I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SYRI TV, i riu nga Vlora, David Dano, foli rreth ngjarjes së djeshme të ndodhur në mbledhjen e këshillit bashkiak. Ai denoncon mungesën e shpronësimin nga institucionet, edhe pse kanë kaluar 5 vite nga shembja e banesës së tij pranë Portit. I lënë pa asnjë përgjigje, i riu ditën e djeshme u fut në mbledhjen e këshillit për të kërkuar një përgjigje se kur do të lëvrohej shpronësimi. Për ‘Kafe Shqeto’, David Dano, tha se jeton me prindërit e moshuar dhe të sëmurë, ndërsa i është mohuar jo vetëm prona, por edhe e drejta për të jetuar me dinjitet. Ai flet për një shifër qesharake prej 520 eurosh për metër katror, ndërkohë që në të njëjtin vend, pallatet e reja arrijnë deri në 3000 euro/m². Në një intervistë ekskluzive për emisionin "Kafe Shqeto", ai ngre zërin për padrejtësinë dhe trajtimin mizor nga institucionet, duke kërkuar vetëm një gjë, zbatim të ligjit.
DAVID DANO: Ne ishim dakord që të bëhej një zhvillim për Vlorën, por deri diku, pasi nuk mund të zgjedhësh dhe të lësh njerëzit në rrugë të madhe dhe me një shpronësim qesharak. Dhe e fundit fare dhe më e keqja, të mos marrësh as ato lekë. Vlera e shpronësimit ka qenë 520 euro për metër katror, ndërkohë që...nuk dua të bëj politikë ose të futem në oligarkinë e këtyre...një pallat sot ka vlerën 3000 euro për metër katror. Unë me ato lekë që s’po i mar akoma, s’kam as ku vete. Jetoj me prindërit. Prindërit i kam në një gjendje...janë pleqëri, janë të sëmurë. Mua më bie e gjithë barra e shtëpisë. Hapat ligjore funksionon që muaj pas vendimit të këshillit të ministrave, duhet me patjetër që të dalë shpronësimi. Unë kam gati 5 vjet. Janë trauma të rënda që askush mos i përjetoftë. Na kanë nxjerrë në mes të 4 rrugëve. Unë kam disa familjarë që nuk janë në gjendje shëndetësore shumë të mirë. Kam qenë në Paris dhe është bërë një revolucion dhe aty kam kuptuar se çdo të thotë të jesh i lirë, të marrësh pjesë në një revolucion, të marrësh të drejtën e fjalës. Ndërsa këtu është çdo gjë e vdekur. Këtu askush nuk ngrihet për të drejtat e veta. Deri kur do të vazhdohet kështu? Kjo më bëri që të marr iniciativën dhe të kërkoj të drejtat e mia. Unë i kam kërkuar të drejtat e mia institucionalisht por më kanë mbajtur me shpresa të kota, thonë jo sot, jo nesër. Më kanë thënë që do ti zgjidhim miqësisht. Unë nuk dua asgjë miqësisht, dua çdo gjë ligjërisht. Ligjërisht më thonë që shteti kështu është. Vajtën 5 vjet, kështu që kupa ishte mbushur. Pasi nga një institucion në një institucion tjetër nuk është e drejtë. Njeriut i jepet një afat ligjor.
Përballë tij, Atird Hoxha, nënkryetar i Këshilltarëve të Bashkisë Vlorë, sqaron rolin e kufizuar të këshillit në procesin e shpronësimeve dhe thotë se investimi është i qeverisë, jo i bashkisë.
ATIRD HOXHA: Momentin që zotëria hyri në sallë dhe mu drejtua që ju ‘jeni mashtrues’, e ndjeva veten të ofenduar dhe më erdhi natyrshëm që të reagoja. Prandaj i thash që nuk jemi ne, se në fund ne jemi pjesë e opozitës dhe nuk e menaxhojmë ne pjesën e shpronësimit. As bashkinë e Vlorë. Me thënë të drejtën, sa i përket çështjes së banorëve aty jo vetëm të Davidit, ne e kemi ngritur edhe si problematikë, madje ne i kemi ftuar një ditë që të ishin pjesë e mbledhjes së këshillit bashkiak...në mos gaboj, 1 vit apo 2 vjet më parë. Në këtë moment më erdhi natyrshëm reagimi, nuk kisha asgjë konkrete. Nuk është se kemi ndonjë informacion sepse Këshilli Bashkiak këtu është...shpronësimet as nuk i kalojnë fare. Nëse do të ishte e nevojshme edhe për Davidin, mund edhe të asistoja. Nuk është se kalojnë shpronësimet në këshillin bashkiak. Ky është një investim që bëhet nga qeveria shqiptare nuk është një investim i Bashkisë Vlorë.
© SYRI.net