VIDEO/ Blushi në protestën kombëtare: Liria na thërret, vdekja nuk na tund!

18:15, 24/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputeti dhe njëherësh sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, duke folur në protestën kombëtare të opozitës, e ka cilësuar situatën në Shqipëri si një rrezik serioz për demokracinë, lirinë dhe shtetin e së drejtës.

Blushi theksoi se regjimet bien vetëm kur qytetarët vendosin të përballen pa kompromis me padrejtësinë, korrupsionin, dhunën dhe gënjeshtrën, duke nënvizuar se liria fitohet vetëm përmes guximit, kurajos dhe veprimit kolektiv. Ai akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për krijimin e një “narkoregjimi”, të mbështetur sipas tij nga struktura kriminale, patronazhistë dhe kapje të institucioneve shtetërore.

Blushi denoncoi ashpër sistemin e drejtësisë, duke pretenduar se është shndërruar në instrument politik në shërbim të qeverisë, dhe foli për ekzistencën e të burgosurve politikë, duke përmendur emra të figurave të opozitës.

Ai deklaroi se Shqipëria nuk mund të jetë një shtet i kapur nga krimi i organizuar, mafia dhe interesa ndërkombëtare, duke refuzuar çdo formë hakmarrjeje dhe duke theksuar se kërkesa kryesore e opozitës është liria, demokracia, shteti ligjor dhe drejtësia e barabartë.

Image

Fjala e sekretarit të Përgjithshëm të PL-së, Tedi Blushi:

Liria na thërret, vdekja nuk na tund. Mirëmbrëma motra dhe vëllezër. Të dashur qytetarë të lirë. Regjimet bien vetëm kur vendosim të paguajmë çdo çmim për lirinë. Kur e ndajmë mendjen të veprojmë dhe të mos pranojmë kurrën e kurrës, vjedhjen, dhunën dhe gënjeshtrën si normalitet. Liria fitohet vetëm me guxim, me kurajë dhe me përballje.

Guximin dhe zemërimin tuaj nuk ka forcë në botë që e ndal dhe jo më një regjim kalbësirë si ky i Rama Durrës. Bashkimi ynë sot po trondit në themel çdo mur që narkoregjimi ka ngritur përballë jush. Po trondit çdo narkopolic, çdo patronazhist, çdo strukturë kriminale që Edi Rama ka krijuar për t'u mbrojtur nga revolta dhe zemërimi juaj. Ky regjim i mbaruar nuk ka më asnjë shpresë t'i mbijetojë ortekut të popullit që ka vendosur të jetojë i lirë. Sot, vendimi ynë është i qartë dhe i padiskutueshëm.

Mirëqënie dhe jo varfëri. Dinjitet dhe jo skllavëri. Komb dhe jo shkombëtarizim. A vdekje, a liri. Ky është misioni ynë. Kjo është e vetmja rrugë për shpëtimin dhe për lirinë e Shqipërisë. Loti i çdo nëne që Edi Rama me axhendën antikombëtare të shpopullimit, ja dëboi djalin dhe vajzën në emigrim, është sot borxhi ynë. Sakrifica e përditshme e çdo prindi që lufton çdo ditë për bukën e gojës së familjes së tij, është sot detyrimi ynë.

Vuajtja e çdo të sëmuri me tumor në onkologjik, që lufton me jetën për mungesën e ilaçeve është thirrje për drejtësi. Poshtërimi i çdo pensionisti, prindi dhe gjyshit tonë që nuk shtyn dot muajin me pensionin mizerabël, na detyron sot të reagojmë fuqishëm të gjithë. Mundi dhe djersa e çdo fermeri që hedh produktet e veta në kanal dhe që sheh se si Edi Rama i vjedh edhe ndihmat e Bashkimit Europian, na detyron sot një reagim.

Prodhuesit Made in Albania, që nuk gjejnë treg për prodhimet e tyre, sepse importuesit klientelistë e kanë shkatërruar tregun, u detyrohemi sot një përgjigje për pyetjen e drejtë, edhe sa duhet t'i durojmë këta banditë? Të rinjtë që bëjnë dy-tre punë dhe nuk blejnë dot sot një shtëpi, por që shohin Belinda Ballukun me 300 apartamente, meritojnë një rrugëzgjidhje nga ne. Tirana, Vlora, por edhe të gjithë qytetet dhe fshatrat që ende thahen për ujë të pijshëm, ndërkohë që kreu i organizatës lag gurmazin me verë 33.000 euro shishja, i ka sot sytë nga ne.

Kurrë nuk mund të pranojmë që nevoja e Edi Ramës për të pirë drogë të helmojë nga droga të gjithë fëmijët e shqiptarëve. Ky regjim që ruan Edi Ramën dhe çetën e tij të kusarëve, me qindra bodyguardë, por që nuk ka një polic për të ruajtur sigurinë e fëmijëve tanë në shkolla që therren me thika dhe humbin jetën, nuk do ta lejojmë më asnjë minutë më shumë të qëndrojë në pushtet. Durrësi, Shkodra, Lezha, Gjirokastra dhe çdo zonë e përmbytur nga korrupsioni në javët e fundit, duhet ta dinë mirë se kjo darkë gjigande e këtij reagimi popullor do ta përmbytë njëherë e përgjithmonë këtë regjim kalbësirë.

Se nga flakët që Edi Rama ndezi për të djegur pasuritë e biznesmenëve të ndershëm te 5 Maji, për të ndërtuar kulla krimi dhe droge, do të përvëlohet vetë. Shqipëria jonë nuk mund të jetë kurrë më narkoshtet, as pronë e krimit të organizuar, as plaçkë e një grushti oligarkësh dhe as plaçkë e mafies ndërkombëtare.

Kurrë nuk do të lejojmë që Shqipëria të kthehet në një Sorosland dhe as të pranojmë që toka e shpiponjave të kthehet në fermë për internacionalen e Surrelasit. Ne nuk kërkojmë hakmarrje. Ne kërkojmë liri, kërkojmë demokraci, kërkojmë shtet ligjor dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Ky regjim që mbron interesat mafioze të pakicës, që i ka harruar, i ka braktisur dhe i dhunon çdo ditë qytetarët, nuk mund të përfaqësojë më Republikën e Shqipërisë.

Ne do t'ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve. Republika e Shqipërisë duhet t'i rikthehet sovranit dhe ligjit dhe kurrë nuk do të jetë më në duart e një kryebanditi dhe një grupi të strukturuar kriminal qeveritar që vjedh shtetin, vjedh taksat dhe ka grabitur të ardhmen tonë. Sakrificat dhe vuajtjet tuaja këto 13 vite kërkojnë shpagim. Por drejtësia e re u kthye në armën dhe patericën e Rama Duros për ta mbrojtur atë nga ndëshkimi ligjor për korrupsionin dhe krimet e tij, duke ndëshkuar ju, duke ndëshkuar qytetarët e thjeshtë dhe duke jua vështirësuar më shumë jetesën.

Shumë prokurorë dhe gjyqtarë janë kthyer sot në kamikazë politikë të Edi Ramës.

Sot jemi i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë, që rrëmbeu në mënyrë mafioze Ilir Metën dhe e mban sot të burgosur politik, që izoloj për 333 ditë profesor doktor Sali Berishën, që rrëmben jo vetëm drejtues të opozitës, por edhe qytetarë dhe biznesmenë të ndershëm, siç shpaktoi afera familjare e AKSHI-t e Edi Ramës. Fuqia jonë nuk qëndron te dhuna, por te vendimi ynë i pakthyeshëm për të jetuar përgjithmonë të lirë, të sigurt dhe me dinjitet në atdheun tonë.

Unë sot për ulem me mirënjohje për sakrificat dhe qëndresën e gjithësecilit prej jush. Por kjo nuk mjafton. Ne, opozita, duhet t'i prijmë me çdo sakrificë guximit tuaj, ta kthejmë lirinë në misionin tonë kombëtar, të shembim çdo mur të hajdutërisë dhe krimit të organizuar, të shkrijmë njësh me shtetin, të shembim ligjin antifamilje, të lartësojmë figurën e nënës dhe babait dhe të mbrojmë vatrat tona familjare nga ky sekt mafioz, pa fe dhe pa atdhe.

T'i kthejmë popullit çdo qindarkë dhe pasuri të grabitur nga organizata kriminale dhe kryetari i saj. Të rikthejmë votën e lirë dhe të mbrojmë si sytë e ballit demokracinë, në themelet e së cilës është gjaku dhe sakrificat më sublime të shqiptarëve që dhanë jetën në përballje me diktaturën.

Ta shkërmoqim dhe ta shkulim nga rrënjët këtë regjim të kalbur narkomafioz dhe të ndërtojmë një Shqipëri të drejtë, të dhembshur, që mendon, kujdeset dhe që u shërben të gjithë shqiptarëve, ku drejtësia dhe mundësitë të jenë të barabarta për çdo qytetar.

Ky është shteti dhe republika që meritoni ju. Republika e shqiptarëve të ndershëm që jetojnë me djersën e ballit. Nuk do të lejojmë kurrë që kjo Republikë të kthehet në narkorepublikën e Edi Ramës. Për lirinë ja vlen çdo sakrificë.

Ja vdekje, ja liri, fitore, Zoti ju bekoftë ju, Zoti bekoftë familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë. Fitore, fitore, fitore!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco