Pas përjashtimit të liderit të opozitës, Sali Berisha, nga parlamenti, Partia Demokratike ka prezantuar “Platformën e Rezistencës”, një strategji të re veprimi që synon të kombinojë aksionin politik brenda dhe jashtë Kuvendit.
Deputeti i PD-së, Luciano Boçi, i ftuar në emisionin Task Force me Sonila Meçon, theksoi se kjo nismë është përgjigjja e opozitës ndaj përpjekjeve të mazhorancës për të heshtur zërin opozitar dhe për të kufizuar hapësirat demokratike. Sipas tij, “Platforma e Rezistencës” do të shërbejë si një formë e re proteste dhe komunikimi me qytetarët, për t’i rikthyer opozitës rolin e saj përfaqësues dhe për të krijuar një front të gjerë kundër qeverisë Rama.
Boçi tha se përjashtimi i Berishës është kulmi i një sërë absurditetesh në Kuvend dhe se kjo lëvizje synon ta zhvendosë betejën politike nga salla e parlamentit në terrenin qytetar, për të bashkuar zërin e opozitës me atë të qytetarëve të revoltuar ndaj qeverisjes aktuale.
Pjesë nga deklarata:
Jemi para një situate absurde. Vërtetë është absurd përjashtimi i kreut të opozitës, zotit Berisha, dhe akoma më absurde janë arsyet e përjashtimit. Ajo gjoja deklarata kundër kreut të delegacionit të BE-së, që në fakt nuk ishte e tillë, u keqinterpretua, por megjithatë ishte një deklaratë e bërë përtej seancës së parlamentit.
Sipas Rregullores së Parlamentit, deputetët mund t’i nënshtrohen masave disiplinore për aktet apo për çfarë kumtojnë brenda sallës së parlamentit apo në komisionet parlamentare. Por ata vendosën një rregull të ri, mbi bazën e idesë absurde. Siç duket, po zbatojnë atë veprim apo dhe ligjin që e miratuan në një formë për barazinë gjinore, duke pretenduar se fjalët e zotit Berisha ishin fjalë me ndjeshmëri të lartë gjinore. Siç duket, ka prekur në zemër edhe emocionin e Taulant Ballës dhe të një pjese të madhe, apo të gjithë grupit parlamentar.
Unë do të mendoja që, në këtë situatë ku përplasen me deklarata partitë politike, zoti Gonzado s’mund të rrijë neutral. Ai duhet të kishte marrë pozicionin e tij dhe ta sqaronte mirë situatën. Gjithsesi, situatat nuk sqarohen prapa kuintave, por në deklarata publike. Dhe kështu dalim në këtë tërësi absurditetesh që ka arritur kulmin me përjashtimin e zotit Berisha.
Në këtë shtrëngesë hapësire të funksionimit të parlamentit dhe të opozitës, është zgjedhur opsioni i ngritjes së platformës opozitare, që për mua është njëkohësisht protestë, por edhe komunikim parlamentar, sepse protesta është komunikim qytetar në të gjitha dimensionet e saj, ashtu si edhe komunikimi parlamentar që ka munguar gjatë gjithë këtyre seancave. Në 10 seanca, vetëm në njërën jemi lejuar të diskutojmë kur ishte debati për institucionet, një pjesë të institucioneve të drejtësisë dhe gjithçka tjetër ka qenë ndërprerje e seancave në mënyrë të vazhdueshme.
Dua t’i them zotit Balla, identitetit të vetëpërcaktuar Balla sipas ligjit që ai ka miratuar, se identitetet janë tani të vetëpërcaktuara. Termat që përdorim ne janë me ngarkesë gjinore dhe këta bëjnë edhe akuza, e më pas duhet ta provosh ti atë barrën e provës. Dhe kjo është e keqja e kësaj situate.
Patjetër duhet të ketë diçka të re që të jetë e pranueshme nuk mendoj domosdoshmërisht të jetë e bukur por të ketë të re që koordinon komunikimin qytetar si protestë me komunikimin parlamentar. Pra, kërkohet që ai zë i opozitës, i goditur dhe i sulmuar në sallën e parlamentit, të zhvendoset në një hapësirë publike, ku komunikimi me qytetarin për problemet e tij të jetë përtej parlamentit. Kjo nismë inicion grumbullimin qytetar dhe rritjen e reagimit qytetar, në ato forma që një parti politike i kërkon për shkak të situatës ku ka precipituar gjendja dhe konflikti politik në Shqipëri.
Kjo mazhorancë ka konfirmuar veten nëpërmjet një procesi të grabitur, të vjedhur, të konstatuar tashmë në raportin e OSBE-ODIHR-it dhe në progres-raportin e Komisionit Europian. Pra, kjo platformë të renë e ka te koordinimi i luftës politike, jo duke e bërë atë në formë klasike, si protestë jashtë parlamentit. Jo, jemi edhe brenda parlamentit, duke synuar që të arrijmë maksimumin e shfrytëzimit të asaj pak hapësire që kemi në dispozicion, duke mos e lënë betejën vetëm aty, por duke e përcjellë më pas edhe në jetën e përditshme të qytetarëve, në sheshe.
Njëkohësisht, platforma nuk është vetëm një simbolikë, vendosja e një podiumi ku ne të themi fjalët tona, por vijon me komunikimet që deputetët duhet të kenë në zonat e tyre, qoftë me strukturat e Partisë Demokratike, qoftë edhe me qytetarët, për të bashkëbiseduar, pse jo, për të ngritur probleme dhe për t’i ftuar ata që të bëjnë diçka për të rrëzuar këtë qeverisje, e cila e ka çuar vendin në këtë gjendje.
Madje, jo vetëm që e ka goditur në mirëqenie, ekonomi e politikë, por tashmë e ka goditur edhe në thelb, në zemër në familje duke i shuar dritën e një të ardhmeje që dikur qytetarët dinin ta ndërtonin vetë, por sot nuk po i lënë as ta ndërtojnë. Aleat shtetin nuk e kanë pasur asnjëherë gjatë këtyre viteve, por sot janë të goditur edhe brenda thelbit të familjes, brenda shtëpive të tyre.
Besoj se ky komunikim duhet të jetë njëherësh kapilar dhe klasik parlamentar. Nuk mjafton asnjëra pa tjetrën, por duhet të rakordohet me thirrjen për protestë. Një platformë e ngritur pranë Kryeministrisë është ftesë për çdo qytetar që të marrë pjesë në protestë. Fjala jonë nuk është fjalë boshe.
© SYRI.net