'Shqipëria ka nevojë për jetë, jo për beton', PL: Qeveria po favorizon ndërtimin e kullave, qytetarët po braktisin vendin e tyre

'Shqipëria ka nevojë për jetë, jo për beton', PL: Qeveria po favorizon ndërtimin e kullave, qytetarët po braktisin vendin e tyre

14:06, 30/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zëdhënësja e Partisë së Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, në një deklaratë për media theksoi se Shqipëria po përjeton një krizë të thellë urbane dhe demografike, ku popullsia ikën në masa të mëdha ndërsa qytetet mbushen me kulla bosh dhe çmime të papërballueshme banesash.

Ajo paralajmëroi se vetëm gjatë vitit 2024, në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për mbi 1.9 milionë metra katrorë ndërtesash, ndërsa rritja reale e popullsisë ishte minimale, duke nxjerrë në pah kontrastin dramatik midis zhvillimit të betonit dhe boshatisë së qytetit.

Memelli theksoi se kjo situatë nuk përbën zhvillim të qëndrueshëm, por një katastrofë urbane dhe shpopullim kombëtar, ku politika e qeverisë duket të favorizojë pastrimin e parave dhe spekulimin, duke e bërë të pamundur për familjet e zakonshme shqiptare të blejnë ose marrin me qira një shtëpi.

Ajo kërkoi ndalimin e menjëhershëm të lejeve abuzive, vendosjen e kontrollit mbi çmimet e banesave dhe mbështetje konkrete për strehimin social dhe familjet e reja, duke theksuar se çdo kullë e re pa njerëz është një gur më shumë në varrin e shpresës për të jetuar në këtë vend.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Sot po jetojmë një paradoks tragjik, Shqipëria po shpopullohet me shpejtësi, shqiptarët po ikin nga vendi, ndërsa në Tiranë e qytete të tjera ngrihen kulla pas kulle, si simbole të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Vetëm në vitin 2024, në Tiranë janë dhënë leje ndërtimi për mbi 1.9 milionë metra katrorë ndërtesash. Dhe e dini sa është shtuar popullsia? Vetëm me 1,766 banorë. Pra, ndërsa njerëzit largohen, betoni mbulon çdo hapësirë të qytetit. Ky nuk është zhvillim, kjo është katastrofë urbane dhe shpopullim kombëtar.

Ndërkohë, çmimet e banesave kanë arritur nivele stratosferike. Vetëm vitin e kaluar, çmimet e apartamenteve në Shqipëri u rritën me 16.6%, duke na renditur ndër vendet me rritjen më të lartë në Europë. Mesatarja arriti 1,620 euro për metër katror, ndërsa në Tiranë shkon deri në 2,000 euro, e në Vlorë mbi 2,400 euro. Një familje e zakonshme shqiptare nuk ka më mundësi të blejë ose të marrë me qira një shtëpi.

Pra, shqiptarët ikin, vendi boshatiset, ndërsa qeveria lejon që kulla të ngrihen pa kriter dhe çmimet të kapin qiellin. Kjo nuk është politikë zhvillimi, është politikë shkatërrimi. Është pastrim parash, është spekulim, është përjashtim i qytetarëve nga e drejta më themelore, të kenë një strehë mbi kokë.

Shqipëria nuk mund të jetë një vend me kulla të zbrazëta dhe qytete pa njerëz. Nuk mund të kthehemi në një tokë betoni pa jetë.

Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për këtë realitet. Duhet të ndalet menjëherë dhënia e lejeve abuzive, të vendosen politika për kontrollin e çmimeve të banesave, dhe të ketë mbështetje për strehimin social dhe familjet e reja. Përndryshe, çdo kullë e re që ngrihet është një gur më shumë në varrin e shpresës për të jetuar në këtë vend.

Shqipëria ka nevojë për njerëz, jo për kulla bosh. Ka nevojë për jetë, jo për beton. Dhe kjo është përgjegjësia e parë e çdo qeverie që do të quhet e tillë.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco