Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka reaguar pas publikimit të raportit final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar atë si “bombën që demaskon përfundimisht farsën elektorale dhe rivlerëson qëndresën opozitare”.
Në një postim në “Facebook”, Mziu thekson se raporti konfirmon të gjitha konstatimet publike të Partisë Demokratike për procesin zgjedhor, duke renditur një sërë shkeljesh të rënda që, sipas tij, deformuan vullnetin e qytetarëve.
Sipas deputetit, në raport theksohen përdorimi masiv i administratës publike, lidhjet e krimit të organizuar me politikën në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vorë, manipulimi i mjedisit mediatik dhe përdorimi i gjuhës fyese me etiketime diskriminuese si “çyryk” e “autik”. Ai shton se dokumenti i OSBE-ODIHR vërteton edhe akuzat për blerjen e votave, përdorimin e burimeve shtetërore për bonuset ndaj pensionistëve, faljen e gjobave dhe “asfaltin elektoral”.
Mziu nënvizon se raporti vlerëson qëndresën e Partisë Demokratike kundër farsës së 11 majit, një proces që, siç e cilëson ai, “në mënyrë kriminale, u përpoq të zëvendësonte vullnetin e qytetarëve me makinerinë patronazhiste të partisë-shtet”.
Deputeti shton se përndjekja dhe burgosja politike e liderëve të opozitës mbetet “njolla më e rëndë për demokracinë dhe liritë politike në Shqipëri”, ndërsa e quan raportin “pasqyra e plotë e asaj që ndodhi më 11 maj”.
Në përfundim, Mziu bën thirrje për reagim qytetar dhe politik ndaj asaj që e quan “farsë zgjedhore”, duke theksuar se “mbrojtja e zgjedhjeve të lira dhe demokracisë është detyrë morale e çdo shqiptari që beson në perspektivën europiane të vendit”.
Postimi i plotë:
Bomba e OSBE-ODIHR demaskon përfundimisht farsën e 11 majit dhe rivlerëson qëndresën opozitare!
Raporti final i OSBE-ODIHR konfirmon të gjitha konstatimet publike të Partisë Demokratike për zgjedhjet e 11 majit.
Në raport theksohen:
Përdorimi masiv i administratës publike – duke fshirë kufirin mes shtetit dhe partisë.
Lidhjet e krimit të organizuar me politikën, veçanërisht në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Vorë.
Manipulimi i mjedisit mediatik, përdorimi i gjuhës fyese e diskriminuese me epitetet “çyryk”, “autik”.
Blerja e votuesve, përdorimi i makinerisë shtetërore për falje gjobash, bonuset për pensionistët dhe asfaltin elektoral.
Të gjitha këto janë denoncuar nga opozita, me prova, foto e video autentike, që sot marrin vulën zyrtare të OSBE-ODIHR!
Raporti vlerëson qëndresën e Partisë Demokratike kundër farsës zgjedhore të 11 majit — një proces që, në mënyrë kriminale, u përpoq të zëvendësonte vullnetin e qytetarëve me makinerinë patronazhiste të partisë-shtet.
Përndjekja dhe burgosja politike e liderëve të opozitës mbetet njolla më e rëndë për demokracinë, liritë politike dhe individuale në Shqipëri.
Ky raport është pasqyra e plotë e asaj që ndodhi më 11 maj — dhe reagimi ndaj asaj farse është dhe mbetet detyrë morale e çdo qytetari e faktori politik që beson te zgjedhjet e lira, demokracia dhe perspektiva europiane e vendit tonë.
© SYRI.net