Berisha: Zgjedhjet e pjesshme provuan se Shqipëria ka vetëm farsë zgjedhore. Tani edhe botërisht po fillon të njihet si një autokraci elektorale

Berisha: Zgjedhjet e pjesshme provuan se Shqipëria ka vetëm farsë zgjedhore. Tani edhe botërisht po fillon të njihet si një autokraci elektorale

17:34, 10/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i PD-së, Sali Berisha, komentoi rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale, duke i cilësuar ato si “një tjetër farsë elektorale” që, sipas tij, provon se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira e të ndershme. Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se procesi i djeshëm tregoi se vendi po njihet “botërisht si një autokraci elektorale”, ku pushteti është përqendruar në duart e një grupi të vogël dhe ku pluralizmi, sipas tij, është shtypur plotësisht.

Lideri i opozitës falënderoi kandidatët e pavarur që morën pjesë në garë për “guximin e tyre për të sfiduar regjimin”, ndërsa theksoi se pjesëmarrja e ulët në votime është dëshmi e qartë se qytetarët kanë humbur besimin tek procesi zgjedhor. Berisha shtoi se opozita nuk i bojkotoi zgjedhjet, por i mbështeti kandidatët e pavarur për të treguar, siç u shpreh ai, se “qeveria aktuale nuk zhvillon zgjedhje, por vetëm farsë elektorale”.

Në vijim, ai e cilësoi Shqipërinë si një “narkoshtet” ku, sipas tij, përfaqësues të botës së drogës janë të infiltruar në çdo institucion publik, duke theksuar se sistemi aktual nuk përfaqëson më demokracinë, por një regjim autokratik që kontrollon zgjedhjet dhe shtyp opozitën.

Fjala e tij:

Pyetje: Sa i takon zgjedhjeve të djeshme, a është një humbje e PD-së dhe e kandidatëve të pavarur. 

Sali Berisha: Njëherë ti falënderoj përzemërsisht për guxim që treguan dhe konstatuan që Shqipëria ka vetëm farsë elektorale. Tani edhe botërisht po fillon të njihet, një autokraci elektorale, apo diktatura autoritare.
Kështu që ata bënë të pamundurën, ata qytetarë intelektualë, të profesioneve të ndryshme, biznesmenë të pavarur, por konstatuan se këtu nuk ka zgjedhje, por ka farsë.

Pyetje: Si i cilësoni këto zgjedhje farsë, ku nga të dhënat zyrtare të KQZ-së votuan 20% të qytetarëve, 80% nuk dolën fare të votonin? Mos ndoshta qytetarët nuk dolën duke refuzuar PS-në dhe ju refuzojnë dhe ju, pra opozitën?

Sali Berisha: Pikërisht farsë, kjo tregon farsën dhe qytetarët e kuptuan. 
Ne nuk ishim, ne bëmë thirrje për të mbështetur të pavarurit. 

Pyetje: A i bojkotuat këto zgjedhje?

Sali Berisha: Jo nuk i bojkotuam, po të ishte bojkot themi i bojkotuam, ju smë keni dëgjuar njëherë të bëjë thirrje qytetarëve të votoni apo jo. Ne mbështetëm dhe u regjistruam për shkak të këtyre, sepse nuk përfitonin komisionerët. 
Ishin disa veprime të studiuara mirë që treguan se, kjo qeveri zgjedhje nuk bën. Se qytetarët e kanë kuptuar dhe nuk mund të dalin në zgjedhje. 

Pyetje: Mund të quhet një manovër për të shmangur përgjegjësinë e humbjes?

Sali Berisha: Jo absolutisht, por farsa është farsë.
Farsa duhet luftuar, në farsë nuk ka zgjedhje. Çfarë u kërkoj unë ju? Unë ju kërkoj ju të studioni kategoritë; çfarë është diktatura autoritare dhe çfarë është autokracia elektorale. Janë sinonime të njëra-tjetrës. Janë regjime në të cilat pushteti përqëndrohet në një dorë ose në një grup. Janë regjime të cilat nuk zhvillojnë zgjedhje, të cilat e pranojnë pluralizmin dhe e shtypin pluralizmin. Siç është kjo. Kjo është klasike.  
Por në dallim nga autokracitë e tjera elektorale, ky është narkoshtet. Lexoni përkufizimin e Fondit Monetar për narkoshtetin. Narkoshtet sipas FMN-së janë shtete në të cilat kanë infiltruar përfaqësuesit e drogës në të gjitha institucionet. 
Më thuaj mua një institucion ku nuk janë përfaqësuesit e drogës. Më thoni një institucion. Di ti emrin e një institucioni që nuk ka përfaqësues të klaneve dhe karteleve të drogës. Njihni ndonjë? 
Ju thoni pikërisht një ‘x’, nuk është.

Pyetje: Ja po mendoj Avokati i Popullit...

Sali Berisha: Avokati i Popullit nuk është institucion i shtetit, ai është një institucion krejt tjetër...

Pyetje: KLSH-ja ... 

Sali Berisha: KLSH-ja është institucioni më i agresuar nga narko-qeveria. A i pe, a i patë si ikën si minjtë ministrat, kur ai raportonte dhe ata ja mbathën si me magji, ikën. Kështu që ai është armik i regjimit.  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco