Reshjet e dendura të shiut kanë rikthyer edhe një herë situatën dramatike të përmbytjeve në zonën e njohur si ish-Këneta në Durrës, ku dhjetëra familje janë izoluar nga uji, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Në një dëshmi rrëqethëse për gazetarin e SYRI-t, Klajdi Bodlli, një banore e zonës, e cila prej më shumë se 24 orësh ndodhet e bllokuar në banesën e saj të rrethuar nga uji, shprehet se ndihet tërësisht e braktisur nga autoritetet.
Situata e saj është edhe më e rënduar, pasi bashkëshorti i saj është i paralizuar dhe ka pamundësi të lëvizë, duke e bërë evakuimin dhe marrjen e shërbimeve të domosdoshme një sfidë kritike.
“Shiu më ka hyrë deri brenda në shtëpi, më ka prishur të gjithë orenditë. Komplet! Nga shteti asnjë nuk ka ardhur. Ndaç nga komuna, ndaç nga bashkia, ndaç nga kryetarët. I kemi thirrur të gjithë nëpër telefona, asnjë nuk ka ardhur,” shprehet ajo me dëshpërim.
Sipas banores, kjo nuk është hera e parë që përballen me këtë makth. Ajo thekson se përmbytjet janë një fenomen i përvitshëm dhe se çdo dimër sjell me vete frikën e përsëritjes së të njëjtit skenar. Ajo denoncon indiferencën totale të institucioneve, të cilat sipas saj, nuk kanë ofruar asnjë lloj ndihme, qoftë materiale apo ushqimore.
“As ndihmë ushqimore, as ndihmë materiale, as me pyet se si keni gdhirë. A nuk është gjynah? Jemi njerëz! Ku do dalësh, ku do shkosh, ku do mbytemi ne me këtë ujë?”, pyet ajo, duke treguar se niveli i ujit ka arritur deri në dy metra.
Apeli i saj është i drejtpërdrejtë: autoritetet duhet të vijnë në terren për të parë realitetin me sytë e tyre dhe jo vetëm përmes kamerave. “Të vijnë të shohin vetë çfarë bëhet në ish-Knetë. Të gjithë familjarët janë të mbytur. Nuk kemi ndihmë ekonomike, ushqimore apo materiale. Nuk është e kollajtë me rrogat që ka shteti jonë të zëvendësosh materialet shtëpiake,” përfundon ajo.
Kjo situatë alarmante nxjerr në pah jo vetëm pasojat e reshjeve intensive, por edhe problemin e vazhdueshëm të infrastrukturës, pasi dyshohet se një pjesë e madhe e përmbytjeve vjen si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese.
© SYRI.net