Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka bërë thirrje për një protestë të hënën, më 22 dhjetor, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Bardhi u shpreh se protestës do t’i bashkohen demokratë dhe qytetarë nga Njësia 1 në Tiranë, duke e cilësuar tubimin si kundërshtim ndaj qeverisë. Ai adresoi akuza ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe disa zyrtarëve të tjerë, të cilat i lidhi me korrupsionin dhe pengimin e drejtësisë.
Sipas Bardhit, protesta synon të shprehë pakënaqësinë qytetare dhe, siç u shpreh ai, të nisë një reagim publik ndaj qeverisë duke filluar nga kjo e hënë. Thirrja vjen në kuadër të qëndrimeve opozitare për zhvillimet e fundit politike në vend.
Bardhi:
Protestojmë të gjithë bashkë, të hënën, datë 22 Dhjetor, ora 18:00, përpara Kryeministrisë.
Nga Njësia 1 Tiranë demokratët dhe qytetarët janë të gjithë bashkë kundër Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, Belinda Ballukut dhe Ergys Agasit.
Fundi i tij po vjen ashtu siç e kishim paralajmëruar: si Kryeministri i bandave dhe më i korruptuari në historinë e shtetit shqiptar.
Duke penguar drejtësinë të bëjë punën e saj, Edi Rama po zvarritet duke menduar se do të shpëtojë veten dhe familjen e tij.
E ka gabim, qytetarët do të ngrihen dhe do ti japin përgjigjen e merituar. Duke nisur nga kjo e hënë!
© SYRI.net