Lajmi i fundit

LIVE/ 'Rama jepe dorëheqjen! Protestuesit rrethojnë kryeministrinë

'Myzeqeja nën ujë', Haxhiu: Banorët janë viktima, qeveria përgjegjëse për përmbytjet

13:46, 13/01/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një kohë kur fshatra të tërë në zonën e Myzeqesë janë nën pushtetin e ujit, përfaqësues të opozitës kanë zbritur në terren për të parë nga afër situatën dramatike. Nga fshati Has Turkas, i përmbytur plotësisht, deputetja e Partisẽ sẽ Lirisë, Brunilda Haxhiu, ka lëshuar akuza ndaj qeverisë dhe pushtetit vendor, duke i bërë përgjegjës për keqmenaxhim dhe abuzim me fondet.

Sipas Haxhiut, ndërsa banorët shohin me dëshpërim shtëpitë, tokat dhe mundin e një viti të tërë të shkatërruar nga uji, qeveria pretendon se gjithçka është nën kontroll.

"Rezultati që ne shohim, me shumë fshatra të Myzeqesë të përmbytur, tregon se situata jo vetëm nuk është menaxhuar, por është keqmenaxhuar dhe është abuzuar me fondet," deklaroi ajo, duke theksuar se faji për këtë katastrofë është i përbashkët mes pushtetit qendror dhe atij vendor.

"Ne jemi këtu për të trokitur në çdo derë, për t'i thirrur që të bashkohen dhe të protestojnë," tha ajo, duke ftuar edhe opozitarë të tjerë t'i bashkohen në terren për të arritur ndryshimin.

Deklarata e plotë:

 "Jemi këtu në Has Turkas ku zona është e përmbytur. Kemi komunikuar me banorët, ata janë të dëshpëruar sepse është shumë e dhimbshme të shohësh shtëpinë, tokat, mundin e një viti të tërë të përmbytur dhe të çuar dëm.

Ne jemi shumë kritik sigurisht ndaj qeverisë, ndaj pushtetit vendor që i konsiderojmë si një të përbashkët dhe kanë faj në mënyrën se si e kanë menaxhuar situatën.

Ata thonë që çdo gjë është nën kontroll, por rezultati që ne shohim që shumë fshatra të Myzeqesë janë tashmë të përmbytur, sigurisht që kjo do të thotë që situata nuk është menaxhuar, është keqmenaxhuar, madje është abuzuar me fondet që ne sot jemi në këtë situatë.

Opozita është duke i ndërgjegjësuar banorët që të mos kenë asnjë pritshmëri se do të kenë zgjidhje nga kjo qeveri për aq kohë sa fondet vidhen, sa abuzohet dhe bëhet vetëm propagandë dhe fasadë. Asnjë zgjidhje nuk mund të presin nga kjo qeveri.

Prandaj unë i bëj thirrje të organizohen, të bashkohen dhe të bëjnë ndryshimin, atë ndryshim që do të sjelli pastaj përmirësimin e jetës së tyre.

Banorët duan një organizim për të protestuar dhe sigurisht ne jemi për këtë këtu, për të trokitur në çdo derë, për t'i folur atyre, për t'i thirrur që të bashkohen dhe të protestojnë. Prandaj i bëj thirrje edhe opozitarëve të tjerë të jenë sa më shumë në terren dhe të gjithë së bashku të arrijmë ndryshimin.

Unë personalisht kam qenë në të gjitha zonat e përmbytura, kam komunikuar me banorët, kam qenë zëri i tyre, pranë halleve të tyre dhe ju garantoj, të gjitha këto probleme do t'i ngre fort në parlament. Do të jem zëri i tyre në parlament.  Faji nuk është te banorët. Faji është tek ata që qeverisin dhe menaxhojnë. Ata që kanë fondet, që i vjedhin, që i fusin në xhepat e tyre. Ndaj faji është i qeverisë, nuk është i banorëve. Ju falenderoj".
 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco