Ligji i barazisë gjinore, ka ndezur debate publike, duke ngritur shqetësime serioze për paqartësitë në formulimin e tij dhe për procesin e nxituar të miratimit. Akil Kera, i ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto' ka argumentuar se ligji lë hapësira të rrezikshme për keqinterpretim dhe se çështje të tilla themelore duhet t'i nënshtrohen vullnetit popullor përmes një referendumi.
Sipas Keras, problemi kryesor qëndron te vetë teksti ligjor. Ai thekson se ligji përmban "klauzola" dhe "hapësira" që mundësojnë keqpërdorimin, veçanërisht për shkak të mungesës së një "definimi përfundimtar" për terma kyç si "përkatësi gjinore".
Kjo paqartësi, rrezikon që grupe të caktuara të keqinterpretojnë ligjin për t'i imponuar vizionin e tyre një shoqërie shumë më të gjerë siç është ajo shqiptare.
Ndërsa pranon se ligjit duhej t'i ishte dhënë më shumë kohë dhe tryeza diskutimi, Kera ngre një kundërshti parimore. "Nuk jam dakord me një gjë, që pakica mund t'i imponohet shumicës," deklaron ai, duke shtuar se një pakicë nuk mund t’i diktojë shumicës mënyrën se si kjo e fundit duhet të sillet.
Kera shprehet se ky nxitim, i kombinuar me atë që ai e percepton si mungesë të kuptimit të plotë të ligjit edhe nga vetë deputetët firmëtarë, ngre pyetje mbi qëllimet e vërteta pas tij.
Përballë kësaj situate, zgjidhja e propozuar është e qartë dhe e prerë: referendum.
"Çështje që kanë të bëjnë me mënyrën se si ne e definojmë veten tonë, duhet t'i lihen në dorë popullit shqiptar," përfundon Kera, duke theksuar se identiteti kolektiv nuk mund të imponohet nga asnjë pakicë.
Deklarata për 'Kafe Shqeto':
"Shiko, ligji, si gjithmonë, ka nevojë patjetër që të lexohet me shumë vëmendje dhe është krijuar një ekip ekspertësh, të cilët janë marrë me leximin e ligjit dhe atë çfarë nënkupton interpretimi i ligjit në aspektet juridike.
Duke qenë se vetë formulimi i ligjit, nuk flas në rrafshin e ekspertit, por çfarë kam dëgjuar, ato të cilët kanë përpiluar dhe kërkesat. Në vetvete ai lë klauzola, krijon hapësira për t'u keqpërdoruar mosdefinimi përfundimtar i vetë se çfarë kuptojmë me përkatësi gjinore.
Pra, vetë ligji lë hapësirë që, nga grupe të ndryshme të caktuara, për arsye të mënyrës se si duhet t'i imponohen si amoni shoqërie shumë më të gjerë që është kjo e jona shqiptare, lë hapësira vetë ligji që të keqinterpretohet nëpërmjet termave të paqartësuara ekzaktësisht se çfarë nënkupton me identitet gjinor, përkatësi gjinore, terma të tilla të cilat lënë hapësira, ëh, në mënyrë të vazhdueshme që ato mund të keqpërdoren në një, pasi ai të miratohet.
E dyta gjë, çështja është edhe parimore. Unë jam dakord me komisionerin që ligji duhet të kishte pasur më shumë hapësirë, më shumë kohë, më shumë tryeza bisedimi, më shumë grupe të dëgjuara dhe të interesuara. Por nuk jam dakord me një gjë, që pakica mund t'i imponohet shumicës, sa herë pakica ndjehet në një gjë të caktuar mund t'i imponohet shumicës mënyrën se si shumica do të sillet ndaj vetes së saj, jo ndaj pakicës.
Pra, mënyra se si u vendos ligji, shpejtësia që ndodhi, grupet që e mbrojtën ligjin, lënë për të dyshuar se çfarë nënkupton ligji në vetvete. Ju thashë nuk po flas si ekspert. Por mua më bëri shumë përshtypje kategori që dolën në mbrojtje të ligjit në mënyrë të, po them kështu, të nxituar.
Individët që e shikonin ligjin si një gjë që duhet të ndodhte se s'bën. Deri diku lë në hije të dyshimit të theksuar në mënyrën se pse ky ligj është kaq i nxituar dhe pse është kjo kërkesë që shumica e deputetëve, me sa kuptova unë, as ato vetë nuk e dinë se çfarë po firmosnin.
Kështu që, për çështje të rëndësisë së veçantë, që kanë të bëjnë jo vetëm me aktualitetin e një populli, por dhe për një perspektivë të mënyrës se si populli do ta shikojë veten e tij, mendoj që duhet të ketë domosdoshmërisht referendum, dhe kjo është ajo të cilën unë e shikoj me me rëndësi në këtë moment.
Çështje të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me mënyrën se si ne e definojmë veten tonë, duhet t'i lihet në dorë popullit shqiptar. Nuk mundet një pakicë të të imponojë, po them në një farë mënyre, nëpërmjet mënyrave diplomatike, mënyrave se si janë shprehur një grupi të caktuar".
© SYRI.net