Miratimi i një ligji të ri në Kuvendin e Shqipërisë, pavarësisht se mori 77 vota pro, ka hapur një debat të gjerë publik, i cili shtrihet nga akuzat për mungesë transparence procedurale deri tek thelbi i tij: barazia gjinore. Diskutimi u ndez nga pretendimet e deputetëve të opozitës, të cilët deklaruan se nuk ishin vënë në dijeni të draftit final të ligjit, duke u njohur vetëm me dy versione paraprake.
Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi procesin legjislativ dhe transparencën e tij. Sipas aktivistes së të drejtave të njeriut, Elsa Ballauri, një situatë e tillë, nëse konfirmohet, nuk do të ishte normale, por ajo theksoi se kjo mund të pasqyrojë një problem historik të funksionimit të Parlamentit shqiptar, ku jo gjithmonë ka pasur transparencë të plotë.
Nga studioja e 'Kafe Shqeto', aktivistja argumentoi se thelbi i këtij akti normativ nuk lidhet me çështje të tjera dytësore, por ka në fokus një nga temat më themelore dhe të rëndësishme për shoqërinë: barazinë mes burrit dhe gruas dhe përmirësimin e gjendjes së grave në Shqipëri.
Sipas saj, barazia gjinore është një ndër sfidat më të mëdha globale dhe duhet të jetë një prioritet absolut për Shqipërinë.
Ajo kritikoi faktin se, pavarësisht sloganeve dhe diskutimeve të shumta, vendi është ende në hapat e parë të arritjes së një barazie reale.
“Nuk mjaftojnë vetëm rregullimet me ligj, por ka rëndësi se çfarë ndodh në shoqërinë shqiptare dhe si implementohen këto ligje,” u shpreh ajo, duke theksuar se zbatimi në praktikë mbetet sfida kryesore.
Pjesë nga deklarata:
"Tani këtë, këtë investigim e keni bërë ju dhe ajo që më thoni nuk më duket shumë e çuditshme kur ligjet nuk njihen mirë nga, nga gjithë deputetët, sepse kam përshtypjen, ndoshta unë paragjykoj dhe mund të mos jem e drejtë këtu.
Shpeshherë kjo është dhe mënyra se si Parlamenti shqiptar ka punuar historikisht. Domethënë, nuk është se janë kaq shumë transparent me njëri-tjetrin apo nuk kemi një parlament perfekt domethënë në këtë, në procedurat e kryera.
Tani kjo është çështje e tyre dhe në qoftë se ata e kanë thënë këtë gjë, natyrisht nuk është normale dhe duhet të dihen shkaqet pse.
Nga ana tjetër, ligji, për mendimin tim, me aq sa e kam lexuar, e kam lexuar disa herë ligjin dhe ligji sigurisht, dihet që nuk është, nuk është çështja e gjinive kryesorja në këtë ligj dhe aq më tepër ajo është pothuajse e pandjeshme atje kur e lexon.
Ka të bëjë me një gjë shumë më të rëndësishme sesa kjo, për barazinë e burrit me gruan, për gjendjen e grave dhe kjo është shumë e rëndësishme. Barazia gjinore është një nga çështjet më të mëdha që, që diskutohet sot në botë dhe në Shqipëri duhet të jetë shumë prioritare.
Gjithmonë duhet të jetë prioritare për sa kohë ne thjesht kemi slogan, flasim shumë, por realisht çështja e barazisë është gjithmonë në fillimet e veta në Shqipëri. Sepse nuk është vetëm, rregullimet me ligj, por është se çfarë ndodh në, në shoqërinë shqiptare, si implementohen ligjet'.
© SYRI.net