Një në intervistë në edicionin e lajmeve të paradites në Syri TV, Dedë Kola, banor në Theth, shprehet i tronditur dhe i indinjuar pas prishjes së godinës së ndërtuar nga familja e tij, për të cilën pretendon se nuk ka pasur asnjë njoftim paraprak nga autoritetet. Sipas tij, dëmi i shkaktuar i kalon 300 mijë eurot, ndërsa familja përballet edhe me një gjobë prej rreth 70 milionë lekësh për ndërtim pa leje, e cila ende nuk është komunikuar zyrtarisht nga gjykata.
Dedë Kola: Rreth 300 mijë euro është dëmi i shkaktuar në familjen tonë. Ne na kanë thënë të paguajmë dhe gjobën në Gjykatë. Ne nuk dimë çfarë vendi është gjykata, ende nuk na ka thirrur gjykata. Janë edhe rreth 70 milionë lekë gjobë për ndërtim pa leje.
Ndërtimi ka nisur në vitin 2021, ka përfunduar në vitin 2023. Çatia iu vu këtë vit. Asnjë institucion nuk na tha gjë. Asnjë lloj paralajmërimi. Kjo ishte goditja më e rëndë e fatale që na ka ndodhur. Kur kam dalë në mëngjes jashtë e kemi qenë të rrethuar, i kam thënë vetes: As kriminel të isha, nuk bëhet kështu...
Unë do pretendoj të marr ndonjë avokat që ka potencial. Pretendoj ta çoj në gjykatë. Do ta çoj deri në gjykatën evropiane, sepse këtu nuk gjen drejtësi.
© SYRI.net