Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 17 dhjetor në orën 10:00 seancën mbi shqyrtimin e kërkesës së avokatëve të kreut të opozitës Sali Berishë për shfuqizimin e dhëna nga GJKKO, Apeli i Posaçëm dhe Gjykata e Lartë lidhur me masën e tij të sigurisë si të papajtueshme me Kushtetutën. Ende nuk është caktuar se kush do të jetë gjyqtari relator, i cili do të shqyrtojë mbi bazë dokumentash këtë kërkesë.
Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj shkruan se kjo është hera e dytë që mbrojtja e Berishës i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën e sigurisë, kjo e fundit është shprehur në nëntor të 2024 për masën e detyrimit të paraqitjes dhe ndalim i daljes jashtë vendit, ku asokohe Kushtetuesja pranoi pjesërisht kërkesën e Berishës ku detyrimin e paraqitjes e kërkoi proporcionale ndërsa bllokimin e pasaportës si të panevojshme.
“Në lidhje me masën tjetër, Gjykata vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës duke shfuqizuar vendimet gjyqësore, objekt të shqyrtimit kushtetues, vetëm për pjesën që kanë caktuar masën ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’ ndaj kërkuesit Sali Berisha, për shkak të cënimit të parimit të proporcionalitetit, në aspektin e domosdoshmërisë së kësaj mase, në kushtet kur qëllimet e saj përmbushen nga masa tjetër e dhënë ndaj kërkuesit ‘detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’”, thuhej në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi i 17 dhjetorit përbën një proces me rëndësi lidhur me disa parashtrime të mbrojtjes që i konsiderojnë veprimet përfshirë masat e sigurisë ndaj Berishës si të paligjshme.

© SYRI.net