Nga Felix Bilani/
Më 1883, një mjek anglez me emrin Joseph Mortimer Granville, zotni i nderuar me bastun e me kollare, shpiku vibratorin me bateri. Ai thoshte se ishte për “qetësim nervash”, por të themi të drejtën, vegla kishte më shumë sukses se sa predikimet e priftit të fshatit. Dhe, si çdo shpikje e madhe që i shkon për shtat trupit njerëzor, nuk vonoi shumë pa u futur në treg. Më 1910, firma Sears, Roebuck & Co, e nxori në shitje masive, bashkë me kazma, tenxhere e biçikleta. Kështu ndodhi që vegla e dridhshme u bë po aq e zakonshme sa buka e misrit në mëngjes per pellazget.
Dhe ja ku mbërrijmë në vitin 2025, në teatrin tonë ballkanik, ku Edi Rama i cili i do gjërat moderne sa një zog që do pasqyrën, shpiku “ministren virtuale”. E pagëzoi Diellë, me një buton të madh shkruar “AI”. Kjo ministrja, sipas dekretit, do merret me prokurimet. Se origjinalin, e ka në krevat, por nuk e qas, ndërsa këtë të renë virtuale e do, se nuk kërkon rrogë, as makinë, as dreka me biftek floriri, thjesht ajo duhet të rrijë ndezur me kabull të shtrirë.
E kështu, sipas llogarisë, populli do shpëtojë. Se kur të dalë ndonjë gropë miliardëshe në arkë, Diella do ta mbulojë me një raport shkruar bukur, ku shkruhet se “ fajin e kanë huckerat iranianë që depërtuan në kopshtin e Edenit. Në fakt, kushdo që ka marë ndonjë tender, e di mirë që gropat nuk i hap as Irani, as Edeni, por kazma e vet shtëpisë. Por ja që teknologjia ka meritën e vet, të mbulojë gjithçka me një perde fjalësh që duken si të mençura.
Dhe kështu, si përfundim, i pari shpikur portabël me bateri nga ai doktori anglez do hahet deri në rrëzë nga pellazgët, dhe të gjithë këta pellazgë do paqtohen në muskul.
E dyta kjo e Ramës me Diellën do mbetet shpëtimtarja e vjedhjeve, se do rregullojë hesapet, jo duke i mbajtur të pastra, por duke i bërë aq të turbullta sa askush të mos kuptojë ku mbarojnë paratë dhe ku fillon tymi i qebapit ...
Pra , njeriu shpik vegla sa herë nuk i del guximi. Doktor Granville shpiku vibratorin që gratë të mos shkonin më për “histeri” te mjeku. Kryeministri shpiku ministren virtuale që populli të mos shkojë më për llogari te qeveria. Dhe mes këtyre dy shpikjeve, më i ndershëm del doktor Joseph Mortimer Granville.
© SYRI.net