Drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë në Partinë Demokratike, Franci Nuri, ka vlerësuar raportin final të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 11 majit si një dokument që konfirmon në mënyrë të qartë pretendimet e opozitës për parregullsitë e rënda zgjedhore.
Në një intervistë në SYRI TV, Nuri theksoi se raporti tejkalon pritshmëritë e PD-së, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një ‘farsë elektorale’, ku blerja e votës, presioni ndaj administratës dhe mungesa e hetimeve efektive janë fakte të dokumentuara nga një autoritet ndërkombëtar i besueshëm. Nuri theksoi se ky është raporti më i ashpër që Shqipëria ka marrë ndonjëherë nga OSBE-ODIHR pas rënies së diktaturës, duke e cilësuar atë si një shuplakë të fortë për institucionet që dështuan në garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Franci Nuri: Raporti final i OSBE ODIHR, për zgjedhjet e 11 majit, normalisht ishte një raport i shumëpritur për opozitën dhe PD. Edhe pse u vonua, shpjegohet për faktin të volumit të madh të informacioneve që PD në tërësi i ka vënë në dispozicion OSBE-ODIHR vazhdimisht deri para pak javësh dhe është një raport i cili e tejkalon pritshmërinë e PD në faktimin e farsës elektorale, në faktimin me prova të pakundërshtueshme sepse është një arbitër ndërkombëtar tashmë që po e thotë dhe po i fakton publikut shqiptar por edhe atij ndërkombëtar. Njeh zgjedhjet dhe problematikat në zgjedhje dhe i thotë me një raport ndërkombëtar që zgjedhjet e 11 majit nuk ishin zgjedhje, ishin një farsë elektorale. Ishin zgjedhjet më të këqija të mundshme që ka patur ndonjëherë Shqipëria në 30 e kusur vite pluralizëm dhe është raporti final më i ashpër që mund të ketë patur ndonjëherë Shqipëria si vend që organizon zgjedhje pas rënies së diktaturës.
Kështu që, unë e vlerësoj raportin si një raport realist i cili i ka dhënë pothuajse 100% të drejtë PD, opozitës në të gjitha pretendimet kryesore, në të gjitha akset që ne i kemi denoncuar farsën zgjedhore.
Për të qenë më konkret, e fillojmë me blerjen e votës. Raporti e përmend, dhjetëra raste të shpërndarjes së parasë dhe dhuratave në këmbim të votës. Raporti i OSBE-së e thekson se hetimet kanë qenë të kufizuara dhe jo efikase. Pra, edhe një shuplakë ndaj institucioneve të drejtësisë, të cilët duhet të hetonin dhe parandalonin krimin zgjedhor me task-forcat e tyre. Nuk ia arritën dot parandalimit, por hetimet kanë qenë joefektive.
Së dyti, presion mbi administratën dhe mbi qytetarët. Ajo që kemi thënë që përpara nisjes së fushatës elektorale, e jo më gjatë fushatës. Mbledhja e punonjësve të administratës me grupe whatsupp.
© SYRI.net