Lajmi i fundit

LIVE/ Unioni i sindikatave në protestë para Minstrisë së Financave

'Marta Kos te reagojë për pastrimin e parave dhe terrorizmin elektoral', Vasili: Deklaratat e Berishës për Gonzaton korrekte

15:39, 07/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Përplasja e fundit politike që përfshiu ish-kryeministrin Sali Berisha dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian është cilësuar si një "histori e sajuar sorosiane", e cila ka për qëllim të largojë vëmendjen e publikut nga miratimi i një ligji të diskutueshëm për identitetin gjinor dhe gjendja alarmante e vendit. Ky qëndrim u shpreh nga Petrit Vasili, i cili akuzoi drejtpërdrejt Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kost, për një ndërhyrje të njëanshme dhe të dëmshme.

I ftuar në intervistën e ditës Ish-deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasilit, u shpreh se i gjithë debati rreth komenteve të Berishës për ambasadorin e BE-së është një "ngjarje false", e krijuar artificialisht për të mbuluar atë që ai e quan "miratim kriminal" të një ligji që "shpërbën familjen" dhe cenon themelet e shoqërisë shqiptare. Ai theksoi se ky ishte një "sebep i ri", i shpikur sipas një "axhende mirëfilli sorosiane", për të shmangur diskutimin mbi problemet reale.

Në qendër të kritikave të tij ishte Komisionerja Marta Kost, ndërhyrja e së cilës u konsiderua si një "sinjal shumë negativ për Europën". Vasili vuri në dukje kontradiktën mes deklaratave të fundit të Kost për "progresin e jashtëzakonshëm" të Shqipërisë dhe realitetit të hidhur në terren.Vasili e lidhi qëndrimin e komisioneres me takimet e saj me George Soros. Vasili theksoi se kur një figurë publike zgjedh të ndajë detaje nga jeta private, ai i hap rrugë komentit publik.

Më tej, ai akuzoi BE-në për standarde të dyfishta, duke pyetur pse Komisionerja Kost shqetësohet për një ligj në Shqipëri, por hesht për legjislacione të ngjashme, ose edhe më konservatore, të miratuara në vende anëtare si Hungaria dhe Sllovenia.

Pjesë nga deklarata:

E gjithë kjo histori, me dy fjalë për të gjithë shqiptarët që na ndjekin, është një histori sorosiane, për të krijuar një ngjarje të rreme, që është thjesht një shpikje, nuk është asgjë, dhe për të devijuar vëmendjen nga miratimi kriminal i një ligji që shpërbën familjen dhe shkatërron themelin, atë që ka qenë fuqia e shqiptarëve, familja, solidariteti familjar dhe të tjera, që i ka mbajtur ata edhe në kohë të vështira. Kjo është shpikur sipas një agjende të mirëfilltë sorosiane, për të krijuar një arsye të re për të mos folur për temën kryesore.

Sigurisht, përzierja në këtë debat e Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kost, është një sinjal shumë negativ për Europën. Sepse Europa dhe Marta Kost, e cila para një dite e gjysmë, dy ditë më parë, foli për një progres të jashtëzakonshëm të Shqipërisë lidhur me axhendën europiane, tani shtohet kjo gjë tjetër. Saktësisht, kjo zyrtare e lartë, po ju them me sinqeritet, se këto konsiderata i kam mbajtur edhe me komisionerë të tjerë, që kanë paraprirë këtë zonjë. Dhe në rastin konkret, po them drejtpërdrejt: Cili ishte progresi i jashtëzakonshëm që ka parë Marta Kost në Shqipëri? I vetmi progres që Shqipëria ka shënuar është ai në drejtim të korrupsionit, ku është një vend i paarritshëm për korrupsionin, jo vetëm në Europë, por edhe në botë, pasi është i dyti në botë.

Në Europë nuk ka të krahasuar. Treqereku i qeverisë është nën hetim për afera miliardere. Shqipëria është kthyer në një narkoshtet, jo vetëm sipas konstatimeve të vazhdueshme të opozitës shqiptare, por edhe sipas mediave më prestigjoze europiane, botërore, amerikane e të tjera, të cilat sigurisht i vijnë në tavolinën e zonjës Kost. Së treti, Shqipëria është një vend ku pastrohet paraja masivisht, saqë është kthyer në një shqetësim europian. Në raportet progresive që prodhohen nga institucionet ku bën pjesë Marta Kost, thuhet kjo, dhe kulmi, ajo që shpërbën të tërë themelin e Republikës, është grabitja, masakrimi dhe terrorizmi elektoral. Praktikisht, Shqipëria sot është vendi me problemet më të rënda për veten e saj, por këto probleme kanë filluar të dalin jashtë Shqipërisë dhe të kthehen në shqetësim europian. Jo më larg se sot, një rrjet investigativ francez, pas atij holandez, flet qartazi për një narkoshtet në zemër të Europës.

Sigurisht, nëse ke takime të përzemërta me George Soros, nuk mund të jesh pro axhendave që luftojnë spekulimin e të tjerë. Dhe njëkohësisht, shpiket një debat që është krejtësisht i stisur. Deklaratat e Berishës kanë qenë më korrekte. Ky ambasador i BE-së, Gonzato, ka zgjedhur vetë, me vullnet të lirë, të ndajë elementë të jetës së tij private, dhe të gjithë kanë të drejtën, e gjithë të drejtën e Zotit, edhe të drejtën e demokracisë për të bërë komente, qofshin ato që mund të pëlqehen apo jo. Ndërkohë, prononcimi i Berishës ishte shumë korrekt, ai vetëm ripërsëriti ngjarjet ashtu siç ishin.

Por të kthehemi sërish te zonja Marta Kost. A u shqetësua ajo? Pse nuk doli publikisht dhe nuk mbajti një qëndrim të ashpër, të papajtueshëm dhe të egër ndaj presidentit Donald Trump, i cili miratoi një ligj të shkëlqyer që e njeh vetëm dy gjini? Kjo është pyetja e parë. Pyetja e dytë: Nëse këto problematika e shqetësojnë shumë Shqipërinë, një vend kandidat për anëtarësim, pse në Slloveni, një vend anëtar, u miratua një ligj i qartë lidhur me ndarjen e gjinive? Po në Hungari, një vend tjetër anëtar, që në prill të këtij viti miratoi të njëjtin ligj? Pra, këto nuk janë vende kandidate, janë vende anëtare. Pra, nuk është një kusht, thoni ju.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco