Sot, rreth 335 mijë qytetarë në të gjithë vendin do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj në pesë bashki: Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.
Bashkia me numrin më të madh të votuesve është Vlora, me afro 171 mijë zgjedhës, ndërsa më e vogla mbetet Tepelena, me rreth 13 mijë votues.
Kandidatët në garë:
Në këto zgjedhje, Partia Socialiste ka paraqitur kandidatët e saj:
• Brunilda Mersini në Vlorë
• Ervin Ceca në Berat
• Gramoz Sako në Tepelenë
• Florenc Doka në Cërrik
• Altin Bojni në Mat
Nga ana tjetër, opozita nuk ka paraqitur kandidatë zyrtarë politikë, por ka zgjedhur të mbështesë kandidatë të pavarur.
Në Vlorë, opozita mbështet Dionis Sotën, ndërsa në garë është edhe Gjergj Nika, anëtar i Këshillit Bashkiak të dalë nga lista e PD-së në vitin 2023.
Në Berat, kandidat i pavarur i mbështetur nga opozita është Pavlo Shkarpa.
Në Tepelenë, garon Gabriel Guma; në Cërrik janë në garë Amarildo Hoxha (i pavarur) dhe Eligert Hima nga “Lëvizja Shqipëria Bëhet”.
Në Mat, përballen Eduart Brahilika (i pavarur) dhe Suzana Pasha, ish-drejtuesja e Forumit të Gruas në PS.
Masat e sigurisë
Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash sigurie.
Në total, janë marrë në ruajtje 473 qendra votimi dhe 9 godina ku ndodhen Komisionet Zonale të
Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), ku do të zhvillohet edhe procesi i numërimit të votave.
Kryebashkiakët që do të zgjidhen nga këto zgjedhje do të mbajnë detyrën deri në vitin 2027, kur pritet të zhvillohen zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor në të gjithë vendin.
© SYRI.net