Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj ministrit Blendi Gonxhe, duke thënë se Gilmando Dani, i vrarë pak ditë më parë në atentat, ka qenë truprojë dhe financues i tij. Në konferencën me gazetarët, Berisha u shpreh se Dani ishte një eksponent i njohur i bandës së Shullazit, i akuzuar për vrasje dhe akte kriminale, ndërsa lidhjet e tij me përfaqësues të qeverisë tregojnë, sipas ish-kryeministrit, një bashkëpunim të rrezikshëm mes politikës dhe krimit.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Gilmando Dani ka qenë badigard dhe financues i ministrit kriminel Blendi Gonxhe.
Se në qoftë se ti bashkëpunon me kriminelët, ti kryen një krim, sikundër edhe Hoxha.
Ai ka përdorur të gjithën bandën e tij, se në fakt Dani ishte eksponenti më kryesor i akuzuar për një seri vrasjesh dhe aktesh të tjera, i bandës famëkeqe të Shullazit.
Pra, siç e shihni, dy viktimat që u ekzekutuan në vendin më të sigurt, ishin lejtnantë të dy ministrave të kabinetit të shkuar.
Ndiqeni me interes, pas zgjedhjeve Shaljani shpërblehet me spaletat e oficerit të policisë në një nga vendet më delikate të shërbimeve të inteligjencës policore, të keqpërdorura tashmë në mënyrë të dokumentuara nga bandat dhe krimi në të gjitha aspektet.
© SYRI.net