Avokati Genc Gjokutaj, në një intervistë në edicionin e lajmeve në Syri TV, foli rreth procedurës së ndjekur për shkarkimin e Erion Veliajt, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi ligjshmërinë dhe motivet politike të këtij vendimi. Gjokutaj hodhi dritë mbi përplasjen mes Këshillit të Ministrave, Këshillit Bashkiak dhe Gjykatave Kushtetuese e Administrative, duke e cilësuar shkarkimin si një manovër që synon më shumë të pengojë procesin zgjedhor sesa të zbatojë ligjin.
Avokati u shpreh se, Veliaj, i përballur me një vendim të Këshillit të Ministrave për largim nga detyra, kërkon strehë ligjore në Gjykatën Kushtetuese, me qëllim pezullimin e menjëhershëm të vendimit. Ai thekson se kjo është një lojë me kohën, që i leverdis politikisht Veliajt dhe mazhorancës, ndërkohë që përgjegjësia ligjore për shqyrtimin e çështjes sipas tij i takon Gjykatës Administrative.
Në vijim, avokati ngre alarmin se shkarkimi i një të zgjedhuri vendor, në mungesë të një vendimi të formës së prerë, është jo vetëm antikushtetues, por edhe një precedent i rrezikshëm për demokracinë lokale. Ai e konsideron këtë si një "pushkatim politik" ndaj Veliajt, që në thelb ka synimin për të pezulluar zgjedhjet dhe për të zgjatur pa legjitimitet politik status quo-në në Bashkinë e Tiranës.
Pjesë nga deklarata:
E gjithë dispozita e nenit 115 flet për rastet kur legjitimohet për antikushtetutshmëri vendimi i qeverisë. Shkeljet kushtetuese e detyrojnë Gjykatën Kushtetuese ta gjykojë këtë çështje. Unë mendoj se çështja në GJK nuk do të gjykohet për moskompetencë. Dy rastet e tjera janë: vendimi i formës së prerë, pika 2 e nenit 62 për qeverisjen vendore, dhe pika 3 mbi bazën e të cilës është bërë propozimi për shkarkim nga këshilli bashkiak për mosparaqitje në punë për tre muaj.
Unë mendoj që kjo dispozitë e propozuar nga këshilli bashkiak dhe e miratuar nga Këshilli i Ministrave mund të jetë në kufijtë e shkeljes administrative, si një vendim administrativ i këshillit bashkiak. Nuk mendoj që është kompetencë e GJK-së, por e Gjykatës Administrative.
Leverdia e zotit Veliaj në lidhje me këtë konflikt që ka me VKM-në që e shkarkon nga detyra është se dëshira është të shkojë në GJK, sepse, me të marrë ankimimin, menjëherë çështja pezullohet. Pezullimi i kësaj çështjeje i intereson, sepse i jep kohë.
Ndërsa në Gjykatën Administrative ndiqet një procedurë tjetër, çështja vazhdon. Avokatët duhet t’i bëjnë gjyqtarit një kërkesë dhe t’i kërkojnë pezullimin e VKM-së, pra pezullimin e shkarkimit, deri kur Gjykata Administrative të marrë një vendim të formës së prerë.
Kjo çështje, në njërën nga gjykatat, do të gjykohet. Kështu që edhe nëse nuk e gjykon GJK-ja, ajo e kalon për kompetencë tek Gjykata Administrative.
Ajo që i intereson Ramës dhe qeverisë është koha deri kur gjykatat do të marrin një vendim përfundimtar. Le të shikojmë, sepse Gjykata e Apelit zgjat në kohë. Është më e vështirë sa i përket pezullimit, sepse sigurisht gjyqtari administrativ nuk ka mbrojtjen që ka një gjyqtar kushtetues në vendimmarrje dhe do të ketë një trysni të madhe ndaj atij gjyqtari, i cili mund të marrë një vendim për pezullimin e ekzekutimit të VKM-së.
Erion Veliaj mund të mbetet në detyrë dhe kjo pastaj pezullon shpalljen e datës së zgjedhjeve dhe shtyn zgjedhjet.
Avokatët e Veliajt i janë drejtuar GJK-së dhe do të shikojmë çfarë do të ndodhë. A do t’i japë kompetencë gjykimi vetes apo do të shpallë moskompetencë dhe do t’ia kalojë Gjykatës Administrative?
Problemi është se janë tre pika, Shkelje e rëndë e Kushtetutës, ku qeveria e bën vetë drejtpërdrejt, por konkretisht nuk mund ta bëjë vetë sepse ka një proces penal dhe duhet një vendim i formës së prerë për të prishur mandatin.
Aq e vërtetë është kjo, sa që ka dispozita procedurale për masë sigurimi arrest me burg. Nuk lejohet dhe një masë plotësuese, ndaluese, siç është shkarkimi nga detyra i zyrtarit. Ligji lejon arrestimin, por jo shkarkimin e personave të zgjedhur. Për të zgjedhurit pritet vendimi i formës së prerë. Ky është rasti.
Rasti i 3 muajve është një mbledhje e thjeshtë dhe nuk ka nevojë për verifikim. Veliaj është pushkatuar politikisht dhe kjo kuptohet lehtë.
© SYRI.net