VIDEO/ Këlliçi: Veliaj po keqpërdor SPAK, ndërkombëtarët duhet të reagojnë

21:33, 30/04/2024
A+ Aa A-

Belind Këlliçi, anëtar i Kryesisë së PD-së dhe drejtues politik për Tiranën, tha se paraqitja e Erion Veliajt në SPAK ishte një reagim i vonuar nga Prokuroria, pasi prej 8 muajsh denoncohen dhe paraqiten në SPAK 1200 faqe prova dhe fakte për implikimin e tij në aferën e inceneratorit fantazëm të Tiranës.

Këlliçi tha se Veliaj po keqpërdor SPAK, pasi një zyrtar i korruptuar, i kapur në flagrancë në vjedhje, duke futur duart në xhepat e qytetarëve të Tiranës, duke i cilësuar ata si kolegë, duke thënë se i ka dhuruar godinën. Ai tha se me mënyrën se si flet Veliaj po kompromenton rëndë hetuesit, pra ose ata i ka vartës ose janë hajdutë si Veliaj. Këlliçi tha se nëse kjo nuk qëndron, atëherë Erion Veliaj po gënjen.

Ai tha se ende nuk kemi një reagim të prerë qoftë nga partnerët ndërkombëtarë për nëpërkëmbjen që po i bëhet organeve të drejtësisë, sikundër nuk kemi një reagim të prerë nga SPAK, lidhur me mënyrën se si Veliaj po sillet.

“Është e pamundur që një individ të ketë një deklaratë të tillë dhe mos të kundërshtohet, atëherë na lind idea që SPAK kontrollohet dhe komandohet nga Erion Veliaj”, tha Këlliçi.

Në vijim, anëtari i Kryesisë së PD-së, tha se në rastin e Veliajt po ndiqet ajo që ndodhi me Arben Ahmetajt.

“Në aspektin procedurial ajo që ka ndodhur, pra thirrja e tij si person që ka dijeni, është normale. Pastaj bazuar në thëniet e tij, prokurorët mund t’i ndryshojnë statusin. Por nuk ka të madh dhe të vogël që nuk e di që Erion Veliaj nuk është hajdut në krye të Bashkisë së Tiranës”, tha Këlliçi.

Ai tha se Dritan Premçi prokurori i çështjes për inceneratorin e Tiranës, ose duhet të rrëzojë Altin Dumanin që në hetimin ndaj Arben Ahmetajt përmend 11 herë Veliajn, ose duhet të rrëzojë Veliajn.

Këlliçi tha se në skandalin ‘5D’ përfshihet i gjithë shtabi elektoral i Erion Veliajt në zgjedhjet e 14 majit, të cilët kanë vjedhur votat në këto zgjedhje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco