Një atentat i ndodhur në afërsi të Aeroportit të Rinasit, një prej zonave që duhet të ketë sigurinë më të lartë në vend, ka ngritur alarmin për nivelin e penetrimit të krimit të organizuar në strukturat shtetërore dhe dështimin e sigurisë publike.
I ftuar në emisionin Task Force në Syri Tv, për të diskutuar mbi ngjarjen e rëndë, kryeredaktori i Syri Tv, Romir Saraçi u shpreh se një operacion i tillë kriminal, nuk mund të ndodhte pa bashkëpunim nga brenda radhëve të Policisë së Shtetit, duke e cilësuar situatën si një dëshmi të anarkisë dhe kriminalizimit të shoqërisë.
Saraçi theksoi se zgjedhja e një lokacioni kaq të ndjeshëm, ku prania e forcave të rendit dhe shërbimeve inteligjente duhet të ishte maksimale, tregon një guxim dhe një ndjenjë sigurie të plotë nga ana e autorëve.
“Është e padiskutueshme që ka përfshirje të eksponentëve brenda Policisë së Shtetit,” deklaroi ai, duke kujtuar se historikisht, organizatat kriminale kanë pasur gjithmonë efektivë apo drejtues policie në rrjetet e tyre.
Saraçi u ndal edhe te përgjegjësinë institucionale, duke argumentuar se ndërsa komisariati lokal ka një rol, përgjegjësia finale i takon shtetit shqiptar dhe strukturave të specializuara për parandalimin e krimit.
Përtej rastit në fjalë, Saraçi foli edhe për fenomenin e “anarkisë” ku krimi vepron hapur dhe pa frikë.
“Sot krimi po vepron sipas qejfit të vet sepse i ka shpatullat e ngrohta për shkak të implikimit kriminal në strukturat shtetërore,” u shpreh ai në Task Force. Kjo situatë ka çuar në një kriminalizim të shoqërisë dhe një lehtësi tronditëse në kryerjen e krimeve, nga vrasjet e planifikuara deri te konfliktet banale që përfundojnë në tragjedi.
Ajo çfarë duket, ndodhja e një atentati në një zonë të tillë siç është aeroporti i Rinasit, që presupozohet siguria të jetë shumë e lartë, agjentët që qarkullojnë, që patrullojnë aty për shkak të rëndësisë si aeroporti i vetëm, duhet të jenë të panumërt, jo vetëm të policisë së shtetit por edhe të shërbimeve të tjera inteligjente dhe këto grupe kriminale gjejnë, gjejnë aeroportin e Rinasit, si vendin më të përshtatshëm për të kryer një atentat të tillë, situata është alarmante, që është e padiskutueshme që ka përfshirje dhe të, të eksponentëve brenda Policisë së Shtetit. Nuk mund të ndodhi kurrsesi.
Ne kemi parë në të shkuarën që në çdo dosje kriminale, organizatat kriminale kanë pasur një apo dy efektivë dhe drejtues policie. Dhe në rastin konkret një, fatkeqësisht një prej këtyre punonjësve të Ministrisë së Brendshme ishte në makinën e viktimës, por nuk përjashtohet mundësia që informacionet të kenë, për lëvizjen e tyre të kenë dalë po prapë nga radhët e Policisë së Shtetit, të atyre efektivëve të policisë që aderojnë në organizatat, kjo është përgjegjësi e shtetit.
Po për garantimin e situatës aty është komisariati që mbulon zonjën, zonën e Aeroportit të Rinasit. Por në ngjarje të tilla nuk mund të lihet përgjegjësia direkte tek komisariati i policisë së asaj zone, se komisariati i policisë së asaj zone ka informacione për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë deri në një perimetër të caktuar që ta banalizoj. Normalisht që duhet të jetë, por nuk është parandalues. Komisariati i policisë nuk është parandalues. Janë struktura të tjera në Policinë e Shtetit që kryen funksionin e parandalimit.
Janë agjenci të tjera të cilat marrin informacione për lëvizjen e personave të dyshuar apo komunikimeve të dyshuara që më pas kryejnë aktin e parandalimit. Por më shumë sesa një situatë vrasje, larje hesapesh të grupeve kriminale, ajo që duhet të shqetësojë në këtë pamje nuk është vetëm fakti, ëh, siç thoshte dikur kryeministri, hanë kokën e tyre, se në fund ata janë në jetë njerëzit, çfarëdo lloj gjëje të përfaqësojnë. Por ajo që është dhe më alarmante është siguria në atë zonë dhe siguria, në Shqipëri.
Mua më shqetëson më shumë për ata dy të moshuarit që me çanta po kalonin për bri vrasësve që nuk e dinin se kush ishin, është për ata qytetarë të tjerë që u gërshetuan me plumbat. Është për taksinë e verdhë që ishte përballë, përballë makinës, është për Benzin, për makinën tjetër që ishte përballë makinës së viktimës, që nuk po dinte çfarë ndodhi dhe u gjet aty. Për sa kohë tre persona të maskuar, të armatosur në një zonë, aq të mbingarkuar me kamera vëzhguese, do të thotë që kanë pasur një garanci maksimale. Por edhe pjesa e veprimit të krimit. Shiko, sot Shqipëria është në anarki, për mendimin tim. Sot krimi po vepron sipas qejfit të vet sepse i ka shpatullat e ngrohta për shkak të implikimit kriminal në strukturat shtetërore, të Policisë së Shtetit dhe shtetit shqiptar.
Ajo që duhet të shqetësojë sot, duhet të shqetësojë dhe kriminalizimi i shoqërisë. Duhet, lehtësia me të cilën ndodhin këto krime siç e thatë ju, por dhe lehtësia me të cilën krimet ndodhin në rrugët e Shqipërisë. Pra, për kriminelët, për bandat kriminale, krimin e organizuar është shumë e lehtë të kryejnë vrasjen në çdo moment të ditës dhe në çfarëdo lloj vendi. Por ajo që duhet të jetë shqetësuese është për çdo qytetar shqiptar që ekspozohet çdo ditë karshi këtyre situatave. Sot nuk është vetëm ajo situatë, sot ke krime kudo. Sot u vranë, u vra në Manëz pse nuk punonte ekspresi i kafesë.
Më fal, mund të dalësh në rrugë, na ka rastisur shpejt që shikojmë njerëz duke u zënë, duke u kacafytur dhe deri në vrasje sepse gërvishtin makinën. Nuk është më, nuk është më mentaliteti që shiko, u gërvisht makina, të presim policinë dhe sigurimet për të na e zgjidhur. Është vetëgjyqësia. Kemi, ministrja doli në komision, ministrja e adresave, sepse ajo nuk është ministre e Brendshme, e deklaroi kryeministri që ajo është ministre e adresave, doli tha që ndodhin krime në shtëpi.
Po më fal, me çfarë paturpësie mund të thuhet kjo? Po, ndodhin krime në familje. Ndodhin krime për ato urdhrat e mbrojtjes që nuk zbatohen. Ndodhin krime për ato, për ato gra të cilat nuk kanë zgjidhje tjetër sociale, të garantuar nga shteti shqiptar, veçse o të pranojnë dhunën dhe vrasjen nga bashkëshorti, ose të hidhen në rrugë të madhe pa asnjë mundësi mbijetese. Pra, kjo duhet të jetë shqetësuese. Lehtësia me të cilën ndodhin krimet, mungesa e besimit të qytetarëve shqiptarë tek institucionet e shtetit që mund të zgjidhin problematikat që ata kanë dhe shkuarja në vetëgjyqësi. Është bërë modë që sot më shumë në një zonë të caktuar të Tiranës vlen miqësia dhe garancia që të jep i forti i asaj zone sesa garancia që duhet të japë ligji dhe shteti dhe policia e shtetit.
Po tregoj, do tregoj, do tregoj dhe një shembull personal për këtë ngjarje. Një nga grupet tona të xhirimit shkoi për të raportuar për këtë ngjarje. Po. Për shkak sepse kur janë situata të tensionuara, familjarë të plagosurve, viktimave e të tjerë janë të, të indinjuar për momentin dhe reagojnë karshi mediave. Ne jemi mësuar me këtë lloj reagimi, nuk e bëjmë përshtypje dhe marrim masat tona për t'u distancuar dhe për të raportuar, për të bërë punën profesionale me aq mundësi sa kemi në terren.
Dhe një prej kolegëve i them, dëgjo, për të qenë i sigurt, njofto edhe policinë, e cila mund të jetë aty, aty pranë, për t'u ndjerë, për t'u ndjerë më i sigurt. Dhe përgjigja nga, nga kolegu ishte, unë nuk e kam hallin dhe frikën, tha, tek personat që kam përballë, sepse mund të mirëkuptohem dhe duke u distancuar. Unë aty e kam frikën më të madhe në qoftë se njoftoj policinë dhe rreziku më i madh mund të më vijë nga, nga policia.
© SYRI.net