Një luftë e hapur për pushtet ka nisur brenda Partisë Socialiste mes dy prej figurave më të fuqishme të saj, kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. I ftuar në ‘Kafe Shqeto’ në Syri TV, avokati Redi Ramaj tha se kjo përplasje shihet si pjesë e një taktike më të gjerë të Kryeministrit Edi Rama për të konsoliduar pushtetin e tij dhe për të projektuar imazhin e një lideri të pazëvendësueshëm.
Sipas analizës së tij për situatën aktuale politike, konflikti mes Veliajt dhe Ballukut i shërben strategjisë së Ramës për të demonstruar se ai qëndron mbi fraksionet dhe ambiciet personale brenda partisë. Duke lejuar ose nxitur një rivalitet të tillë, kryeministri përforcon idenë se të gjithë zyrtarët e tjerë kanë aspirata për t'iu afruar atij, por pa e arritur dot kurrë, duke e pozicionuar veten si "kryetari historik" i së majtës.
Në qendër të këtij konflikti qëndron edhe veprimtaria e SPAK-ut. Struktura e Posaçme po godet në nivele të larta, por pa arritur ende te "kreu", gjë që krijon një konflikt të brendshëm dhe një luftë të fshehur, e cila tashmë po bëhet publike. Kjo situatë nxjerr në pah një pabarazi të theksuar në mënyrën se si dy figurat kryesore po i përgjigjen presionit të drejtësisë.
Nga njëra anë, pozicioni i Erion Veliajt duket i dobësuar. Me disa nga ish-drejtorët e tij në burg, ai perceptohet si i paaftë për të zhvilluar një betejë politike të hapur, qoftë kundër kryeministrit, qoftë kundër Ballukut. Në krahun tjetër, Belinda Balluku shfaq një qëndrim krejtësisht të ndryshëm. Ajo po përdor të gjithë forcën politike të akumuluar ndër vite, dhe potencialisht edhe mbështetjen apo "bekimin" e kryeministrit, për t'i bërë presion Prokurorisë së Posaçme. Paraqitja e saj me vonesë prej disa ditësh në SPAK interpretohet si një demonstrim force dhe një sfidë ndaj autoritetit të prokurorisë.
Redi Ramaj: Po e para njëherë duhet të kuptojmë që fillon lufta tani midis Erionit dhe dhe Belindës. Se kjo është dhe taktikë e Ramës. Tani duke qenë ai, duke dashur gjithmonë të jetë mbi këta, edhe pse dominon dhe ka forcë, gjithmonë do të tregojë edhe që njerëzit zihen ose kanë aspirata që t'i afrohen kryetarit historik në këtë partinë Socialiste.
Është historik, vetë ai do ta nxjerri veten si kryetar historik, si më të mirin e Partisë Socialiste. Kështu që në këtë, në këtë formë e shoh që ë, këto lloj situatash me SPAK-un brenda, i cili futet dhe godet në disa pika kryesore, pa arritur gjithmonë te kreu, se e ka të vështirë mendoj që të arrijë te kreu, sjell atë konfliktin e brendshëm, atë luftën të cilën, e cila dukej ose mund të ketë qenë e fshehur, por nuk nxirrej për publikun. Tani është situatë krejtësisht e pabarabartë dhe e qartë konflikti. Pra kemi Erion Veliajn, për të cilin nuk interesohet njeri dhe qëndron në burg për aq sa do vazhdojë gjykimi i themelit. Dhe kemi zonjën Balluku e cila përdor të gjitha format dhe forcën e saj, të cilën e ka akumuluar këto vite dhe mbase dhe mbështetjen e kryeministrit në një farë forme ose bekimin e kryeministrit, për të qëndruar ose për ta mbajtur, ose për t'i bërë në një farë mënyre edhe presion Prokurorisë së Posaçme me formën se si sillet.
Duhet të kuptojmë që vajti mbas shtatë ditësh, tetë ditësh mbasi e thirri Prokuroria e Posaçme për t'u paraqitur dhe për t'ju komunikuar akuzat ë, për rastin në fjalë. Po zoti Veliaj e shoh në këtë moment vetëm, vetëm me një formë, të dalë dhe të thotë se kush janë problematikat, se pse është ai në atë situatë. Ai nuk e thotë dot, nuk e ka thënë deri tani dhe do e ketë të vështirë që ta thotë më mbrapa. Nuk e bën dot betejën e tij me, as me kryeministrin, as me Belinda Ballukun mendoj. Ai mund të përpiqet me disa urdhra apo me disa forma që të mbijetojë në këtë tregun politik shqiptar, por kuptohet që fundi i tij politik ka ardhur, edhe pse Gjykata Kushtetuese nuk e shkarkoi, e ka shumë të vështirë që ai të ketë mundësinë që të bëjë një luftë politike brenda Partisë Socialiste, për më tepër pastaj në Bashki të Tiranës apo kudo tjetër.
© SYRI.net