Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar ndaj talljes së Ramës me deklaratën lapsus të Presidentit Trump, duke e cilësuar si "provokacione diplomatike të rënda", të cilat, sipas tij, rëndojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I ftuar në një intervistë në edicionin e lajmeve në Syri TV, Shehu u shpreh se sjellja e qeverisë shqiptare bie në kundërshtim me interesat kombëtare dhe strategjinë e jashtme të vendit, duke kritikuar heshtjen e saj ndaj planit të paqes të Donald Trump në Lindjen e Mesme.
Tritan Shehu: Në politikë nuk ka batuta të tilla, nuk bëhen. Këto për mua janë provokacione diplomatike, të rënda të cilat kanë një bekgraund tjetër dhe që realisht rëndojnë marrëdhëniet tona me SHBA. Në këtë mënyrë, me padyshim bie ndesh me interesat e Shqipërisë, bie ndesh me interesat e shqiptarëve në tërësi dhe janë në kundra sens me atë strategjinë tonë kombëtare në problemet e politikës së jashtme.
Unë e shoh këtë gjë të lidhur edhe me veprime të tjera. E shoh me veprime që fatkeqësisht kjo qeveri në vend që të përfaqësojë interesat e shqiptarëve, përfaqëson interesa të tjera. Ju e shikoni, aktualisht po zhvillohen fatmirësisht me sukses, plani i Trump për paqen në Gaza dhe Lindjen e Mesme. Një ngjarje kjo historike, një ngjarje shumë e rëndësishme. Një ngjarje që rikonfirmon rolin e SHBA por dhe rolin e Trump si paqebërës në botë. Asnjë mbështetje nga qeveria shqiptare. Heshtje e plotë. Ju do të thoni se ç’rol do të ketë qeveria shqiptare. Jam dakord që është një vend i vogël dhe nuk ka interesa të veçanta në ato zona dhe as nuk mund të luajë role. Por në politikat tona, ne ato zona i ndjekim hap pas hapi SHBA-në. Sikur edhe formalisht, do të duhej një deklaratë zyrtare, do të duhej një mbështetje, do të duhej një sinkronizim, do të duhej një përshëndetje të planit të trump në atë zonë ku ka një luftë.
© SYRI.net