Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin ‘Syri Digjital’, ka folur për situatën aktuale në sallën e parlamentit, duke shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si funksionon sot institucioni më i lartë ligjvënës në vend.
Sipas Gjonit, parlamenti shqiptar është shndërruar në një garnizon ushtarak që zbaton urdhrat e komandantit Edi Rama, ndërsa shteti po rrëshqet çdo ditë e më shumë drejt autokracisë.
‘Duke qenë se jam edhe deputet i ri dhe normalisht duke parë edhe eksperiencat e mëparshme, jo drejtpërdrejtë në seancë plenare, por tani po e shoh që ky parlament ka humbur kuptimin, është kthyer në një garnizon ushtarak dhe parlamenti nuk mund të quhet më parlament. Për arsye shumë të thjeshtë sepse aty shkohet vetëm për të votuar. Nuk shkohet për të diskutuar, nuk shkohet për të kontestuar, nuk shkohet për të shprehur qëndrimin dhe mendimin e lirë,’ deklaroi deputeti demokrat.
Ai theksoi se mazhoranca, për shkak të numrave dhe taktikave të përdorura, po shkel në mënyrë flagrante rregulloren e parlamentit, duke mbytur çdo zë opozitar.
‘Opozita e cila ka veç fjalën në parlament, sepse mekanizmi i cili është ndërtuar nga ana e mazhorancës edhe për shkak të numrave por edhe me taktikat e të cilët po përdoren nga ana e tyre, ka një shkelje flagrante të njëpasnjëshme të rregullores së parlamentit. Unë them që ky është shqetësimi më i madh për një vend demokratik dhe ashtu siç e kanë përmendur edhe politikanë të tjerë, por edhe unë me të drejtë e kam thënë që shteti po rrëshqet dita ditës në një autokraci jashtëzakonisht shumë problematike,’ u shpreh Gjoni në SYRI TV.
Deputeti shtoi se mënyra e funksionimit të shtetit dhe e qeverisë aktuale është bërë tepër problematike, ndërsa parlamenti ka humbur funksionin e tij kushtetues dhe është kthyer në një institucion formal që vetëm vulos vendimet e qeverisë.
‘Për shkak edhe të situatës e cila është krijuar sot në Shqipëri, në mënyrën se si po operon qeveria dhe mazhoranca në lidhje me parlamentin e sotëm. Parlamenti është kthyer në një noter ashtu siç edhe progres raporti,’ theksoi deputeti i PD-së.
Duke vijuar me kritikat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama, Gjoni tha se kjo qeveri jo vetëm është e zhytur në korrupsion, por ka humbur edhe çdo mënyrë komunikimi me qytetarët shqiptarë dhe me partnerët ndërkombëtarë.
‘Padyshim që mënyra se si po operon kryeministri Rama dhe mënyra se si po operon parlamenti rezulton që kjo qeveri ka humbur çdo logjikë dhe përveç faktit që është e zhytur në korrupsion, po humb edhe mënyrën e komunikimit dhe mënyrën e prezantimit të paktën me shqiptarët sepse me evropianët, në pikëpamjen time, edhe raporti i OSBE-ODIHR-it por edhe njëkohësisht edhe raporti i progres raporti i fundit i paraqitur në lidhje me zhvillimet e demokracisë dhe njëkohësisht edhe me zhvillimet politike në Shqipëri, tregon se situata është alarmante,’ u shpreh deputeti Gjin Gjoni.
Deputeti demokrat përfundoi duke paralajmëruar se rrëshqitja e shtetit drejt autokracisë është një kërcënim real për demokracinë shqiptare dhe për rolin e opozitës në vend.
© SYRI.net