Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Çështjeve të Brendshme debatuan me ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengun, të cilin e akuzuan për lidhje me krimin dhe skema mafioze korruptive. Deputetët Noka dhe Balliu denoncuan shoqërinë Kayo dhe kompaninë Timak, ku aksioner është miku i kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar përgjigje nga ministri për tenderat dhe praktikat korruptive në këtë çështje.
Syri TV
Prezantimi i buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në Komisionin e Punëve të Brendshme, u kthye në një arenë përplasjesh politike mes ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengut, dhe deputetëve të opozitës, të cilët e akuzuan për lidhje me krimin dhe për tendera korruptivë. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike deklaroi në komision se Shqipëria nuk mund të përfaqësohet në NATO me një ministër të lidhur me bandat, duke shkaktuar tensione dhe replika në komision.
Ministri i Mbrojtjes u pyet edhe për shoqërinë Kayo, të krijuar me qëllim prodhimin e armëve. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu ngritën pikëpyetje për tenderat që ka përfituar kompania Timak, që shet aksione për 450 euro, ku është aksioner miku i kryeministrit Edi Rama, Roni Jefet. Përgjigja e ministrit ishte ajo e çdo politikani para aferave korruptive, duke thënë se këto gjëra ndodhin në gjithë botën.
Ndërsa nuk arriti të japë një përgjigje direkte për procedurat e dyshimta të këtyre tenderave dhe kësaj kompanie, ministri i Mbrojtjes u justifikua duke thënë se opozita mund të kallëzojë këtë çështje në SPAK, nëse ka dyshime për shkelje ligjore apo praktika korruptive.
© SYRI.net