Procesi i votimit në Bashkinë e Cërrikut është mbyllur me një pjesëmarrje historikisht të ulët, ku vetëm rreth 25% e qytetarëve me të drejtë vote i janë drejtuar kutive të votimit. Të dhënat paraprake, ndërkohë që pritet ende raportimi nga 10 qendra votimi, tregojnë se kanë votuar 7,954 qytetarë nga 38,724 që ishin gjithsej në listat e zgjedhësve.
Gazetarja e Syri tv Margarita Mëhillka, tha se procesi i votimit në 57 qendrat e shpërndara në pesë njësitë administrative të bashkisë përfundoi në orën 18:00. Përgjithësisht, dita e zgjedhjeve u karakterizua nga një atmosferë e qetë dhe pa ndërprerje të theksuara që prej hapjes së qendrave në orën 7:00 të mëngjesit.
Megjithatë, u shënua një incident i vetëm në njësinë administrative Klos. Aty u ngritën dyshime se një prej vëzhguesve ka përdorur aparatin celular ndërkohë që dy anëtarë të një familjeje po ushtronin të drejtën e tyre të votës. Situata u menaxhua dhe rasti u dokumentua në procesverbalet përkatëse, pa ndikuar në vijimësinë normale të procesit.
Pas mbylljes së votimit, ka nisur dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë qendrës së numërimit, ku do të nisë procesi i numërimit të votave për të përcaktuar rezultatin final. Pjesëmarrja e këtij viti në Cërrik cilësohet si më e ulëta në krahasim me zgjedhjet e mëparshme për kryetar bashkie.
Armela Ferko: Me Margarita Mëhillkën shkojmë menjëherë në Bashkinë e Cërrikut për të përcjellë detajet që vijnë prej aty. E theksoj dhe njëherë, nga të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth 25% është pjesëmarrja, po mungojnë edhe 10 qendra votimi pa u raportuar.
Margarita Mëhillka: Të përshëndes. Ka përfunduar procesi i votimit dhe në Bashkinë e Cërrikut, kryesisht në pesë njësitë administrative në fakt dhe në 57 qendrat e votimit që ndodhen në Bashkinë e Cërrikut, ka përfunduar që prej orës gjashtë. Aktualisht janë raportuar 47 qendra votimi dhe votuesit në këto qendra, teksa pritet që të përfundojë dhe raportimi për 10 qendrat e tjera. Deri në këto momente raportohet se kanë votuar rreth 25% e qytetarëve të cilët kanë pasur të drejtën e votës dhe më konkretisht kanë votuar rreth 7954 votues nga 38.724 të tillë. Në fakt procesi është zhvilluar pa pa ndonjë konflikt në fakt dhe ka qenë një proces i qetë, pa ndërprerje që prej orës 7:00 të mëngjesit, teksa i vetmi problem është zhvilluar në njësinë administrative Klos, ku dyshohet se një prej vëzhguesve ka përdorur celularin teksa dy familjarë kanë qenë duke votuar. Në fakt, procesi ka vijuar normalisht edhe në këtë qendër votimi, teksa janë marrë procesverbale dhe janë shënuar të gjitha veprimet që kanë ndodhur në ato momente. Fatmirësisht është zgjidhur çështja, teksa në këto momente vijon dhe dorëzimi i materialeve zgjedhore pranë komisionit që ndodhet pas shpinës time, ku do të bëhet dhe numërimi.
Armela Ferko: E qartë. Margarita, a ka të dhëna, sepse ne kujtojmë, ti e the pak më parë, për të gjithë ata që na ndjekin, që janë pesë njësi administrative që përbëjnë Bashkinë e Cërrikut. Arrijmë ta analizojmë se cila ka qenë me pjesëmarrje më të ulët ose çfarë vihet re? Çfarë do të vije ti re nga gjithë raportimi që ti ke bërë sot, lidhur me pjesëmarrjen, e cila mbetet e ulët në të gjitha bashkitë, ë? Në të pesta bashkitë.
Margarita Mëhillka: Po. Në fakt votimi i qytetarëve ka qenë minimal le të themi në ditën e sotme, në Bashkinë e Cërrikut ka qenë më i ulët se në të gjitha vitet e tjera të mëparshme ku është zhvilluar votim për kryetar, zgjedhjen e kryetarit të bashkisë.
© SYRI.net