Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputet në Kuvend, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat pas mbylljes së takimit konsultues për kandidaturën që do të përfaqësojë opozitën në garën për Bashkinë e Tiranës, ka lëshuar një mesazh të fortë politik ndaj qeverisë dhe bashkisë aktuale.
Blushi u shpreh se përballë asaj që e cilësoi si "kandidatja e Covid-it", opozita është duke përzgjedhur "vaksinën" që do të shërojë njëherë e mirë kryeqytetin nga keqqeverisja, korrupsioni dhe kapja e institucioneve.
Fjala e tij:
Përballë “kandidates së Covid-it”, ne po përzgjedhim “vaksinën” e duhur, e cila do të shërojë kryeqytetin.
Vaksina jonë kundër Covid-it të Edi Ramës do të jetë padyshim një kandidaturë e denjë, që do ta kthejë Bashkinë e Tiranës në shërbim të qytetarëve dhe do t’i japë fund, njëherë e përgjithmonë, paligjshmërisë, korrupsionit dhe inkriminimit.
Komunikimin e kandidaturës, sigurisht, do ta bëjë Partia Demokratike, si forca kryesore dhe udhëheqëse e koalicionit tonë.
Kam përshtypjen se shumë shpejt edhe emri do të bëhet publik.
© SYRI.net