Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, Alba Kepi: Ishte një ekzekutim...

Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, Alba Kepi: Ishte një ekzekutim...

10:52, 30/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv ka qenë gazetarja nga Roma Alba Kepi e cila ka komentuar detajet rreth vrasjes së një biznesmeni italian dy ditë më parë në Tepelenë.
Në bisedë më moderatorin Flavio Qarri ajo tha se, “padyshim, është ekzekutim, pavarësisht se mundohen ta kalojnë në banalitetin e dritave të gjata, e një çobani që shtiu”. “Prandaj ne duhet të lexojmë edhe mënyrën se si është shpërndarë ky lajm”.

Flavio Qarri: Çfarë dimë nga burime italiane për këtë ngjarje. Çfarë thonë ata?

Alba Kepi: Ata thonë se kemi informacione kontradiktore, pasi kanë kaluar 72 orë tashmë nga ngjarja dhe vijojnë të ketë informacione që rrëzojnë orë pas ore njëra – tjetrën. Siç e përcolle në kronikë, tashmë kemi një version zyrtar të policisë. Por lajmet e para ishin se askush nuk po kuptonte se si kishte humbur jetën 44 - vjeçari italian. Fillimisht u tha se u gjet në rrugë dhe u ndihmua. Me pas u tha se humbi jetën i ndihmuar nga shoqëruesit e tij pasi kishte humbur shumë gjak nga goditja e një plumbi. Pastaj se kishte marrë një goditje në kokë. Pra një ngjarje e cila edhe me këto detaje që janë zbardhur gjatë orëve të fundit e bëjnë të mendojmë se kemi të bëjmë më shumë me një kontroll territori. Pra një luftë mes personash për të ruajtur edhe për të menaxhuar një territor të caktuar, tipike mafioze. Pasi fakti se në atë çantë të braktisur janë gjetur dy dylbi, njëra me rreze infra të kuqe dhe një tjetër termike që do të thotë në këtë nivel kaq të lartë, që personi që ka kryer vrasjen, ka pasur apo menaxhon për të identifikuar persona të caktuar dhe për të qëlluar me shënjestër. Pasi në një kërkim të vogël të shkurtër që bëra për ndryshimin në mes këtyre dy dylbive, pse i duhej një personi që ti mbante të dyja kuptova se ajo me rreze të kuqe shërbente deri diku për të dalluar individët apo personat në orët e errëta të natës. Kurse dylbitë termike shërbenin kur kishte mjegull, kur kishte mot të keq. Pra duhet të themi se kemi një nivel mjaft të lartë të personit që menaxhonte këtë stil jete.

Padyshim që edhe deklarata zyrtare e “Konfindustrias” është prokupuesja. Ata kanë dalë me apel të fortë. Kërkojnë informacion të shpejtë dhe transparent. Kërkojnë siguri për klimën e biznesit dhe garanci për klimën e biznesit. Dhe kanë informuar që do të jenë aktivë sa i takon dhe procesit gjyqësor. Pra besoj se kanë aktivizuar edhe një grup avokatësh që do të merren me ketë ngjarje. Dhe të mos harrojmë se viktima është kushëriri i kreut të Dhomës Italiane të tregtisë në Shqipëri. Pra të gjithë këto e bëjnë që qeveria Rama 4 ka nisur me një nga ngjarjet skandaloze, pasi kur është arritur të ekzekutohet një biznesmen me një aktivitet.
 
Flavio Qarri: Po flet për një ekzekutim?
 
Alba Kepi: Padyshim, është ekzekutim, pavarësisht se mundohen ta kalojnë në banalitetin e dritave të gjata, e një çobani që shtiu. Prandaj ne duhet të lexojmë edhe mënyrën se si është shpërndarë ky lajm. U shpërnda si një fshatar i thjeshtë e ku të paktën më mjaftoi 2 minuta të kuptoja se nuk ishte një fshatar ose një çoban i thjeshtë, por ishte një nga menazhuesit e një kompanie dhe mund të themi që mund te kishte dhe konflikt interesi. Ose më qartë konkurrencë interesi në të njëjtin sektor me Edoardo Sarchi. Prandaj edhe lajmet që u përcollën në mënyrë kaq jo profesionale, duket se ishin të qëllimshme, për të drejtuar çfarë kishte ndodhur në një anë tjetër. Dhe fakti se pas një ngjarje kaq të rëndë nuk kemi asnjë lloj dalje nga Ministria e Brendshme, nga veta ministrja e cila shkarkoi një zv/ministër për një cigare të pirë në një ambient dhe kur ke ekzekutimin e një sipërmarrësi mjaft të njohur në një sektor kaq delikat dhe kaq të përfolur siç është sektori i ndërtimit në Shqipëri. Kë nje person që siç thashë i lidhur, ka qenë një administrator i përgjithshëm i një prej kompanive të drejtuesit të Konfindustrias Italiane që sot.

Pra të gjitha këto për të treguar se nuk kemi të bëjmë me një sipërmarrës që ka nisur sot rrugëtimin e tij për të investuar në Shqipëri. Prandaj edhe komunikatën e Konfindustrias e gjej me shumë profesionalitet, drejtuar aty ku duhet kërkuar llogaridhënia.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco