VIDEO/ Këlliçi: Po propozojmë një kandidaturë të pavarur, të rimarrim kryeqytetin nga Rama

17:49, 04/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në Edicionin e Pasdites në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, përballë moderatorit Edvin Parruca bëri të ditur se mbi 90% e anëtarëve të kryesisë së PD kanë shprehur mendimet e tyre lidhur me strategjinë për zgjedhjet lokale, duke theksuar se interesi i partisë dhe opozitës është vendosur në plan të parë.

‘Mbi 90% e anëtarëve të kryesisë kanë folur dhe kanë dhënë mendimet e tyre. Aty prevalon interesi i PD, demokratëve dhe opozitës, pa diskutim. Edhe unë, edhe pse jam në grupin negociator së bashku me Flamur Nokën dhe Ilir Alimehmetin për të arritur një konsensus me partitë e tjera opozitare, edhe unë kam interesin politik të PD fillimisht, pastaj modalitetet dhe formulat për të maksimalizuar suksesin është çështje tjetër,’ deklaroi Këlliçi.

Ai sqaroi se qëllimi kryesor është krijimi i mundësisë për një kandidaturë të pavarur, që të mbështetet nga gjithë spektri opozitar dhe të përfaqësojë qytetarët përballë pushtetit aktual në Tiranë dhe në bashkitë ku do të mbahen zgjedhje.

‘Në fund kemi dakordësuar për të patur mundësinë, për t’i dhënë mundësinë qytetarëve në Tiranë dhe 5 bashkive të tjera ku ka zgjedhje, që të gjithë qytetarët që jetojnë dhe punojnë jo vetëm në Tiranë, por dhe në bashkitë e tjera, të kenë një kandidat që mundet të jetë i pavarur dhe të mbështetet nga spektri i partive opozitare,’ theksoi ai.

Këlliçi shtoi se kjo kandidaturë mund të vijë nga fusha të ndryshme të jetës publike, duke nënvizuar rëndësinë e përfshirjes së personaliteteve jashtë politikës.

‘Mund të jetë një kandidaturë që vetëofrohet e tillë, nga shoqëria civile, aktivizmit, diaspora, biznesi, arti e kultura. Pra, ka Tirana personalitete të jashtëzakonshme dhe me këtë regjim të instaluar duhet të vijë momenti që të përballen edhe intelektualët, profesorët dhe jo vetëm forcat politike.’

Deputeti demokrat theksoi se objektivi është krijimi i një fronti të gjerë mbështetës për të maksimizuar shanset e fitores dhe për t’i marrë kryeqytetin mazhorancës.

‘Duhet të krijojmë një masë më të madhe njerëzish, mbështetësish për të maksimalizuar shanset, për të arritur fitoren dhe për të rrëzuar në fund të ditës Edi Ramën dhe për t’i marrë kryeqytetin. Arsyeja e kësaj vendimmarrje është për të marrë kryeqytetin nga duart e Edi Ramës, sepse po i more kryeqytetin, i ke hequr nga duart një llokmë të madhe pushtetit, me të cilën Edi Rama blen dhe kontrollon votën,’ tha ndër të tjera në SYRI TV, deputeti i PD, Belind Këlliçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco