Aktivistja, Kimete Klenja, gjatë fjalës së saj në protestë ka bërë thirrje për mbrojtjen e familjes tradicionale dhe jetës njerëzore, duke akuzuar ligjet dhe ideologjitë moderne se po promovojnë një “kulturë të vdekjes”. Ajo theksoi se familja, si institucioni themelor i shoqërisë, po sulmohet nga propaganda ideologjike që ka zëvendësuar arsyen, duke e çuar shoqërinë në një pikë ku duhet të justifikojë identitetet themelore si burri dhe gruaja.
Në qendër të kritikës së saj ishin ligjet që sulmojnë jetën në dy ekstremet e saj. Klenja përmendi ligjin për abortin, të cilin e cilësoi si “vrasje përmes një procedure makabre në kraharorin e nënës”, dhe ofrimin e eutanazisë për të moshuarit dhe të sëmurët si “vrasje e asistuar”.
Sipas saj, është një absurditet i madh që një shoqëri që ka hequr dënimin me vdekje në emër të të drejtave të njeriut, godet me ligj jetën pikërisht në fillimin dhe në fundin e saj.
Duke bërë një paralele historike me periudhën e errët të komunizmit në Shqipëri, avtivistja argumentoi se ashtu si atëherë, kur shteti mori rolin e “edukuesit absolut” dhe partia u kthye në një besim fetar, edhe sot ideologji të caktuara po tentojnë të cenojnë të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.
Ajo e përshkroi këtë si një “kulturë vdekjeje” që e vlerëson jetën jo si dhuratë, por si produkt. Si kundërpërgjigje, u propozua rikthimi i “kulturës së jetës”. Kjo kulturë, sipas saj, duhet të respektojë dhe të mbrojë jetën nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.
Avtivistja bëri thirrje për një shoqëri ku familja, e përbërë nga babai, nëna dhe fëmijët, të jetë e mbrojtur dhe ku fëmijët të rriten të lirë nga “ideologjitë helmuese që ua tjetërsojnë kuptimin për vetveten”.
Pjesë nga deklarata:
"Familja është institucioni themelor i shoqërisë dhe ligjet duhet të bëhen për ta mbrojtur dhe për ta fuqizuar rolin e saj, edukues të fëmijëve, jo për t'ia cënuar apo marrë asaj këtë rol të pazëvendësueshëm që i është dhënë nga vetë Zoti.
Ky ligj dëshmon më së miri se si propaganda ideologjike ka zënë vendin e arsyes, aq sa sot jemi të detyruar të japim arsye sepse gruaja është grua dhe pse burri është burrë.
Një gjë që as nuk e kemi menduar dot kurrë më përpara. E megjithatë, kjo nuk është hera e parë në njerëzim që ligjet përdoren për të luftuar të vërtetën. Historia jonë e afërt na tregon dhimbshëm se çfarë ndodh kur shteti e merr rolin e edukuesit absolut.
Vetëm 80 vjet më parë Shqipëria u mbulua nga errësira e komunizmit. U sanksionua me ligj se Zoti nuk ekziston, por Zotin nuk e harroi shqiptarët. Për rrjedhojë njeriu duhej riedukuar sipas vlerave dhe moralit që nuk vinin më prej Zotit, por prej prej partisë, e cila ishte kthyer në një besim fetar më vete.
Të gjitha sulmet ndaj të vërtetës dhe ndaj njeriut vijnë prej asaj kulture vdekjeje, një kulturë që ngrihet mbi atë çka njeriu jep dhe duke harruar atë se çka njeriu është dhe për çka është i thirrur të jetë.
Po t'i hedhim pak sytë rreth e rrotull, mund të vërejmë me lehtësi se rrethohemi gjithkund nga kjo kulturë e vdekjes, që nuk e vlerëson më jetën si dhuratë, por si produkt. Si rrjedhojë kemi ligje që bien në kundërshtim mes tyre. Për shembull, kemi ligje për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por ligji për ndërprerjen e shtatzënisë sanksionon vrasjen e tyre përmes procedurës makabre të abortit në kraharor të nënës.
Nga ana tjetër, të moshuarve dhe dhe të sëmurëve ju ofrohet eutanasia, pra vrasja e asistuar si zgjidhja e vetme dhe pa vuajtje e halleve të tyre. Një shoqëri si kjo e jona të dashur vëllezër e motra, që ka hequr dënimin me vdekje në emër të të drejtave të njeriut, e godet me ligj jetën e njeriut pikërisht në fillimin dhe fundin e saj, përmes abortit dhe eutanazisë.
A ka një absurditet më të madh sesa ky? Por sot unë kam ardhur t'ju sjell lajmin e mirë, pasi nuk duhet të lejojmë askënd që të na e vjedh gëzimin. Sepse gëzimi vjen prej Zotit dhe ne e dimë se kush ka fituar. Kam ardhur t'ju sjell lajmin e mirë që njeriu është thirrur në ekzistencë për një plotësi jete, që shkon përtej përmasave të ekzistencës së vet tokësore, për një pjesëmarrje të amshuar në vetë jetën e Zotit, krijuesit tonë.
Dhe beteja e brezit tonë është kjo, se sot fillon dhe vazhdon deri në fund, derisa të mbrrijmë t'i mbrojmë si duhet fëmijët tanë e familjet tona. Beteja jonë është rikthimi i kulturës së jetës, duke kundërshtuar çdo lloj ideologjie që e cenon jetën dhe dinjitetin njerëzor në çfarëdo lloj mënyre apo forme. Ne duam një kulturë jete që e mbron fëmijën para se të lindë dhe të moshuarin para se të vdesë. Pra që e mbron njeriun që nga ngjizja e deri në vdekjen natyrore".
© SYRI.net