Mbledhja e Këshillit Bashkiak është shoqëruar me tensione të forta pas miratimit të një vendimi që kundërshtohej nga një grup banorësh të fshatit Çravë. Në një prononcim pas incidentit, një prej banorëve ka denoncuar një atmosferë kërcënuese, Klevi Muçllari, ka akuzuar drejtpërdrejt një anëtar të këshillit bashkiak, Pogradec.
Sipas Muçllaritm momenti i tensionit kulmoi kur anëtari i Këshillit Bashkiak, i identifikuar si Ëngjëll Shyti, "u ngrit dhe kërcënoi" palën kundërshtuese. Kjo erdhi pasi argumentet e banorëve, të cilat ai i cilësoi si "plotësisht racionale dhe të arsyeshme", u hodhën poshtë nga kryetari i bashkisë si "teka".
"Ne i paraqitëm të gjitha argumentet, por kryetari i bashkisë tha 'jo, këto janë teka'. Kjo është e pavërtetë dhe e papranueshme," deklaroi Muçllari, duke shtuar se deri në atë moment debati kishte qenë i qetë.
Ai shprehu indinjatë të thellë për këshilltarët që votuan pro vendimit. "Për këshilltarët, turp të kenë, ata që kanë mbajtur këtë qëndrim që nga fillimi. Më vjen shumë keq për ata që e ndryshuan, që u detyruan të ndryshonin bindjen e tyre," u shpreh ai.
Duke paralajmëruar se çështja nuk do të mbyllet me kaq, banori konfirmoi se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore. "Ne nuk kemi për ta lënë këtu këtë punë. Do vazhdojmë ta ndjekim ligjërisht çështjen, sepse i gjithë komuniteti është i prekur. Praktikisht, ne do luftojmë sepse s’kemi çfarë të bëjmë tjetër," përfundoi ai.
Muçllari: Atëherë, siç e patë edhe vetë, pati një moment tensioni, sepse anëtari i Këshillit Bashkiak, zoti Ëngjëll Shyti, u ngrit dhe na kërcënoi, për shkak të asaj që thashë unë, por në moment, acarimi, tensioni, jo, sepse kuptohet, pasi u miratua vendimi, vendim për të cilin ne ishim totalisht kundër. Dhe ne i paraqitëm të gjitha argumentet. Kryetari i Bashkisë tha, jo, këto janë teka, është e pavërtetë. Dhe deri në momentin që situata ishte shumë e qetë, shumë normale, çdo gjë ishte ëh, racionale. Pra të gjitha argumentet që paraqitëm ne dhe i kemi paraqitur vazhdimisht, dihen dhe janë shumë, shumë të arsyeshme. Në këtë moment kryetari i bashkisë tha, kjo është tekë dhe hajde ta ta, ta miratojmë vendimin. Pra kjo është e papranueshme. Kështu që nga ky moment ndodhi edhe tensioni me, me anëtarin e Këshillit Bashkiak. Tani, ajo çfarë është, ajo çfarë duhet të dihet me siguri, ne nuk kemi për ta lënë këtu këtë punë. Edhe për këshilltarët turp të kenë, ata që kanë mbajtur këtë qëndrim që nga fillimi. Ata që e ndryshuan, më vjen shumë keq që duhej të gjendeshin përballë kësaj situate. Ose që ata ishin të detyruar të ndryshonin bindjen e tyre, është e papranueshme. Më vjen realisht keq për gjendjen ku janë, për ata, jo për mua. Kështu që praktikisht kjo punë nuk ka për të ngelur këtu. Të gjithë ata që votuan për turp e paçin, dhe ne do vazhdojmë ta ndjekim në të gjitha hapat ligjorë. Do vazhdojmë ta ndjekim ligjërisht çështjen. Dhe ashtu siç e tha edhe Genci me të drejtë, ajo është e papranueshme sepse i gjithë komuniteti është i prekur atje. Kështu që praktikisht ne do luftojmë sepse s'kemi çfarë bëjmë. Pikë.
© SYRI.net