Situata pas protestës së opozitës mbetet e tensionuar, teksa dhjetëra protestues janë shoqëruar në komisariate të ndryshme të kryeqytetit.
Përfaqësues të opozitës kanë lëshuar akuza të forta ndaj Policisë së Shtetit, duke e cilësuar ndërhyrjen e saj si një akt provokimi dhe dhune të paprecedentë kundër qytetarëve paqësorë. Sipas deputetit demokrat, Xhelal Mziu, i cili foli nga ambientet e jashtme të Komisariatit nr. 2 ku ndodheshin gjashtë persona të shoqëruar, policia përdori gaz lotsjellës dhe ujë kundër protestuesve në një mënyrë të paarsyeshme dhe të paprovokuar.
Ai e përshkroi veprimin si të motivuar politikisht, duke pretenduar se shteti nuk po e përdor forcën e tij për të luftuar krimin dhe korrupsionin, por për të shtypur zërin e qytetarëve që protestojnë kundër një "qeverie të inkriminuar". Akuzat shkojnë edhe më tej, duke theksuar se shoqërimet kanë qenë masive dhe se mes të ndaluarve ka edhe persona që nuk kishin asnjë lidhje me protestën.
Sipas Mziut, forcat e rendit kanë arrestuar edhe qytetarë që ndodheshin në ambiente private, si kafene, pranë selisë së Partisë Demokratike. Ky veprim konsiderohet si një përpjekje e qartë për të intimiduar dhe frikësuar qytetarët, me qëllim që ata të mos marrin pjesë në protestat e ardhshme.
Deputeti demokrat deklaroi se policia është tërësisht e politizuar dhe merr urdhra politikë për të vepruar kundër opozitës, në vend që të kryejë funksionin e saj kushtetues. Ai e etiketoi shtetin si një "narko-shtet", duke bërë thirrje për një pjesëmarrje edhe më masive në protestat e ardhshme, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar këtë "sistem". Sipas tij, veprimet e policisë do të kenë një efekt bumerang, duke shtuar numrin e qytetarëve në tubimet e radhës.
Sonte ishte një protestë e jashtëzakonshme me qytetarë. Së dyti, pati një provokim, po themi, nga policia dhe nga shteti, ku të gjithë qytetarët po protestonin në mënyrë, po themi, mjaft civile dhe u përdor gaz lotsjellës, u përdor ujë, u përdor ndaj çdo qytetari, një, një, një mënyrë e paprecedentë si asnjëherë tjetër. Dhe kjo tregon edhe një herë që nuk kemi të bëjmë me një shtet normal, por kemi të bëjmë me një shtet të korruptuar, ku gjithë arsenalin e saj nuk e vendos në funksion të krimit dhe të korrupsionit, por e vendos ndaj zërit të qytetarëve, të cilët po protestonin për një qeveri që është e inkriminuar si askush tjetër në botë. Së dyti, nuk mjaftoi vetëm me këtë reprezalje që përdori ndaj, ndaj qytetarëve të cilët protestonin, por filloi shoqërime masive të tyre.
Ne jemi këtu te Komisariati 2, ashtu siç e theksuat dhe ju, kemi gjashtë protestues të cilët në mënyrë të padrejtë janë shoqëruar. Madje, edhe personat që janë shoqëruar, është përdorur dhe dhunë gjatë arrestimit të tyre, si, si asnjëherë tjetër. Dhe ndërkohë kjo është një veprim, po themi, totalisht politik. Nuk kemi parë një qeveri që të përdorë policinë siç vepron, po themi, në protestat e opozitës. Në vend që policia dhe sistemi i drejtësisë të merret me korrupsionin dhe me krimin, merret me qytetarë të thjeshtë. Natyrisht, kjo është një veprim që nuk bëhet thjesht me vullnetin e policisë, por e politizuar tashmë kjo polici që merr urdhra politikë çdo ditë e më tepër, e bën për të intimiduar qytetarët për të mos dalë më në protestë. Po unë gjej rastin për t'ju ftuar gjithë qytetarët shqiptarë, kudo që janë, demokratë dhe jo demokratë, për të dalë, për të protestuar ndaj këtij narko-shteti, sepse vetëm protesta mund ta rrëzojë këtë sistem, sepse policia nuk merret me atë se çfarë ka funksion të saj, por është vendosur në funksion të mbrojtjes së kryeministrit dhe të qeverisë së inkriminuar si asnjëherë tjetër.
Absolutisht ka persona nga të shoqëruarit edhe në këtë komisariat, por dhe në komisariatet e tjera, ka të shoqëruar të cilët nuk kanë qenë pjesë e protestës. Madje në dyert, brenda dyerve apo rrethimit të Partisë Demokratike, kemi parë grupe të policisë të cilët janë futur brenda territorit duke arrestuar persona të cilët ishin dhe brenda kafesë. Pra, çfarë do të thotë që ka një angazhim maksimal të kësaj qeverie për të intimiduar dhe për të frikësuar qytetarët që të mos dalin në protestë, por absolutisht kjo do të kthehet në bumerang dhe do të ketë shumë herë më shumë qytetarë në protestën e radhës.
© SYRI.net