Skema e Ujësjellësit Lushnjë për të zhvatur: 'Priju ujin, vëru gjobë e po s'u falën te ne, çoji në Polici'

Skema e Ujësjellësit Lushnjë për të zhvatur: 'Priju ujin, vëru gjobë e po s'u falën te ne, çoji në Polici'

11:21, 24/04/2024
A+ Aa A-

“Hakmarrje politike” e  cilëson z. Vangjel Gjermeni, kryeplaku i fshatit Krutje e Sipërme, mungesën e ujit në shtëpinë e tij prej mëse një muaji bashkë me gjobën më pas prej 100 mijë lekësh nga Task Force. Këto,  pavarësisht se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj ndërmarrjes së Ujësjellësit Lushnjë, pavarësisht se është taksapagues i rregullt dhe një i zgjedhur opozitar, që u kërkon bashkëfshatarëve të tij të jenë të rregullt me detyrimet ndaj shtetit.

Shqetësimin e tij z. Vangjeli e shprehu në SYRI TV për gazetarin Juli Kasapi, pasi pas gjobës që i kanë vënë ata që duhej t’i sillnin ujin në banesë sipas detyrimit ligjor që kanë, pasi ua ka paguar edhe sahatin e ujit që e kanë detyrim t’ia vënë, tashmë po i bëjnë një kërkesë të habitshme: Eja në drejtorinë e Ujësjellësit!

Pyetja troket vetvetiu në kokë: në rast se shlyerja e detyrimeve me fatura sipas ligjit nuk qenka bindëse për drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve në Lushnjë për t’i shërbyer këtij klienti si mijëra të tjerëve, çfarë arsye tjetër mund të përmbajë kërkesa për paraqitjen e tij në zyrat e saj?!

Përse vazhdoi ndërprerja e furnizimit me ujë të familjes Vangjeli në fshatin Krutje e Sipërme pas kryerjes së pagesës dhe për më tepër, pse u shoqërua nga një goditje financiare prej 100 mijë lekësh?! Po tani, pse kërcënohet edhe që ta shoqërojnë në komisariat?!

Nëse jo politike, a mos fshihet në këtë presion,  një mekanizëm i kamufluar zhvatjeje të qytetarëve nga drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të Lushnjës, duke filluar me atë kryeplakun opozitar që “nuk ka për ta dëgjuar e besuar njeri” e deri tek fshatari më i varfër e më i pamundur i atyre anëve që ka të njëjtin problem?!

A mundet dikush të japë përgjigje pse kërkohet me ngulm në drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve të Lushnjës të negociojë për pagesa që janë kryer në rrugë ligjore, një qytetar edhe i shpërfillur dhe i ndëshkuar padrejtësisht me prerjen e ujit dhe me gjobë më pas?!

Dëgjojeni z. Vangjel Gjermeni, kryeplak i fshatit Krutje e Sipërme në Lushnjë nëse ai ka të drejtë të ngrejë pikëpyetje për këtë konflikt absurd e të zgjidhshëm me të cilin nuk është ndeshur vetëm ai, por që ka guxuar ta denoncojë vetëm ai.     

“Shqetësimi im është personal, pastaj edhe si kryetar i fshatit, - tha ai. -  Unë u bëj thirrje të gjithë njerëzve “paguajini, paguajini taksat që të merrni shërbimin”.

Pas pagesës që unë kam bërë në 7 mars 2024, Ujësjellësi nuk ma afroi shërbimin dhe unë u detyrova të bëj lidhje vetë. Pse?! Sepse duke qenë vetëm me nënën në shtëpi, e cila është mbi 90 vjeçe, nuk mund të rrija dot pa ujë. Unë kam pasur kontakt me punonjësit e Ujësjellësit dhe u kam thënë “që ju keni shënuar metra kub tepër dhe unë kur të kem para do t’i paguaj”. I pagova të gjitha më 7 mars, ishin dy muaj madje që unë nuk i dija, po nuk kam qenë dakort as me sahatin e ujit. Nuk duhet ta paguajmë ne sahatin! Sahati është i ujësjellësit, ashtu si edhe ai i energjisë që e paguajnë ata vetë.

Por, ky është shtet me dy standarde. Përfundimisht, nuk ma afruan shërbimin dhe nuk e mora vesh pse. Në momentin që të dhënat hidhen në sistem, duhet të vijë shërbimi! Jam “zero-zero”, i shlyer më Ujësjellësin, por dje erdhi Task Forca dhe më tha  ke 100 mijë lekë gjobë!!!

Domethënë, pas një muaji e ca, që nga data 7 mars 2024, një muaj, këta do të më linin pa ujë! Tani më thonë që duhet të paraqitem në institucion! Pse?!

Nuk punon sistemi?! Në pagesa unë jam “zero-zero” e jo vetëm për këtë, por jam një taksapagues jashtëzakonisht i rregullt! Në çdo gjë, drita, ujë, Telekom...

Këtë unë gjykoj se e kanë bërë politikisht. Ka edhe banorë të tjerë të zonës që ankohen. Duhet të vemi se s’bën atje!

Unë nuk e di pse kërkohet kjo që të vemi se s’bën në drejtori. Ata punonjës nuk mund të zbresin këtu dhe të komunikojnë me ne?! Përse janë ata, vetëm për në zyra?! Se me këta që kemi këtu nuk po dimë si të komunikojnë. Ka shumë probleme. Duhet të vijë edhe Stopi, edhe Fiks Fare këtu për këto gjëra, janë problematike.

U dashka të vemi atje!!! Pse duhet të vemi në Lushnjë ne?! Duhet të vemi se s’bën! Nuk shkoj dot në Lushnjë, kam nënën të sëmurë dhe aq ujë sa kam harxhuar, e kam paguar! Shikoni faturat, por e kam shqetësim. Më tha Taks Force se do të çojmë në Polici.

Po, u thashë, vete, nuk e kam problem, se ju më latë pa ujë. Nuk më afruan shërbimin!”. Me këto fjalë e mbylli rrëfimin e tij z. Vangjel Gjermeni, por jo për ta mbyllur problemin./ar.sh/SYRI.NET

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco