Në një postim në rrjete sociale, ish-deputeti Petrit Vasili u shpreh se Shqipëria është përballur me një krizë të paprecedentë, ku qeveria e drejtuar nga Edi Rama ka dështuar në çdo aspekt, duke i lënë qytetarët në mëshirë të fatit përballë përmbytjeve katastrofike.
Vasili theksoi se qeveria, e zhytur në paaftësi dhe korrupsion, nuk ka mundur të sigurojë as mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve, duke përkeqësuar edhe më tej gjendjen e krijuar nga emergjencat natyrore. Ai e cilësoi këtë qeveri si një kufomë të korruptuar, që ka shkatërruar shpresat e shqiptarëve dhe ka përmbytur çdo mundësi për zhvillim të qëndrueshëm.
Vasili denoncoi pafuqinë e qeverisë për të ofruar zgjidhje dhe të kërkohet një ndryshim i menjëhershëm përmes përmbysjes politike, duke rikthyer shpresën dhe stabilitetin për vendin.
Postimi :
Qeveri e rrënuar, ashtu si rrugët e shqyera, përmbysja e saj është e vetmja kryefjalë!
Përmbytjet ishin edhe përmbytja përfundimtare e qeverisë së Ramës.
Kjo është një qeveri që nuk kontrollon dhe nuk zgjidh dot asgjë, dhe është e zhytur në paaftësi skandaloze.
Qindra mijëra shqiptarë shohin krejt të pafuqishëm se si shkatërrohen shtëpitë dhe orenditë e tyre të varfra, krejtësisht të braktisura dhe të përbuzuara nga qeveria e hajdutëve rilindas.Specialistët dhe profesionistët janë larguar dhunshëm nga institucionet.
Institucionet, të përmbytura nga patronazhistët që vetëm marrin rrogën, janë totalisht të paafta që t’u japin zgjidhje problemeve të panumërta të argjinaturave, hidrovoreve, kanaleve të kullimit të të gjitha niveleve, furnizimit me ujë dhe me energji elektrike.
Të gjitha investimet në infrastrukturë po shkatërrohen menjëherë pas inaugurimit të tyre, sepse korrupsioni ka cenuar shumë rëndë cilësinë e tyre.
Miliarda euro të shpenzuara për rrugët e florinjta shkuan dëm dhe po çahen e mbulohen nga shkëmbinjtë dhe dhëra.
Ku shkuan daullet dhe dajret e inaugurimit, apo këngët polifonike për hajdutin dymetësh, që përdridhej përpara kamerave?
Asnjë lloj gadishmërie e emergjencave civile, dhe çdo gjë lihet në mëshirë të fatit.Disa ministra batakçinj dalin dhe lëshojnë deklarata për propagandë, ndërsa realiteti është katastrofik dhe shqiptarët shkatërrohen ditë pas dite.
Shkurt, vendi është pa qeveri, sepse edhe gjatë këtyre ditëve katastrofike vazhdojnë të hapin tendera për të vazhduar vjedhjen, ndërkohë që duhet të shpallnin gjendjen e jashtëzakonshme dhe të rialokonin fondet për dëmshpërblimin e njerëzve të dëmtuar nga përmbytjet.
Por nuk duan të dëmshpërblejnë njerëzit, sepse paratë duan t’i vjedhin vetë me tendera që i ndajnë me narkotrafikantët dhe kriminelët.
Këto janë ditë të një reflektimi të thellë për shqiptarët, që kanë kuptuar në kurrizin e tyre çfarë do të thotë qeveri e korruptuar dhe e falimentuar.Kjo qeveri është një kufomë e korruptuar, që qelb dhe kutërbon erë krim dhe drogë.
As çingijet mediatike, dhe as devijimi i vëmendjes me tema qesharake si “përleshja” plot dashuri Rama-Fevziu, nuk e shpëton dot këtë qeveri që nuk e meriton as emrin qeveri.
S’ka më kohë për filozofime e teorizime opozitare, por kryefjala duhet të jetë përmbysja.Çdo zgjidhje politike që përmbys këtë kalbësirë rilindase do të jetë shumë më e mirë për njerëzit.
© SYRI.net