. 1, për lidhje me bandat kriminale, duke e cilësuar sjelljen e tij si banditeske dhe Policinë e Shtetit si “shkopin e Edi Ramës”. Sipas deputetit demokrat, Shqipëria sot funksionon me dy standarde: protestuesi arrestohet, ndërsa zyrtarët e akuzuar për korrupsion mbrohen dhe privilegjohen nga pushteti.

Pjesë nga deklarata:

Nuk ka nevojë për shumë koment, por policia, ndaj sulmit që u pretendua se iu bë godinës, ka qenë në një disproporcion total, pasi turma ishte shpërndarë në momentin kur ka filluar hedhja e gazit. Dhe turma ishte duke u larguar.

Unë vetë, personalisht, kam qenë përballë Kryeministrisë dhe nuk pushonin edhe pasi turma u largua; domethënë, vazhdonin të hidhnin pafund, gjatë gjithë kohës, nga ana e kryesisë së Kuvendit. Hidheshin këto bombulat me gaz lotsjellës. Dhe, siç e shpjegoi edhe specialisti, në mënyrë të padiskutueshme… Më falni, sepse vazhdoj të kem probleme me efektet e gazit, pasi kam dy ditë që kolla nuk më ndalon për asnjë sekondë.

Sigurisht, pasojat që i hulumtuam dje janë shumë të rrezikshme, por ajo që konstatoj është se dhuna e policisë, qoftë ndaj të miturve, qoftë edhe ndaj deputetëve, siç e patë vetë edhe në komisariatin numër një, është e paprecedentë. Dhe kjo gjë bëhet e qëllimshme nga Rama, i cili Policinë e Shtetit e ka kthyer në formën e një shkopi, pra në një polici politike, do të thoja.

Kur dhuna ushtrohet ndaj deputetit, është një lloj mesazhi intimidimi ndaj protestuesit, për të siguruar pikërisht mosvazhdimësinë e protestave. Sigurisht, protestat nuk mund të ndalen përpara këtij korrupsioni kaq të madh që ka kapluar vendin. Dhe nuk mund të thuhet sot, apo në deklaratat e Edi Ramës, që mund të ketë protesta të dhunshme të ekologjistëve apo të një shoqate të caktuar, por nuk mund të ketë dhunë të partive politike. Kjo është një lloj paradoksi i jashtëzakonshëm.

Ky njeri ka përdorur dhunë në mënyrë të pashembullt në kohën kur protestonte, kur ishte në opozitë, por nuk ka përdorur njeri tjetër. Dhe tani që i ka ndërruar pozicionet, sigurisht që sjell në qasjen e tij një qëndrim krejt tjetër.

Por ajo që doja të thoja është se jemi përpara një fakti shumë të rëndësishëm. Arrestohen protestues të cilët nuk kanë kryer asnjë lloj veprimi. Sidomos, kam pasur tre apo katër persona pranë meje që nuk kanë kryer asnjë veprim. Vetëm me raporte shërbimi fake, pra raporte shërbimi për të cilat ata policë që kanë firmosur do të mbajnë përgjegjësi penale, në mënyrë të padiskutueshme, dhe ne do ta ndjekim çdo lloj hapi procedural.

Arrestohet një protestues që s’kryen asgjë dhe Belinda Balluku, që vjedh 50 milionë euro me një firmë, nuk i dorëzohet drejtësisë, nuk arrestohet; përkundrazi, privilegjohet dhe mbrohet nga Edi Rama. Dhe këto janë dy standarde të një shteti bandit, do të thoja, që hajdutin dhe banditin, apo zëvendëskryeministren e Shqipërisë, e mbron, ndërsa protestuesin e thjeshtë, që mbron të drejtat e tij dhe të cilit paratë i vidhen çdo ditë, e arreston në mënyrë flagrante.

Sigurisht, kanë tentuar të hyjnë në formë civilësh, apo edhe policë me uniformë, për të shoqëruar akoma më tepër protestues, të cilët kanë protestuar në mënyrë krejt paqësore dhe të qetë. Nuk mundet, domethënë, të hysh në një institucion, qoftë pa mandat, do të thoja, dhe në mënyrë krejt flagrante, për arsye që vetëm Policia e Shtetit i di.

Sjellja e Policisë së Shtetit gjatë gjithë kohës, që nga fillimi dhe deri në fund, ka qenë skandaloze. Po ju referoj vetëm aspektin e sjelljes së shefit të komisariatit numër një: një sjellje banditi. Na ka lënë ne, si deputetë që kemi të drejtën e informimit, mbi dy orë, duke pretenduar se “nuk kam kohë, jam në mbledhje”. Më pas, duke pretenduar në mënyrë provokative që të vinin vetëm dy deputetë në formë përfaqësie, ndërkohë që ne ishim pesë deputetë dhe më pas na u bashkuan edhe tre të tjerë.

Forma të tilla që, pa diskutim, e agravonin qëndrimin e tij. Dhe një shef komisariati i vendosur nga bandat e Durrësit, një shef komisariati që drekon me banditët ditën e zgjedhjeve në Vorë dhe tashmë është graduar shef i komisariatit numër një në Tiranë, pasi dihet fare mirë që të gjitha protestat ndodhin në territorin që mbulon komisariati numër një. Është shkopi i Edi Ramës, por edhe i drejtorit të përgjithshëm të Policisë, i cili, siç e kemi konstatuar dhe denoncuar, edhe ky person është i vendosur nga Ergys Agasi dhe nga bandat dhe është përfaqësues i mirëfilltë i bandave drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco