Raportet e fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) kanë nxjerrë në pah një panoramë alarmante të menaxhimit të fondeve dhe pasurive publike, duke zbuluar një zinxhir problematikash që shtrihen nga mungesa e transparencës deri te dëmet kolosale ekonomike.
Anëtari i kryesisë së PD Grigels Muçollari i ftuar ne emisionin Kafe Shqeto në Syri tv tha se, “sipas analizës së raportit të vitit 2023 dhe atij 9-mujor të 2024, një nga shqetësimet kryesore të KLSH-së mbetet refuzimi i vazhdueshëm i institucioneve për të dorëzuar në kohë pasqyrat financiare”. “Kjo situatë, përveçse pengon procesin e auditimit, flet për një mungesë serioze transparence”. “Për më tepër, KLSH thekson se asetet e shumë kompanive shtetërore nuk pasqyrohen në dokumentacion, duke lënë hapësirë për dyshime mbi keqmenaxhim apo edhe abuzim me pasuritë publike”.
“Një tjetër vrimë e zezë në buxhetin e shtetit janë vendimet gjyqësore. Raporti evidenton një kosto prej rreth 80 milionë eurosh që buxheti i shtetit detyrohet të paguajë si pasojë e vendimeve të gjykatave vendase. Këto shpenzime të majme nuk vijnë nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit, por nga procese të brendshme gjyqësore, shpesh të shkaktuara nga paaftësia, keqmenaxhimi dhe vendimet abuzive të zyrtarëve, si largimet e padrejta nga puna apo prishjet e njëanshme të kontratave. Faturën e këtij keqqeverisjeje e paguajnë në fund taksapaguesit shqiptarë”.
Ne bisedë me moderatorin e emisionit Flavio Qarri, Muçollari tha, “se KLSH ka vënë në dukje gjithashtu dëme të konsiderueshme ekonomike që rrjedhin nga procedurat e tenderimit”. “Bëhet fjalë për tenderime të kryera pa ndjekur procedurat ligjore ose për raste kur fituesi shpallet me "flamur të kuq", pasi të gjithë operatorët e tjerë ekonomikë janë skualifikuar në mënyrë të dyshimtë dhe në kundërshtim me ligjin”.
Megjithatë, pika më kritike dhe "më e tmerrshme", siç përshkruhet në analizë, është dështimi në realizimin e investimeve. Gjatë dy-tre viteve të fundit, realizimi i investimeve, si atyre të huaja ashtu edhe atyre nga buxheti i shtetit, ka rënë në nivelet më të ulëta historike. Për shembull, në vitin 2023, realizimi i investimeve kapitale ishte vetëm 16% e planit. Kjo do të thotë se 84% e fondeve të parashikuara për projekte zhvillimi nuk janë përdorur, duke përkthyer në humbje të mundësive për rritje ekonomike dhe përmirësim të jetës së qytetarëve. Kjo situatë tregon se paratë merren, por nuk kanalizohen në projektet për të cilat janë destinuar, duke krijuar një dëm të dyfishtë për ekonominë e vendit.
Grigels Muçollari: Po të shikoni raportin e KLSH-së 2023-shit, raportin, të themi, nëntë mujor të 2024-ës, pasi me dijeninë time nuk ka dalë akoma i plotë, edhe për shkak se mungojnë pasqyrat financiare të cilat duhet t'i dorëzojnë shumë institucione dhe kanë, me sa kam lexuar dhe me sa kam dëgjuar dhe, mungesa e transparencës në kohë, sidomos mes institucioneve. KLSH-së dhe institucioneve të cilët po auditohen.
Këtu ne vumë re dhe po të vështroni të gjitha raportet, ka disa problematika shumë të mëdha. E para, ankesa e KLSH-së që nuk i përgjigjen dhe nuk raportohen, pasqyrat financiare, po siç tha dhe zonja Lika, dhe koncepti që nuk janë pasqyruar asetet e kompanive, të cilët ka disa arsye pse mund të ketë ndodhur. E para patjetër mund të ketë ardhur dhe për shkak të procedurash dhe për shkak të mungesës së vëmendjes, por mua më lind, më lind, arsyeja domethënë të dyshoj që kjo mund të ketë ndodhur dhe për shkak të abuzimit. Që do të thotë që nëse, OSHE-ja po e kap një rast kështu të thjeshtë, domethënë figuron që ka blerë në 2022-shin 100 kompjutera dhe sot nuk i ka ato 100 kompjutera. Unë lind arsye të besoj që as i ka marrë, nuk i ka marrë ato në 2022-shin, të cilat në një farë mënyre janë dhe ato asete. Po gjithsesi këto janë vlera të vogla. Po e jap kështu si shembull. Kjo është aspekti i parë. Po të shikosh raportet ndër vite, ëh, ka problematika shumë të mëdha, se këtë radhë ëh, ëh, KLSH-ja foli për, sidomos për vendimet gjyqsore. Bëhet fjalë, mos gaboj unë, për 80 milionë euro, vendime të cilat janë brenda vendit, jo që i përkasin gjykatave të huaja, gjykatave të arbitrazhit.
Që do të thotë që 80 milionë euro janë shumë për buxhetin e shtetit dhe janë vendime të cilat rrisin, domethënë vit për vit, për shkak të paaftësisë, të keqmenaxhimit apo të të qenit abuziv në raport që ka filluar që nga largimet nga detyra apo prishje të kontratave, kanë ardhur dhe duhet t'i paguajnë taksapaguesit shqiptarë. Por përtej kësaj, po të vësh re në raportet ndër vite, vërehet dëme të mëdha, dëme ekonomike që lidhen edhe me bërjen e, të themi, tenderimeve pa procedura, tenderimeve apo zgjedhjet e fituesve me flamur të kuq, kur janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë dhe në kundërshtim me rregulloren, me ligjin, të cilat edhe KLSH-ja i ka evidentuar ndër vite. Por dhe më e tmerrshmja fare, po të vësh re në raportet e KLSH-së, realizimin e investimeve, qoftë ato të huaja, qoftë ato të buxhetit të shtetit, në dy- tre vitet e fundit i ka në nivelet më të ulëta ndonjëherë. Që do të thotë që ky është një dëm.
Kjo do të thotë që ka marrë 100 milionë euro që duhet t'i investojë, i cili vitin tjetër duhet të fillojë të t'i kthejë ekonomisë apo qytetarëve, ndërkohë që ti, realizon 50% të tyre. Domethënë, paratë i ke marrë, i kanalizon, po të vësh re në vitin 2023, në mos gaboj, këto investimet kapitale kanë qenë në nivelin e 16% të buxhetit të shtetit. Që do të thotë 16% e investimeve kapitale, pjesa tjetër është rrush e kumbulla. 84. Kështu që, kjo nuk është një situatë e paralajmëruar....
© SYRI.net